Gratë nuk janë pronë e burrave
Nga Vjollca Muçaj
Krimi në familje zë përqindjen më të madhe në totalin e krimeve të ndodhura. Në pjesën kryesore të rasteve, viktimat kanë qenë gratë, ndërsa burrat autorët. Jo rrallë herë, viktima janë bërë edhe fëmijët. Shtrirja gjeografike e krimit është e madhe, por ai është më i shpeshtë në zonat rurale. Për rastet e krimeve te ndodhura ne territorin e kryeqytetit statistikat tregojnë se familjet kane qene te ardhura dhe se 90% e tyre kane jetuar ne varfëri. Dhuna kundër grave po shënon ritme e shifra të frikshme e të dhimbshme në këtë vit në Shqipëri, duke u shëndrruar tashmë në një problem të mprehtë universal e mbarëkombëtar, që prek dhjetëra gra çdo ditë të të gjitha moshave, ngjyrave dhe shtresave sociale. Ka ardhur koha te themi: Stop dhunën ndaj gruas!!! Gjerësisht një pjesë e shoqërisë mendon se gratë janë pronë e burrit dhe për këtë arsye ai mund të bëjë me të çfarë të dojë, kur të dojë e si të dojë, dhe i njohin të drejtën burrit për të ndëshkuar, biles, edhe ta vrasë gruan e tij nëse ai konstaton se ajo nuk bindet apo ka shkelur kurorën. Kjo lloj situate nuk mund të tolerohet më kurrsesi.
Natyrisht shoqëria civile shqiptare, shoqatat e grave, duhet të jenë gjithmonë aktive, të vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre, të hyjnë në një fazë të re, të cilat të ofrojnë një pamje të ndryshme të këtij problemi social, që ende ndikon në një numër të madh të grave. Të bëjnë të njohur realitetin e ashpër, abuzimin fizik e mendor që ka kohë që ushtrohet vazhdimisht ndaj grave, për faktin e thjeshtë për të ankoruar vlerat patriarkale që përcaktojnë një marrëdhënie historikisht të pabarabartë të pushtetit mes burrave dhe grave, që ende ekzistojnë edhe sot në shekullin e 21-të.
Të sensibilozojnë realitetin, të takohen me viktimat e dhunuara të krimit, të ofrojnë një perspektivë të re, qendra për kujdesin mendor e fizik të tyre, për t’i bërë ato të vetëdijshme për të ndryshuar jetën, në të mirë të vetes, fëmijëve dhe familjes. Shoqëria civile duhet të përcjellë mesazhin e rëndësishëm që ndryshimi është i mundur dhe se ende ka shpresë për ta sfiduar atë mizoren –Dhunë!!
Dhuna ndaj grave është padyshim një nga pengesat më të mëdha, e cila parasëgjithash duhet të përballet me një shoqëri demokratike që paraqet themelet e zhvillimit të saj në parimet e lirisë, barazisë dhe sigurinë e qytetarëve të saj. Dhuna ndaj grave nuk është rezultat i akteve individuale të rastit, sjelljes se pahijshme dhe brutale, por më tepër ajo është e rrënjosur thellë në marrëdhëniet strukturore të pabarazisë, anekdotike që konsiderohet kulturore ndërmjet grave dhe burrave, por e pranueshme në mungesë të standardeve të duhura për të drejtat e njeriut. Dhuna ndaj grave është fenomeni më i përhapur në të gjithë nivelet social-ekonomike të shoqërisë. Andaj le të bashkohemi të gjitha së bashku në forma e mënyra të ndryshme të japin kontributin tonë intelektual,qytetar, mendor e fizik, për të mbrojtur të drejtat tona, për ti thënë botës mashkullore dhe shoqërisë ndalni dhunën ndaj neve, mos na vrisni, se duke na vrarë ne- po vrisni vazhdimësinë e jetës, simbolin e paqes shpirtërore e njerëzore.
Ne duhet të ngremë shoqërinë në këmbë, bashkë me politikën, ligjin, policinë, shoqërinë civile, medien, shkollën, familjen, institucionet e tjera të “sigurisë morale” të shoqërisë, për të krijuar një kulturë të re për martesën, duke përcaktuar dhe ndarë më mirë konceptin e “kufirit maskilist” të bashkëshortit mashkull, i cili është i detyruar të edukohet që të kuptojë kohën dhe të respektojë pa kusht dinjitetin dhe identitetin e gruas si partnere apo bashkëshorte. Ka marrë fund epoka e vjetër. Gruaja shqiptare nuk është më “pronë e burrit.