Greqia, verdikti mbi Europën
Nga Gavin Hewitt
Kur grekët të votojnë të dielën (sot), ata nuk do të zgjedhin vetëm një qeveri të re, por do të japin edhe një verdikt mbi Europën dhe udhëheqësit e saj. Në rast se sondazhet janë të sakta, Greqia është në prag të zgjedhjes së partisë së parë në eurozonë, që është shprehur hapur kundër masave të ashpra të kursimit. Nëse kjo ndodh, e ardhmja e Greqisë do të jetë sërish e pasigurtë. Por zgjedhjet gjithashtu, do të jenë një ditë gjykimi mbi mënyrën se si Evropa e ka menaxhuar krizën e saj financiare dhe ekonomike. Vendi ka marrë 240 miliardë kredi nga BE, Banka Qendrore Europiane dhe FMN. Por gjithësesi ekonomia është tkurrur me 25 përqind, një dukuri kjo e paparë në epokën moderne. Shumë grekë, besojnë se ata janë shndërruar në një laborator për masat e kursimit. Kur ndodhej në opozitë, kryeministri Antonis Samaras, ishte mosbesues ndaj Brukselit dhe Berlinit. Ai shfaqi dyshime nëse rekomandimet për shkurtimin e shpenzimeve në mesin e një recesioni do të funksiononin dhe apelonte për ta kundërshtuar atë marrëveshje. Kur erdhi në pushtet, Samaras ndoqi në thelb gërmë për gërmë, atë që pati këshilluar e ashtuquajtura trojkë: BE-ja, FMN-ja dhe Banka Qendrore Evropiane. Në këmbim të dhënies së ndihmës, Greqisë i është dashur të pranojë një program të ashpër të shkurtimit të shpenzimeve në sektorin publik, si dhe rritjen e taksave. Ka patur megjithatë disa hapa pozitivë. Aktualisht, vendi ka një tepricë në buxhet dhe nuk është më në reçesion. Të ardhurat nga turizmi janë rritur dhe Greqia ka një numër mbresëlënës të kompanive të reja teknologjike.
“Poshtërim Kombëtar”
Deviza e zotit Samaras për popullin grek është t’i “qëndrojmë kursit”. Ai premton të nxjerrë Greqinë jashtë programit të ndihmës, megjithëse përmes një kohe të gjatë të shlyerjes së kredive. Ai është kandidati që mbështet më shumë nga Brukseli dhe Berlini. Sfidanti i tij është Aleksis Cipras nga partia radikale e majtë Syriza. Ai është i ri, dinamik dhe premton t’i japë fund atij, që ai e cilëson si poshtërim kombëtar. Cipras, beson se shtrëngesa financiare ka qenë një fatkeqësi jo vetëm për Greqinë, por për mbarë Evropën. Ai premton të rinegociojë marrëveshjet e ndihmës dhe të ristrukturojë borxhin, që aktualisht është në nivelin e 177 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nga dita e parë e marrjes së detyrës, ai mëton se do të përpiqet të rrisë pagën minimale, t’u rikthejë energjinë elektrike atyre që u është prerë, dhe të ofrojë kujdes shëndetësor për personat e pasiguruar. Ky është një program ambicioz. Por kritikët e tij dyshojnë se Cipras mund të realizojë atë. Pas 5 vitesh, papunësia është gati 26 përqind (60 përqind tek të rinjtë). Klasa e mesme, ndihet e goditur më shumë nga vitet e shkurtimeve financiare. Pavarësisht paralajmërimeve se zoti Cipras, do ta çojë vendin në një konfrontim me kreditorët e Greqisë, kjo shtresë duket e gatshme të rrezikojë, duke ia dhënë votën Syriza-s. Mjafton të shohësh pak nën sipërfaqe, për të kuptuar sesa shumë ka vuajtur shoqëria greke në këto vite; me qendrat ditore, ku mijëra të varfër ushqehen falas; farmaci të improvizuara në rrugë, për ata që janë pa sigurime shëndetësore dhe ku mund të gjejnë ilaçe të dhuruara nga qytetarë të tjerë; një grua e re që thotë se ka borxh, tek të gjithë miqtë e saj; një rrobaqepës që arnon të njëjtat xhinse herë pas here për vetëm 4 euro, apo edhe tek 200 mijë personat që kanë emigruar nga Greqia gjatë krizës. Ajo që mund të vendosë në këto zgjedhje është mungesa e shpresës. Megjithatë, ka pak dëshirë për të braktisur euron apo larguar nga BE. Shumica e grekëve duan të qëndrojnë në klubin evropian. Ata i frikësohen të mbeturit jashtë. Ka një tendencë për të mbikëqyrur më shumë korrupsionin, punët që menaxhohen nga politikanët, mbi-pagesat bujare të mirëqenies sociale dhe evazionin fiskal. Fakt është se Greqia nuk duhet t’i ishte bashkuar kurrë Euros, përmes statistikave të manipuluara dhe jo të besueshme. Por gjithësesi grekët në mënyrë të vendosur duan të vazhdojnë të pjesë e Bashkimit Evropian.
Masat shtrënguese, të papërshtatshme
Nëse Syriza fiton të dielën – dhe me një shumicë dërrmuese – ajo do ta prishë sërish statuskuonë në Evropë. Sigurisht, nuk do të barten rreziqet e vitit 2012, kur tregjet druheshin se kriza greke ishte një sëmundje ngjitëse që po përhapej me shpejtësi në Spanjë dhe Itali. Fatmirësisht BQE-ja e ka eleminuar këtë kërcënim. Por Brukseli prapëseprapë do të ketë frikë nga destabiliteti. Aleksis Cipras është shprehur se do të negociojë, por lind pyetja: çfarë ndodh nëse do të ketë një afat që skadon? Tashmë, kemi një kryeministër evropian, që ka deklaruar se do t’i rezistojë ndonjë kërkese për të falur borxhin grek. Ndërkohë edhe të tjerët nuk janë të gatshëm të rinegociojnë marrëveshjet e ndihmës dhe zbutur kushtet e kredive. Gjermanët madje, kanë lënë të kuptohet se ata edhe mund të lejojnë që Greqia të largohet nga eurozona. Unë jam skeptik për një gjë të tillë, por fakt është se negociatat do të jenë të vështira. Dhe Greqia, ka disa pagesa të mëdha për të kryer më vonë gjatë këtij viti. Një hap i gabuar, mund të çonte vendin drejt falimentit. Por nëse liderët evropianë do të bien dakord për koncesione të mëdha, atëherë vendet e tjera mund të kërkojnë gjithashtu një lehtësim të kufizimeve të tyre buxhetore. Gjermania, mund të ketë frikë se disiplina financiare, që ajo u përpoq që të fuste në eurozonë, rezultoi e papërshtatshme. Elektorati grek mund të zgjedhë ende të qëndrojë me “statuskuonë aktuale”. Zoti Samaras ka sulmuar ashpër partinë e krahut të majtë Syriza duke thënë: “Ne këtu nuk do të kthehemi në një Bashkim Sovjetik. Komunizmi nuk do të fitojë!”. Në fund të fundit, disa mund të kenë turp të votojnë një të majtë radikale, por sondazhet sugjerojnë se masat shtrënguese kanë lodhur dhe inatosur shumë njerëz. Zgjedhjet e së dielës mund të jenë një ditë e rëndësishme për Evropën, kur në kohë të trazuara një parti kundër konjukturës poitike aktuale, merr pushtetin. Dhe kur një fitore mund të nxiste palët e tjera të ekstremit të majtë si “Podemos” në Spanjë. Të dyja, si Greqia dhe Europa do të shohin çdo të ndodhë.
“BBC”.