Guvernatori Sejko: Priten shkrirje dhe bashkime bankash

Zbardhen prioritetet e Guvernatorit të ri. Si do të siguroj stabilitetin financiar, si do zgjidhen problemet me kreditë dhe ekzekutimin e kolaterali.

Kuvendi ka zbardhur së fundi seancën dëgjimore me Guvernatorin e Bankës qendrore Gent Sejko ku rezulton se shumë nga deklarimet e z.Sejko nuk janë publikuar nga mediat. Një nga zhvillimet kryesore që pritet në sistemin bankar shqiptar janë bashkimet dhe shkrirjet e bankave, raporton Monitor.

Guvernatori i ri thotë se “dihet që aktualisht në Republikën e Shqipërisë ne kemi një numër të caktuar, janë 16 banka. Është për t’u gjykuar dhe për t’u vlerësuar nëse është një numër i mjaftueshëm bankash, kanë një shtrirje të mjaftueshme dhe një mbulim të caktuar të territorit me rrjet dhe me shërbime bankare. Gjithsesi është e pashmangshme”.

Sipas pikpamjeve të Sejkos “vitet e ardhshme do të ndodhë i njëjti fenomen që ka ndodhur edhe me shtetet e rajonit, pra do të ketë shkrirje dhe bashkime, ku Banka e Shqipërisë do të ketë një rol kryesor në këtë drejtim, si në rolin e rregullatorit, ashtu edhe të mbikëqyrësit”.

Një strukturë e posaçme për stabilitetin financiar

Në drejtim të stabilitetit financiar Guvernatori mendon se “Banka e Shqipërisë duhet të ecë paralelisht në lidhje me forcimin e rolit të saj për politikat mikro dhe makropotenciale, ashtu edhe me kontributin në zhvillimin e sistemit financiar”.

Sipas z. Sejko në drejtim të politikës mikropotenciale fokusi duhet të jetë: Së pari, në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sektorit bankar. Kjo do të realizohet duke nxitur forcimin e kapaciteteve për vlerësimin e rreziqeve në banka, duke synuar që treguesit e kapitalit dhe likuiditetit të bankave të jenë të mjaftueshëm për të përballuar çdo goditje të mundshme, potenciale, që mund të vijë në të ardhmen.

 

Së dyti, në drejtim të politikës mikropotenciale fokusi duhet të jetë marrja e masave për të trajtuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të shpejtë portofolin e kredive me probleme. Kjo do të realizohet nëpërmjet riverifikimit të cilësisë së portofolit, pasi banka qendrore në mënyrë të vazhdueshme bën verifikime nëpërmjet funksioneve të saj mbikëqyrëse.

Guvernatori Sejko thotë se “në vazhdimësi duhet bërë edhe një herë në mënyrë të saktë verifikimi i cilësisë së portofolit të kredive, përmirësimi i kuadrit rregullativ, identifikimi dhe zbatimi me shpejtësi i masave për pastrimin e bilanceve të bankave nga kreditë e humbura”.

Sipas tij, “Banka e Shqipërisë do të nxisë dhe duhet të nxisë përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor për ekzekutimin e kolateraleve dhe për falimentin. Gjithashtu, ka rëndësi krijimi i një kuadri të plotë dhe të qartë të administrimit të situatave të jashtëzakonshme financiare në sektorin bankar. Guvernatori thotë se “përmirësimi i kuadrit ligjor të instrumenteve për trajtimin e këtyre situatave”.

Ai ka një propozim konkret për krijimin e një strukture të qëndrueshme për trajtimin e këtyre situatave. “Është gjithmonë mirë të jemi të përgatitur ndaj çdo situate, pavarësisht se situata aktuale është e qëndrueshme, e shëndoshë dhe e kontrolluar”, shprehet Sejko.

SHKARKO APP