Greqi – Turizëm me paragjykime
Greqia paraqitet në media si dele e zezë. Dhe prej paragjykimeve të krijuara për shkak të krizës, duket se turizmi grek do të vuajë gjatë.
"Nga çfarë duhet të kemi frikë ne?" pyet Froso Hatsiliadu, duke na shërbyer kafe. "Ne kemi diell, det dhe ushqim të mirë. Dhe mund të mbijetojmë." Nga ballkoni i pensionit të saj të vogël, shihet deti. Ajo jeton në një qytet idilik bregdetar në Greqinë veriore dhe e ndjen krizën shumë pak. "Njerëzit që punojnë në industrinë e turizmit në Greqi dhe i menaxhojnë mirë paratë e tyre, nuk e ndjejnë vërtetë që ka krizë," thotë 50-vjeçarja, e cila përveç pensionit që ka, punon për më shumë se 20 vjet si recepsioniste në një hotel me pesë yje. Edhe i shoqi drejton përveç pensionit edhe një restorant të vogël, dhe kujdeset për pulat dhe kopshtin me perime.
Gjermanët nuk vijnë më
Kriza për Froso Hatsiliadun duket vetëm tek fakti që nga viti në vit janë pakësuar turistët gjermanë. Në vend të tyre po vijnë turistë rusë, bullgarë, anglezë dhe kohët e fundit edhe turq. Vetëm pak gjermanë, që janë miq të mirë të familjes dhe të dashuruarit pas Greqisë kanë mbetur besnikë. "Ne jemi të tmerruar për ato që shkruajnë gjermanët për ne," thotë, gruaja e hollë me flokë të errët që flet rrjedhshëm gjermanisht, sepse ka jetuar deri në moshën tetë vjeçare me prindërit në Gjermani dhe e do kulturën gjermane.
Ku e kanë burimin paragjykime të tilla se ne jemi dembelë, nuk paguajmë faturat dhe se gjendja në vendin tonë është e pasigurt? Nëse nuk do të kem gjë për të ngrënë, unë e di se fqinjët do të më japin gjithmonë diçka. Gjermanët nuk mund ta thonë këtë për vendin e tyre". Froso Hatsiliadu ka lexuar në gazeta se gjermanët tani kanë frikë për të ardhur në Greqi. Ata kanë frikë prej sulmeve ksenofobike. Kur u pyet për këtë, Hatsiliadu përgjigjet me zë të fortë: "Thuaju atyre, ju lutem, se në Greqi nuk është vrarë ndonjë gjerman me thikë"
Stereotipe armiqësore në mediat gjermane
Peter Walter, ka ardhur për herë të parë në Greqi për hir të së shoqes. Ai thotë se erdhi këtu me bindjen se do të gjente kaos, se asgjë nuk funksiononte dhe njerëzit ishin të uritur. Ai tregon se kolegët e tij kanë përfytyrime jashtëzakonisht negative për Greqinë, se aty nuk paguan askush taksat dhe vetëm shtrijnë dorën për të kërkuar ndihmë nga gjermanët. Ai thotë se nga pamjet e përcjella në mediat gjermane, mendonte se do të gjente radhë të gjata para bankave, por se gjendja që gjeti këtu është normale.
Edhe Harry Herrmann që vjen për herë të katërt në Greqi, thotë se njerëzit kanë përshtypje krejt të gabuara që nuk kanë fare lidhje me realitetin. Kështu ai thotë se të afërmit i kishin thënë se në Greqi "tani njerëzit me siguri që hanë me triska ushqimi dhe se me siguri që ata do t'ua shkarkojnë atij urrejtjen për Merkelin dhe Schäublen."
Shumë ekspertë të turizmit janë të një mendimi, se prej paragjykimeve të krijuara nga të dy palët për shkak të krizës, industria greke e turizmit do të vazhdojë të ketë probleme edhe vitet që vijnë. Imazhi i deles së zezë, është një humbje jomateriale e imazhit, që nuk mund të përmirësohet dot. A nuk ishte ideja origjinale e udhëtimeve në të vërtetë diçka tjetër?
DWelle