Grabar Kitaroviç do ta kthejë Kroacinë në vitet 1990

Nga Florian Bieber

Kur Kolinda Grabar Kitaroviç doli para një turme entuziaste dhe para kamerave ditën e dielë në mbrëmje, pasi fitoi zgjedhjet presidenciale, ajo lajmëroi: “Ne do të kujdesemi për interesat kombëtare kroate, sepse kjo është Kroacia, dhe jo rajoni.”  Ajo ç‘ka nënkuptonte me “rajon” ishte e qartë – ishte Ballkani. Reth 18 vjet më parë, presidenti i fundit i Kroacisë nga radhët e HDZ-së, Franjo Tuxhman, bëri fushatë me parullën “Tuxhman dhe jo Ballkani”. A po përsëritet historia? Vetë Grabar Kitaroviç risolli në kujtesë Tuxhmanin, duke premtuar se do të ndjekë rrugën e presidentit të parë të pavarur të Kroacisë. HDZ-ja e ditëve të sotme ka pësuar ndryshime të shumta që nga vitet 1990 dhe karriera Grabar Kitaroviçit mori hov pas Tuxhmanit. Megjithatë, risjellja në kujtesë e Tuxhmanit na kujton se partia nuk është shkëputur kurrë nga e kaluara e saj apo nga praktikat autoritare dhe nacionaliste të viteve 1990. Gjatë fushatës së saj, ajo kërkoi që të paraqiste një imazh të moderuar, ndërsa lidhja e saj me integrimin në BE dhe NATO zhvendosi vëmendjen nga vitet 1990 në rikthimin në pushtet në vitet 2000, edhe pse kjo periudhë është e njollosur nga korrupsioni i Ivo Sanader. Megjithatë, fitorja e saj zgjedhore ka rikthyer pas vitet 1990. Kolinda Grabar Kitaroviç do t’i kishte fituar zgjedhjet edhe pa votat e HDZ-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, por rezultati do të kishte qenë shumë më i ngushtë. Kroacia nuk bën përjashtime në lënien e qytetarëve jashtë vendit të votojnë, por numri i konsiderueshëm i kroatëve në Bosnje dhe Hercegovinë u jep atyre një rol shumë të madh. Në fakt, vetëm 17,281 qytetarë kroatë në Bosnje votuan, një numër jo shumë i madh ky duke marrë parasysh se ndoshta rreth një e treta e banorëve të Bosnje dhe Hercegovinë kanë pasaporta kroate. Megjithatë, nga ata që votuan, 93,8 për qind votuan për Grabar Kitaroviçin. Pa ata, hendeku midis saj dhe Ivo Josipoviçit do të ishte përgjysmuar me vetëm 16,000 votues. Ajo e reflektoi këtë në fjalimin e saj ku iu referua Kroacisë po aq edhe kroatëve “në atdhe të e tjerë të kroatëve – Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi”. Pra, çfarë do të sjellë një diskutim i tillë për lidhje të Kroacisë me rajonin? Ndërsa Josipoviç gjithashtu vuri në dukje problemet bilaterale që Kroacia ka me Bosnjën dhe Serbinë, ai bëri përpjekje të konsiderueshme, sidomos gjatë fazave të hershme të presidencës së tij, për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët lindorë të Kroacisë.

Gjeste të tilla nuk mund të priten nga presidentja e re e zgjedhur. Marrëdhëniet midis Kroacisë dhe fqinjëve të saj ishin ftohur që para zgjedhjes së saj, duke qenë se qeveria serbe dhe presidenti Tomislav Nikoliç ishin më pak mirëpritës ndaj Josipoviçit dhe qeverisë së Zoran Milanoviçit sesa paraardhësit e tyre. Për më tepër, fuqitë presidenciale në Kroaci janë kryesisht simbolike dhe politika e jashtme mbetet në duart e qeverisë. Megjithatë, ato që Grabar Kitaroviç tha gjatë fjalimit të saj të fitores dhe gjatë fushatës së saj ishin çuditërisht izolacioniste. Ajo jo vetëm që e distancoi veten nga “rajoni”, por gjithashtu nuk ka ofruar asnjë rol të qartë për Kroacinë në BE, me përjashtim të premtimit bombastik për ta bërë Kroacinë një ndër vendet më të zhvilluara në BE. Përveç kësaj, nuk ka asnjë vizion për BE-në apo për rolin e Kroacisë në të. Qasja e saj dhe se e partisë së saj ndryshon nga ajo e qeverisë aktuale, e cila ka kërkuar një rol konstruktiv në rajon dhe të përdorë anëtarësimin e Kroacisë në BE për të përparuar anëtarësimin e vendeve të tjera në rajon. Kësaj periudhe duket se po i vjen fundi. Në fund të fundit, fitorja e Grabar Kitaroviçit ishte kryesisht një votë kundër qeverisë dhe shumë më pak kundër Josipoviçit. Situata e vështirë ekonomike hyri në fushatë, edhe pse presidenti nuk ka kompetenca të vërteta në këtë fushë. Për rrjedhojë, një periudhë bashkëjetese midis një presidenti konservator dhe një qeverie Social-Demokrate mund të jetë jetëshkurtër dhe, pasi HDZ-ja të kthehet në qeveri, marrëdhëniet rajonale mund të vuajnë shumë. Qeveria aktuale, sidomos Ministrja e Jashtme Vesna Pusiç, shkoi akoma më larg duke premtuar se s’do ta përdorë pushtetin e vetos së Kroacisë në BE për të ndaluar panimin në të të fqinjëve të saj lindorë. Një qeveri e udhëhequr nga HDZ-ja nuk do të jetë e kufizuar nga premtime të tilla dhe do të jetë më pak e gatshme të përmbahet për të përdorur statusin e Kroacisë për të çuar para axhendën e saj ndaj Bosnjes dhe Serbisë.

Ironikisht, pozicionimi nacionalist në Kroaci do t’i shkaktojë zgjerimit të mëtejshëm të BE-së në Ballkanin Perëndimor më dëm se sa çdo lloj vetoje kroate, për shkak se shumë pak vende anëtare të BE-së dëshirojnë të shohin anëtarë të rinj nga një rajon që mund të rikthehet te politikat nacionaliste. Në vitin 2003, BE-ja sinjalizoi Sanaderin se nëse anëtarësimi i Kroacisë në BE do të ishte i sukseshëm, ai do të duhej të distancohej nga elementët më pak të këndshëm të partisë së tij. Edhe ndërsa vidhte, ai dëgjoi. Nëse Grabar Kitaroviç dhe Tomislav Karamarko, kreu i HDZ-së, do të marrin sinjale të ngjashme nga Brukseli dhe nëse ata do të marrin parasysh ato, kjo mbetet ende për t’u parë. Unë kam dyshimet e mia. Reporter.al

SHKARKO APP