Ngrihet Task Forcë e zgjedhjeve, monitorimi nga 4 ministra teknikë dhe 3 të PS

Qeveria ka miratuar ngritjen e Task Forcës për monitorimin e përdorimit të administratës gjatë fushatës elektorale. Task Forca do të drejtohet nga zëvendës/kryeministrja teknike Ledina Mandija, e cila është zgjedhur në këtë detyrë nga Partia Demokratike dhe në përbërje do të ketë 4 nga ministrat teknikë të opozitës, ai i Brendshëm, i Drejtësisë dhe ministret e Arsimit dhe Financave.

Ndërkohë Partia Socialiste do të përfaqësohet nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, dhe Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj, dhe Eduart Shalsi i çështjeve vendore.

Po ashtu anëtarë do të jenë dhe sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, drejtori i policisë Haki Çako, drejtorja e administratës publike, dhe drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Vendimi i qeverisë që mban firmën e Edi Ramës, përcakton se administrata shtetërore mund të marrë pjesë jashtë orarit zyrtar të punës dhe larg mjediseve të institucionit në fushatë elektorale.

Punonjësit e administratës kanë të drejtë të angazhohen si komisioner zgjedhor, në të gjitha pjesët e procesit pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe të ketë marrë lejen me shkrim prej tij.

Ndërkohë punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, ministrisë së Mbrojtjes dhe SHISH u ndalohet pjesëmarrja në parti politike dhe angazhimet në veprimtari politike.

Ndërkohë ashtu si disa ministra e tjerë teknike edhe ministri i Brendshëm  Dritan Demiraj, ka nxjerrë urdhrin që pezullon lejet e administratës për dikasterin e brendshëm  dhe policisë së shtetit  gjatë fushatës zgjedhore. Në fakt, disa sektorë të uniformave blu, kryesisht ato të rendit kanë kaluar prej disa ditësh në gatishmëri të përforcuar, pasi i janë caktuar detyra specifike për mbarëvajtjen e aktiviteteve të subjekteve politik gjatë fushatës zgjedhore.

SHKARKO APP