Gurgdhendësi i shekullit
Nga Enver Robelli*
Günter Grassi, i cili vdiq në fillim të kësaj jave, ia ktheu gjuhën shoqërisë gjermane të shkatërruar nga nazizmi – me vepra letrare, me angazhim politik dhe me polemika të pakëndshme. Ai ishte përherë në anën e viktimave (si në rastin e Kosovës), por dinte të zemërohej kur viktimat e dëshpëronin.
1. Luftëtari i vërtetë i lirisë
Në vitin 1999 bota e lirë, hemisfera e saj perëndimore, hyri në luftë. Në luftë për të drejtat e njeriut. Gati 80 ditë aleanca më e madhe ushtarake e botës bombardoi nga ajri trupat e Serbisë me qëllim që të pamundësojë vazhdimin e fushatës së terrorit kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovë. Aksioni nuk ishte përgatitur mirë, ndonjë politikan në heshtje kishte menduar se regjimi serb i prirë nga Slobodan Milosheviqi do të dorëzohej sapo të shihte hundët e avionëve të NATO-s dhe do të ndiente se po i dridhej toka nën këmbë.
Milosheviqi bëri të kundërtën: nuk u dorëzua menjëherë dhe kështu u përpoq të testonte qëndrueshmërinë e Aleancës militare perëndimore. Më së largu nga mesi i prillit 1999, kur Serbia kishte përzënë nga Kosova qindra-mijëra njerëz, në Perëndim filluan shqetësimet. Bombat nuk po sillnin ndryshime të shpejta dhe pothuaj të gjithë politikanët deklaroheshin kundër ndërhyrjes me trupa tokësore.
Përdorimi i UÇK-së si trupë tokësore ishte shqyrtuar dhe hedhur poshtë, sepse bëhej fjalë për një trupë kaotike, të interesuar më shumë në vëllavrasje ndërshqiptare sesa në luftë të organizuar kundër forcave serbe. Kështu perceptohej udhëheqja e UÇK-së edhe në zyrat e NATO-s. Në situata të tilla kur politika nuk di përgjigje dhe kur komandantët e NATO-s sillen si pata të hutuara në mjegull, opinioni është i interesuar të dëgjojë zërat e intelektualëve, shkrimtarëve, artistëve.
Njëri ndër ta, më i famshmi i Gjermanisë, autori Günter Grass, në pranverën e vitit 1999 kritikoi Perëndimin se gjatë, tepër gjatë kishte qëndruar duarkryq derisa në Kosovë gjendja përshkallëzoi në luftë të hapur. Jo pak gjermanë prisnin që majtisti i përhershëm Grass do ta kritikonte ndërhyrjen e NATO-s, do të mallkonte Amerikën, kapitalin e madh botëror dhe krejt armiqtë e tij ideologjikë. Asgjë nga kjo s’ndodhi. Grass e mbështeti ndërhyrjen dhe kërkoi madje qërim hesapesh me trupat serbe, duke dërguar në Kosovë edhe ushtarë gjermanë.
Fjala e tij kishte peshë në opinion, sepse si autor Grass në pothuaj gjithë veprën e tij ishte marrë me fajin e gjermanëve në shekullin e njëzet – dhe ky faj ka kulmuar në barbarinë e Holocaustit, zhbërjes së hebrenjve në truallin evropian. Rastësi apo jo: po në vitin 1999, në vjeshtë, Grass mori Çmimin Nobel për Letërsi. Në atë kohë Kosova ishte çliruar. Dhe disa komandantë të UÇK-së dhe banditë të tjerë me uniforma kishin filluar ta kuptonin çlirimin si mundësi për të plaçkitur dyqane, zaptuar prona, keqtrajtuar rivalë politikë e kritikë, zënë banesa të minoritarëve.
Kur në shënjestër të pehlivanëve shqiptarë u gjenden edhe romët pa asnjë dallim, Grass reagoi, protestoi dhe shprehu dëshpërim të thellë. Ai ishte në anën e viktimave kur viktima ishin shqiptarët – dhe ai ishte në anën e romëve dhe civilëve serbë, kur ata pa dallim goditeshin nga jurishnikët shqiptarë.
Në vitin 1999, zëri i Grassit në favor të Kosovës kishte rëndësi të paçmueshme. Intervenimi i NATO-s, sidomos në Gjermani, kishte shkaktuar polarizime dhe tensione të mëdha, që kulmuan me përplasjen e një konserve me bojë në veshin e ministrit të Jashtëm, Joschka Fischer.
2. “Një gjigant i vërtetë”
Kur të hënën që shkoi si rrufe u shpërnda lajmi se në një klinikë në Lübeck të Gjermanisë, si pasojë e një infeksioni, kishte vdekur Günter Grassi në moshën 87-vjeçare, ndër të parët që reagoi ishte autori britanik nga India, Salman Rushdie: “Një gjigant i vërtetë, inspirim dhe mik. Bjeri dallues për të, Oskar i vogël”. Kështu shkroi Rushdie, duke iu referuar Oskar Matzerathit, personazhit nga romani “Daullja e llamarintë”, vepra më e njohur letrare e Grassit, e botuar në vitin 1959.
Si Grassi, edhe Rushdie ishte në anën e shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Madje ai ishte skeptik sa u përket projekteve perëndimore për krijimin e një shoqërie multietnike në Kosovë dhe i bënte thirrje kryeministrit të atëhershëm britanik, Tony Blair, të pranonte faktin se “Kosova është një trevë etnike shqiptare”. Dhe vazhdonte: “Shqiptarët e Kosovës kanë vuajtur tmerre, ndikimi i errët i të cilave mbase është matanë çdo gjëje që janë në gjendje ta përfytyrojnë njerëz të kujdesshëm si Tony Blair. Këto tmerre ndoshta thjesht janë të pafalshme”.
Grass vdiq pa asnjë shenjë nderimi nga shqiptarët. Rushdie ende është gjallë, por zor se do të gëzojë respektin e duhur nga institucionet tona kulturore. Sepse çarshia kulturore shqiptare bie në sy kryesisht me vepra që më së shumti e zgjojnë vëmendjen e mëhallëve.
“Për shumicën art (…) domethënë t’i nënshtrohesh shtetit, pa marrë parasysh cilit, dhe përjetësisht të mbahesh prej tij. Arti (…) është një rrugë e pështirë dhe e rrejshme e oportunizmit shtetëror, e cila është e shtruar me bursa dhe çmime dhe tapetuar me urdhra dhe medalje dhe që përfundon në një varr nderi në varrezat qendrore”. Kështu e përshkruante mafien kulturore të Vjenës shkrimtari Thomas Bernhard në romanin “Çarja e druve”.
Që nga viti 1999, pjesa më e madhe e shkrimtarëve të Kosovës çajnë dru në torishtën e tyre – pa pothuaj asnjë depërtim në botën perëndimore. Në këto rrethana duket normalitet – normalitet i hidhur – që Grass, Rushdie dhe shumë autorë me nam që dolën në krah të lirisë së Kosovës janë harruar brutalisht.
3. Grassi foli shqip në Prishtinë
Duke shikuar në retrospektivë, Kosova ka me çfarë të krenohet sa u përket botimeve. Gati gjithçka që ishte e ndaluar apo e censuruar në diktaturën e Enver Hoxhës, në Kosovë u botua pa asnjë problem në Prishtinë. Kafka, Joyce, Grass, Kundera, Becketti dhe shumë të tjerë. Kmerët e kuq të Tiranës i frikësoheshin letërsisë së mirëfilltë, sepse ajo mund të prodhonte pastaj mendime të mirëfillta dhe jo vetëm qull e brohoritje komuniste.
Në vitet ‘80 censorët kishin lejuar botimin e romanit “Me syrin e një klouni” të shkrimtarit nobelist gjerman Heinrich Böll. Por kjo vepër ishte gjymtuar aq shumë, saqë para pak vitesh Ardian Klosi e solli përkthimin e plotë duke i nënvizuar të gjitha pjesët e censuruara. Dhe ç’ishte censuruar? Gjithçka që nuk përputhej me moralin e pamoralshëm komunist, dhe çdo gjë që interpretohej si thirrje për mendim kritik apo kundërshtim të budallallëkut.
Kryevepra e Grassit “Daullja e llamarintë” erdhi në shqip që në fillim të viteve ’80 në përkthim të Ramiz Kelmendit. Shkrimtarë, intelektualë, publicistë, gjuhëtarë si Rexhep Ismajli, Vehap Shita, Nehat S. Hoxha, Fadil Bujari, Jusuf Gërvalla, Musa Ramadani, Veton Surroi e shumë të tjerë përkthyen kryevepra të letërsisë botërore. Në fund të viteve ‘70 në Prishtinë është botuar madje edhe një Antologji e Poezisë së Kuvajtit të shekullit XX, ndërsa sot shteti ndan buxhet fyes për botime dhe rrjedhimisht edhe interesimi i përkthyesve për të sjellë në shqip vepra të rëndësishme dhe për të përcjellë trendet kulturore në botë nuk është as afërsisht i njëjtë me vitet ‘70 apo ‘80.
Në atmosferën e atëhershme të hapjes kulturore të Kosovës ndaj botës, sidomos asaj perëndimore, Grassi foli shqip. Ai foli shqip në Prishtinë. Falë shtëpisë botuese “Rilindja”, e cila, për fat të keq, u varros pas luftës.
4. Dy mrekulli
Në vitet ‘50 dy ngjarje ia kthyen vetëbesimin shoqërisë gjermane, e cila ende vuante pasojat e diktaturës së Adolf Hitlerit. Një pjesë e madhe e gjermanëve kishte marrë pjesë në krimet e llahtarshme dhe s’pranonte të distancohej nga e kaluara. Gjuha ishte helmuar. Besimi në demokraci ishte dëmtuar. Në vitin 1954, Gjermania në finalen e Kampionatit Botëror të Futbollit mposhti Hungarinë në Bernë. Kjo fitore e madhe i dha hov shoqërisë gjermane për të rindërtuar vendin, për të zhvilluar ekonominë dhe për të nisur një proces plot dhembje e skandale të çlirimit nga demonët e nazizmit.
Në Gjermani ende flitet për “mrekullinë e Bernës”. Ngjarja e dytë që ia ktheu vetëbesimin shoqërisë gjermane ishte botimi i romanit “Daullja e llamarintë” të Günter Grassit në vitin 1959.
“Ai (Grassi) ishte një monument i historisë së kohës dhe ne me të nuk e kemi humbur vetëm një autor të madh, por edhe një pjesë të vetes sonë. Sepse ai ishte posaçërisht një sukses mbarëbotëror – vetëm ‘Daullja e llamarintë’ u shit më shumë se tre milionë herë – i cili pas luftës gjermanëve ua ktheu gjuhën”, shkruan Iris Radisch në të përjavshmen “Die Zeit”. A ka kompliment më të madh për një shkrimtar sesa kur i thua: ti, jaran, ia ke kthyer gjuhën popullit tënd!
Te “Daullja e llamarintë” Grass udhëton 30 vjet nëpër historinë gjermane – nga Republika e Weimarit deri në vitet pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe pamëshirshëm përshkruan iluzionet, krimet, mashtrimet, shqetësimet, errësirat, të arriturat, poshtërsitë e shoqërisë gjermane.
“Pranoj: jam banor i klinikës, infermieri më vrojton, nuk më heq sysh fare; në fakt, porta ka atë vrimën vrojtuese, kështu që edhe syri i infermierit tim ka një si ngjyrë të murrme, që mua, sykaltëroshit, s’mund të më shquaj”.
Grass, piktor, skulptor e gurgdhendës me profesion, me një fjali e përshkruan gjermanin e gjysmës së dytë të shekullit XX: ai gjerman është pacient në një klinikë nën vrojtimin e infermierit. Vrojtues në këtë rast janë shtetet perëndimore (Amerika, Britania e Madhe, Franca) që pas Luftës së Dytë pushtojnë Gjermaninë dhe e kthejnë në botën e civilizuar.
Oskar Matzerathi i “Daulles së llamarintë” refuzon të rritet përballë çmendurisë nacionaliste gjermane, por pas luftës gjermanët fitojnë një shans të madh: shansin për t’u rritur. Ky proces përmbyllet gati plotësisht në vitin 1985. Më 8 maj 1985, presidenti i atëhershëm gjerman, Richard von Weizsäcker, i cili si avokat i ri kishte mbrojtur të atin nazist, me rastin e 40-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, tha: “8 maji ishte ditë e çlirimit. Ai na ka çliruar nga sistemi njerëzpërbuzës i sundimit të dhunshëm nacionalsocialist”.
5. Trilogjia e Gdanjskut
“Daullja e llamarintë” fillon në Gdanjsk (Danzig) dhe mbaron në Paris, ku në fund të romanit burgoset Oskar Matzerathi. Dy vepra të tjera – “Macja dhe miu” (1961) dhe “Vitet e qenit” (1963) – përbëjnë bashkë me “Daullen e llamarintë” trilogjinë e Gdanjskut, sot qytet në Poloni, dikur vendlindje e Günter Grassit dhe qendër e rëndësishme kulturore gjermane. Në këto vepra autori merret me rrethanat, ngjarjet dhe figurat e lëvizjes naziste në Gdanjsk.
Gjuha e Grassit në këto romane nuk është e lehtë për shkak të saktësisë pothuaj morbide, një veçori e gjermanishtes. Te “Daullja e llamarintë” Grassi e lë Oskar Matzerathin të bëjë lloj-lloj mbrapshtish erotike, te “Macja dhe miu” përshkruhet një olimpiadë e masturbimit dhe kjo skenë e kishte shtyrë një zyrtar të kërkonte ndalimin e librit për shkak të përmbajtjes së pamoralshme. Pas protestave të opinionit publik kërkesa u refuzua.
Te “Vitet e qenit” Grass s’merret me Hitlerin, por me qenin e tij – duke e shpotitur me ton frikësues politikën raciale të nazistëve. Në veprat e mëvonshme Grass trajtoi tema të përditshmërisë dhe të historisë gjermane pas Luftës së Dytë. Në romanin “Një fushë e gjerë” ai u pozicionua si kundërshtar i bashkimit të Gjermanisë, së paku i bashkimit që nga gjermanët lindorë u perceptua si përqafim me zor nga pasanikët perëndimorë.
Tek në vitin 2002, Grass mori guximin të shkruante edhe për krimet kundër gjermanëve – te romani “Wilhelm Gustloff” ai përshkruan fundosjen e anijes me të njëjtin emër, ku viktima ishin gjermanët. Një debat të gjerë publik Grass ngjalli me librin “Duke qëruar qepë”, ku pranoi se si 17-vjeçar kishte qenë pjesë e një njësie të SS-it. Shumë veta e kritikuan për heshtjen, por Salman Rushdie e mbrojti: për të Grassi mbetet një “valltar i madh i letërsisë”, i cili sinqerisht ka shprehur keqardhje për një budallallëk rinor dhe i cili gjatë gjithë jetës shkroi kundër nazizmit. Për Salman Rushdie nazist ishte Ezra Pound. Antisemit, ndërkaq, ishte T.S. Eliot. Grassi s’ishte as nazist, as antisemit.
6. Ushtari i partisë
Günter Grassi nuk ishte vetëm shkrimtar. Ai ishte ushtar partiak. I Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Ai ishte majtist. I majtë në kuptim të solidaritetit me botën, i majtë në shërbim të idesë së barazisë, i majtë në favor të pajtimit, i majtë si zë kritik ndaj poshtërsive të politikës – qoftë ajo amerikane, gjermane apo ruse. Ai ishte i majtë kur u angazhua për shumë kolegë të tij të botës lindore, të cilët rrezikoheshin nga diktaturat. Ai përherë e kishte kërkuar afërsinë me politikën – dhe e kishte gjetur.
Fillimisht. Në vitin 1961 prefekti i Berlinit, njëfarë Willy Brandti, i ftoi shkrimtarët e “Grupit 47” për një bisedë. Grass, sipas një shkrimi të botuar këtë javë në “Süddeutsche Zeitung”, ishte ndër të parët që u lajmërua – edhe pse shefi i grupit, Hans Werner Richter, i habitur kishte bërtitur: “Po ti je anarkist”. Për gazetat e shtëpisë botuese “Springer” Grass nuk ishte vetëm anarkist, por edhe “pornograf”, sepse te “Daullja e llamarintë” Oskari bën punë të pista dhe te “Macja dhe miu” Grassi e kishte ngulitur kryqin e shenjtë kalorësiak të nazistëve në një vend krejt të papërshtatshëm.
Si autor i angazhuar, Grass inspiroi edhe shumë kolegë të tij. Të gjithë u angazhuan për të majtën politike. Grassi ishte ndër autorët kryesorë që shkroi fjalimet e Willy Brandtit. Kur Brandt, më në fund, u bë kancelar i Gjermanisë, Grassi edhe më shumë u përpoq të ndikonte në politikë – gjë që jo rrallë nevrikosi kancelarin. Adhurimi shkonte deri aty, saqë Grass thoshte: “Për shembull, Willy Brandt shqipton një R shumë të mirë. Andaj ai duhet të ketë shumë fjali që fillojnë me R”. Kur Grass insistoi ta shoqëronte kancelarin në pushime në Norvegji, Brandt duke psherëtirë tha: “Nuk dua të shkoj në pushime me Grassin”.
Nga politika Grassi nuk hoqi dorë asnjëherë. Ai u anëtarësua në Partinë Socialdemokrate në fillim të viteve ‘80 dhe u largua prej saj pasi më 1992 partia e tij në bashkëpunim me konservatorët e CDU-së miratoi “kompromisin e azilit” – që në thelb kufizonte mundësitë për marrjen e azilit në Gjermani. Megjithatë, Grass mbeti socialdemokrat. Dhe prej socialdemokratëve nuk hoqi dorë as në vitin 1999, kur NATO-ja intervenoi në Kosovë.
Atëbotë në Gjermani sapo kishte ardhur në pushtet e majta – socialdemokratët e Gerhard Schröderit dhe të Gjelbrit e Joschka Fischerit. Schröderi sot është adhurues i fëlliqtë i Vladimir Putinit. Joschka Fischeri mbetet mik i Madeleine Albrightit, dikur e njohur si Marie Jana Korbelová nga Praga e Vaclav Havelit. Ka shumë emra që kanë hedhur në peshore autoritetin e tyre për çlirimin e Kosovës. Më të shquarit mbesin nga politika: Joschka Fischer dhe Madeleine Albright, dhe nga bota intelektuale-letrare: Günter Grass dhe Vaclav Havel.
*Koha Ditore*