Gremisja e kolosëve tregtarë
Falimenti i City Park Tirana, ndjek dështimet e mëparshme nga sektori i shitjeve me pakicë, por gjithsesi më të kufizuara në madhësi dhe në traumat bankare që shkaktuan. Megjithatë, është e qartë se tregu është më i kufizuar sa mendohej dhe se tashmë, jetën nga vdekja e një biznesi të kësaj fushe e ndan aftësia menaxheriale. Ndërkohë, disa dështime kanë qenë të pritshme që në investimin fillestar.
“Citypark, lider në shopping dhe argëtim”, shkruhet ende në ballinën e faqes së internetit të City Park. Por përveç kësaj, asnjë link nuk funksionon më. Nga kjo javë një nga qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri nuk ekziston më, por në fakt, situata terminale e saj kishte muaj, në mos vite që njihej. Në mediat shqiptare, krahas njoftimeve të tjera të paguara, doli edhe lajmërimi i shitjes së këtij aseti në ankand, duke filluar nga çmimi 24.5 milionë euro. Shoqëria përmbarimore me emrin fatal Executores Litium njoftoi shitjen e godinës më 4 mars. Në këtë mënyrë, City Park Tirana bëhet viktima e radhës e falimenteve në industrinë e tregtisë.
Borxhet e mëdha që kjo qendër tregtare i kishte bankave, janë komentuar si arsyeja kryesore e falimentit. Prej kohësh, City Park kishte kaluar praktikisht nën menaxhimin e Tirana Bank. Ndërkohë kjo bankë ende nuk ka bërë një koment zyrtar mbi këtë zhvillim të rëndësishëm, i cili aktualisht përfshin thjesht shitjen e godinës prej 13.645 metra katrorë dhe të truallit përreth. Një kolos betoni, mermeri dhe qelqi me dy statuja shqiponjash në hyrje, City Park Tirana u trumbetua si qendra tregtare më e madhe në Ballkan me një investim të deklaruar prej 80 milionë eurosh, në çeljen e tij në fund të vitit 2009.
Në atë kohë Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë, e çmoi këtë investim si një simbol të prosperitetit ekonomik të Shqipërisë në kohë krize ndërkombëtare. “Ekonomia shqiptare qëndron në këto vite të një cunami të vërtetë financiar dhe ekonomik për Europën dhe botën, tha ai.
Në rënie të lirë
City Park ishte thjesht viktima e radhës, duke ndjekur të njëjtin fat të hipermarketit Praktiker dhe supermarketeve Mercator. Të gjitha viktimat kanë një të përbashkët. I çelën dyert në kohë krize. Në secilin rast ish-Kryeministri Berisha vuri theksin te ekonomia shqiptare që i bënte ballë krizës. Mercator, një rrjet slloven i shitjes me pakicë që operonte në City Park, u dorëzua në fund të vitit 2012 si pasojë e humbjeve të mëdha, rreth një vit pas Praktiker. Hipermarketi i stilit “bëje vetë” lëshoi grahmat e fundit vetëm dy vjet pas hapjes.
Në inaugurimin e rivalit të tij, Megatek, Sali Berisha vërejti: “Në një hark të shkurtër kohor ne përjetojmë zhvillime të mëdha në tregun e kryeqytetit. Vetëm dy javë më parë dhe qindra metra larg që këtu u inaugurua City Park, qendra më e madhe tregtare dhe e fuqishme e vendit, një nga më të bukurat në rajon. Gjashtë javë më parë u inaugurua Praktiker… të gjitha këto së bashku punësojnë mijëra qytetarë”. Nga të gjitha investimet në fjalë, vetëm Megatek mbijeton ende.
Aksidente dhe… vetëvrasje
Përjashto pjesërisht City Park, një tjetër veçori e përbashkët e këtyre lloj falimentesh, sidomos atyre të drejtuara nga firma me kapital të huaj, është basti mbi një kalë të lodhur, të cilin zgjedhin t’ua shesin vetes si fitimtar. Në kushtet e anonimatit, një operator që kryen studime mbi investime të huaja në tregun shqiptar tha për revistën se shpesh kompanitë e huaja kur duan të investojnë në Shqipëri, kërkojnë të gjejnë te studimet përkatëse, rezultatet që ata duan të shohin: “Për disa prej tyre, realiteti i vërtetë është dytësor; rëndësi kanë objektivat, target e biznesit dhe parametra të tjerë. Edhe kur është e qartë se tregu është i mbingopur, këmbëngulin të investojnë. Pastaj falimentojnë brenda pak vjetësh dhe ikin duke lënë pas ndërtesa e magazina bosh”.
Një arsye e këtyre praktikave lidhet me bindjen e kreditorëve dhe të forcave të tjera financiare se biznesi është në rritje, pastaj edhe pasi sipërmarrja dështon, financat e kanë gjetur rrugën e tyre dhe operacioni i ka shërbyer diçkaje. Praktiker dhe Mercator gjetën rrugën e tyre në Shqipëri, pikërisht në pikun e krizës financiare botërore, në vitin 2009. Në atë kohë, amortizimi i humbjeve dhe mbajtja e parave në qarkullim përmes “investimeve të shëndetshme” që kishin si qëllim diversifikimin e aseteve, vuri në fokus vende që u kishin mbijetuar deri në atë ditë efekteve të krizës financiare, por që në fakt, thjesht do t’i importonin me vonesë.
Lajme të mira?
Ndërsa falimente të tjera mund të jenë duke u përgatitur rrugës, jo kushdo ia del keq. Përveç disa operatorësh supermarketesh që vijojnë të zgjerojnë rrjetet e tyre në Shqipëri, janë të paktën dy qendra tregtare – QTU dhe TEG – që ende zhvillohen dhe përditësojnë shërbimet. Në këtë pikë, arsyet se përse disa zhvillohen, ndërsa të tjerë rrënohen, janë për t’u eksploruar.
Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria vëren se ekzistojnë disa arsye kryesore që kanë shtyrë te falimenti i disa operatorëve të mëdhenj. “Së pari është madhësia e tregut”, vëren ai, duke shtuar se kjo lidhet ngushtë edhe me kohën e hapjes së një sipërmarrjeje. “Së dyti është e rëndësishme sesi ndërtohen çmimet, duke qenë se disa qendra tregtare ende të suksesshme sot, kanë pasur një politikë çmimesh që ka respektuar ekonomitë e shkallës, ndërsa qendra tregtare që kanë falimentuar kanë pasur një politikë çmimesh më diskrete, të shpërndarë”, thotë Buxhuku. Ai thekson se bëhet fjalë për aftësi dhe politika menaxhimi.
Operatorët e huaj mund të jenë viktima edhe të mosnjohjes së kontekstit lokal. Ndërkaq, disa prej tyre kanë zgjedhur të diktojnë çfarë kanë dashur të dëgjojnë t’u thuhet. Ndërsa biznese të gjunjëzuara me kapital “më shqiptar” kanë vuajtur nga praktika të menaxhimit rural. Një praktikë e përhapur dhe për fat në shuarje e sipër ndër sipërmarrjet shqiptare, nga SME-të deri te ato prej miliona eurosh, është që familjarë e të afërm konjugalë të aksionerëve me dije dhe talente pastërtisht holistike mbi menaxhimin, marketingun, burimet njerëzore dhe gjithçka tjetër që kërkon profesionalizëm, kanë qenë shpesh menaxherë dhe vendimmarrës strategjikë. Këto lloj falimentesh, sipas standardeve të shëndosha të kapitalizmit, konsiderohen të dobishme dhe me impakt pozitiv për të ardhmen e çdo shoqërie të qytetëruar dhe meritokrate. Siç ka thënë Mark Tuejn: “Nuk mora pjesë në funeral, por u çova një letër të këndshme ku shpreha aprovimin tim për të”.
“QTU & TEG, vizioni bën diferencën”
Elona Hametaj, Drejtore e Përgjithshme e ACREM, tregon se suksesi apo dështimi ndahen mes tyre nga një sërë vendimesh strategjike dhe menaxheria, duke veçuar ndër të tjera edhe përshtatjen me tregun, nevojat, specifikat, shijet dhe aspektet e tij kulturore
– Ditët e fundit u shpall nxjerrja në shitje e City Park, një mega qendër tregtare e cila prej vitesh ishte në vështirësi. Një fat të ngjashëm e kanë pasur edhe sipërmarrje të tjera të së njëjtës industri. Si e shpjegoni që TEG dhe QTU, përkundrazi duket se po ecin mirë, duke qenë dhe këto qendra të mëdha tregtare?
Industria e “shopping center” ka hasur disa sfida vitet e fundit jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë dhe si në çdo garë ka fitues dhe humbës. Jemi krenarë që dy qendrat që ACREM menaxhon, QTU dhe TEG, janë tashmë dy qendra të konsoliduara dhe të suksesshme me një numër vizitorësh gjithmonë e në rritje nga viti në vit. Sigurisht ka disa faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në suksesin ose jo të një sipërmarrjeje të tillë, ku midis tyre do të përmendja pozicionimin/aksesin, arkitekturën e ndërtesës, e cila përveçse duhet të jete bashkëkohore, moderne. Ajo duhet gjithashtu të ofrojë komoditetin dhe gjithë lehtësitë që vizitoret dhe klientët kërkojnë gjatë kohës që ata shpenzojnë në qendrat tregtare. Shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm është edhe ajo që në quajmë “brand mix”. Që një qendër tregtare të funksionoje duhet të bashkojë në një godinë, dyqane të kategorive të ndryshme, të cilat duhet të jenë në vetvete magnete të forta për të tërhequr klientët me çmime të përballueshme dhe diversitet në produktet dhe shërbimet që ofrojnë. Së fundmi, një rol shumë të rëndësishëm në suksesin e qendrave tregtare luajnë edhe ambientet e argëtimit dhe gastronomisë. Në konceptin modern, qendrat tregtare janë transformuar nga hapësira me dyqane fokusuar vetëm të blerja, në mjedise që alternojnë blerjet dhe argëtimin për të gjithë familjen. Në TEG dhe QTU njerëzit përveç blerjeve, kalojnë gjithnjë e me shumë kohë me familjen dhe miqtë dhe në këtë mënyrë, argëtimi është pjesë shumë e rëndësishme e ditës apo fundjavës së tyre. Në qendrat tregtare të administruara nga ACREM, vizitorët gjejnë disa prej markave më të mira ndërkombëtare Carrefour, Jumbo, Zara, LC Waikiki, Mango, Massimo Dutti, Neptun etj. Por gjejnë edhe forma argëtimi si kinemaja Cineplexx, me 7 sallat bashkëkohore. Pra, gjithçka që një qendër tregtare kudo në Europë i ofron, ne mundohemi që t’i kemi brenda qendrave tona.
Pikërisht këto kane qenë shtyllat e rëndësishme mbi të cilat ACREM ka mbështetur punën disa vjeçare në menaxhimin e QTU dhe TEG. Objektivi ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë ndjesia që i ofrojmë vizitoreve dhe klientëve tanë duke i ofruar standardet dhe cilësinë ndërkombëtare. Në fokus të menaxhimit të Acrem, mbetet gjithmonë klienti për të cilin vizita në një nga qendrat tona duhet të jetë një përvojë e bukur e pse jo dhe e paharrueshme. Në funksion të saj, departamenti marketing ka shpërblyer klientët gjatë vizitës së tyre në qendra dhe ka bërë të mundur, rikthimin e tyre gjithmonë e më shpesh nëpërmjet fushatave, organizimit të aktiviteteve argëtuese dhe programeve të besnikërisë.
– Duke folur për falimente të mëparshme mund të përmendim rastin e Merkator dhe Praktiker. Ndërkaq, sipërmarrje homologe me ta janë duke operuar në tregun shqiptar prej vitesh, madje edhe duke u zgjeruar. A ekziston ndonjë faktor në këto segmente më të posaçme shitjeje që disa ia dalin dhe të tjera rrëzohen?
Sigurisht që të jesh një markë ndërkombëtare e suksesshme në një vend nuk do të thotë apriori që do të kesh të njëjtin sukses në çdo vend tjetër, në këtë rast edhe në Shqipëri. Në këto kushte, absolutisht shumë e rëndësishme në këtë sukses, është njohja e specifikave të tregut ku po operon, klientëve që ju drejtohesh, konkurrentëve, dhe detyrimisht kërkohet që edhe pse një biznes ndërkombëtar, nevojitet përshtatja me tregun ku operon duke njohur klientin. Për rastet që ju përmendni, personalisht mendoj se ndoshta përveçse kane bërë një zgjedhje të gabuar në pozicionimin e dyqaneve të tyre të para, nuk u thelluan pak më shumë në njohjen paraprake të tregut në Shqipëri dhe përshtatur me specifikat e tij sociale, ekonomike dhe kulturore. Gjithashtu në këtë biznes të shitjeve me pakicë, është shumë i rëndësishëm pozicionimi i qartë dhe diferencimi nga konkurrenca.
– Në rastin e TEG, QTU dhe sipërmarrjeve derivuese, ka plane zhvillimi të mëtejshëm apo situata është ajo e një faze ngopjeje?
Fokusi i ACREM, si shoqëria menaxhuese e QTU dhe TEG, për vitin 2015 është forcimi i mëtejshëm i pozicionit të të dyja qendrave. Jemi në negocime për sjelljen e disa emrave të tjerë shumë të rëndësishëm për vizitorët e qendrave tregtare, emra ndërkombëtarë por që ne besojmë se i përshtaten shumë tregut tonë. Në këtë mënyrë në e shtojmë gamën e zgjedhjeve që një klient do të gjejë në QTU dhe TEG. Ambientet argëtuese dhe shplodhëse do të ridimensionohen duke u shtuar ndjeshëm në të dyja qendrat, dhe këtu fëmijët do të jenë ata që do të përfitojnë më së shumti. Kjo do të jetë edhe një lehtësi për prindërit që mund t’i lënë fëmijët të sigurt në ambientet e veçanta për ta dhe të vazhdojnë me blerjet.
Ne do vazhdojmë të ruajmë të njëjtën linjë për sa i përket komunikimit tonë duke qenë gjithnjë në ndihmë të vizitorëve tanë, duke i informuar me të gjitha mënyrat për çdo të re që TEG dhe QTU ofrojnë. Ne një të ardhme të mesme jemi duke vlerësuar mundësitë për hapjen dhe menaxhimin e qendrave tregtare në disa qytete të tjera të rëndësishme si Shkodra, Fieri apo Vlora. Ndërsa për sa i përket Tiranës, pavarësisht se tregu ende nuk besojmë se ka arritur piken e maturimit, mungesa e sipërfaqeve të mëdha në pozicionet e favorshme e bën të pamundur zhvillimin e një projekti të ri qendre tregtare me standarde europiane, e cila do të duhet të diferencohet nga qendrat aktuale TEG dhe QTU, dhe t’i përgjigjet kërkesave gjithmonë e në rritje të klientëve tanë për të qenë e suksesshme.
ACREM menaxhon një pjesë të mirë të aktivitetit në fushën e pasurive të paluajtshme të Grupit Balfin për Shqipërinë. Kjo kompani ofron shërbim menaxhimi për pasuritë e paluajtshme komerciale, si për qendrat tregtare dhe për subjekte të tjera tregtare. Aktualisht ACREM menaxhon 2 qendra tregtare në Shqipëri, Parkun Logjistik të Tiranës dhe Godinat Rezidenciale Rolling Hills dhe Ambasador 3.
Ervin Qafmolla
(Revista Jawa)