Greqishtja nuk është më votë në Himarë
Nga Aleksandër Çipa – Posterat elektoralë të kandidatëve kryesorë për Bashkinë Himarë në disa fshatra të Bregut kanë qenë edhe kësaj here në greqisht. Është diçka që nuk shkakton më arsye për debate dhe reagime në mediat shqiptare.
Jo se ka ngjarë zbutja e opinionit apo e kombëtaristëve shqiptarë, por ky element tashmë nuk ka më atë peshë kuptimore që i jepnin pak vjet më parë militantët filogrekë të PBDNJ-së ose organizatës së pakicës greke OMONIA, e cila është instaluar edhe në këtë vis me ortodoksë shqiptarë.
Pak media online e sollën në vëmendje faktin që kandidati i së majtës, socialisti Gjergji Goro, ka shpërndarë edhe postera në gjuhën greke. Diçka e tillë nuk shkakton asnjë habi në Sarandë apo në zonat ku jeton pakica greke, si në zonën e Vurgut apo atë të Dropullit. Por në Himarë reagimi natyrisht dihet pse ka ardhur dhe pse vijon të jetë në fuqi. Sepse bëhet fjalë për diçka që shpreh një realitet të sotëm, por jo një përkatësi që zanafillon nga e shkuara.
Mirëpo tashmë në Himarë posterat greqisht apo greqishtja elektorale nuk ka më atë vlerë që mund të kishte në pak vjet më parë. Himara është larguar nga axhenda e përdorimit politik greko-shqiptar. Koha që vjen ka për ta bërë edhe më evident këtë fakt, i cili e ka problematizuar përgjatë 24 viteve të të ashtuquajturit “tranzicion postkomunist” raportin mes kësaj krahine dhe marrëdhënieve shqiptaro-greke. Historitë me trakte apo me parulla greke në Himarë, duken si një kapitull që nuk del dot prej kuptimit grotesk apo përmbajtjes tipike ballkanase.
Është e njohur kjo përmbajtje që buron prej marrëdhënies që krijohen mes entiteteve, si ai i himarjotëve dhe mes raporteve etnike. Irritimi prej greqishtes përbën “shkumën” e ndjenjës nacionaliste që provokohet sa herë kasta apo grupe të ndryshme të politikës në raportet mes dy vendeve fqinje e vënë në lëvizje. Në Himarë, përdorime të tilla shkaktonin provokime edhe për arsyen se historia përsëritëse e tyre lidhet vetëm me jo më shumë se 12 herë përdorim në 100 vjet histori.
Tashmë ky subjekt është i parëndësishëm. Në Himarë, greqishtja elektorale ka nisur të sjellë në vëmendje të administratorëve vendorë dhe të shtetit shqiptar diçka më serioze e më të rëndësishme. Në Himarë po shfaqet në këto ditë të fushatës për zgjedhjet e 21 qershorit, kriza e paditurisë së shqipes prej emigrantëve të larguar ndër të parët në fillim të viteve ’90.
Kjo krizë përbën një dramë reale për brezat e rinj të himarjotëve dhe bregas në përgjithësi. Nuk e kemi fjalën për bijtë e tri fshatrave greqishtfolës, por për shumicën e të rinjve dhe të rejave të kësaj zone që tashmë administrativisht nis prej pikës turistike të Kakomesë e përfshin fshatrat e Bregut të Poshtëm si Nivica, Shën Vasili, Lukova etj.
Bijtë dhe bijat e bregdetit pas krizës rrënuese ekonomike dhe financiare të Greqisë, janë në dilemën e madhe të një lëvizjeje të re: të kthehen në vendlindje apo të emigrojnë në viset e tjera të Europës, duke shfrytëzuar “kartën e homogjenit” grek. Është një përdorim i rëndësishëm i fundit i këtij identiteti zyrtar që morën me kosto të mëdha gjatë viteve në emigracion në vendin që në shumicë e konsiderojnë si atdhe të dytë të tyre.
Një pjesë e tyre e ndiejnë se në Europën e sotme dhe në perspektivën e dyshuar të saj, transferimi i shtetësisë dhe përkatësisë etnike, mbart të papritura dhe dilema të tjera.
Ndërsa një pjesë tjetër po vërejnë se rikthimi në vendlindje është një alternativë me mundësi për të administruar ndryshe dhe me interes, asetet e trashëgimisë stërgjyshore. Për këta të fundit, greqishtja nuk është më një arsye për të rikthyer parullat apo qoftë edhe gazetat në greqisht në fshatrat e Bregut.
Në Himarë historia e harruar e shkollës greke që u çel me aq shumë bujë dhe me sherre mediatike shqiptaro-greke, nuk rikthehet dot më si aktualitet. Ajo është momentalisht një shkollë me amzën më të varfër në historinë e shkollave greke në territorin e Shqipërisë shtetërore. E tillë ka për të mbetur sipas të gjitha gjasave edhe në të ardhmen e afërt e të largët.
Turet elektorale për Bashkinë e Himarës nuk do të kenë më vend për “sherrin me greqishte”. Kjo mungesë shkaku nuk ka të bëjë me ndryshimin e njerëzve apo të subjekteve që e gjeneruan aq egërsisht dhe zhurmshëm këtë gjë në vitet elektorale të tranzicionit, por lidhet me dominimin e realizmit dhe pragmatizmit të qytetarëve të këtij visi.
Për të mirëpranuar këtë realitet që lidhet me të ardhmen e Bregdetit dhe të pjesës së Labërisë së përfshirë rishtas në njësinë e re administrative, duhet të harrohet historia e tranzicionit dhe të mos mendohet se greqishtja mund të ketë sërish në këto anë, vlerë vote.
"Shqip"