Harrimi i qëllimshëm i Shaban Polluzhës

Prof. Dr. Ibrahim Gashi

Në historiografinë bashkëkohore hartimi i biografive të personaliteteve të shquara konsiderohet si puna më sfiduese për profesionin e historianit. Për heroin e madh kombëtar Shaban Polluzha, s’kemi se si të mos e themi një fakt të hidhur se historiografia bashkëkohore shqiptare ende nuk ka arritur ta nxjerr në dritë të plotë përmasën dhe veprën e këtij patriotit të madh të kombit tonë. Anatemimi dhe stigmatizimi i qëllimshëm për më shumë se 40 vite i figurës Shaban Polluzhës dhe luftës së tij, të njohur si Lufta e Drenicës, nga historiografia komuniste ka ndikuar që edhe pas demokratizimit dhe heqjes së censurës, historiografia jonë nuk ka arritur ta laj borxhin që ka për ndriçimin e plotë dhe të saktë të të kësaj figure në terësinë e dimensionit të saj. Sh. Polluzha, në gjithë trajektoren e tij jetësore, spikat me qëndrimin, vizionin, guximin dhe veprimin e tij. Që në rininë e tij të hershme, duke qenë se jetoi në epokën e zhvillimeve shumë dinamike, por edhe tragjike të popullit tonë, ai dëshmoi një qëndrueshmëri, por edhe largëpamësi, duke arritur të dalloj qartë planet pushtuese, sidomos të shteteve fqinjë, ndaj hapësirës sonë kombëtare. Menjëherë pas luftërave ballkanike dhe fillimit të L.I.B, Shaban Polluzha, ishte njëri nga kundërshtarët e regjimeve okupuese. Si burrë i guximshëm ai fitoi autoritet kur reagoi hapur në takimet me autoritetet bullgare ndaj plaçkitjeve dhe maltretimeve që bënin ushtarët bullgar në fshatrat e Drenicës. Për këtë ai u arrestua, madje edhe me familjen e tij dhe u mbajt për disa muaj në burgun e Prishtinës.

Fati i parisë shqiptare në këto vite ishte shumë i vështirë por edhe i lavdishëm. Pas krijimit të MSKS, Shabani ishte emëruar si kryetar i Komunës së Verbfcit. Duket shumë vështirë e realizueshme, por Shaban Polluzha ia doli që nga besimi qe i kishte dhënë populli dhe autoritetet shtetërore të jetë vetëm në shërbim të popullit. Ai madje në mënyrë të vazhdueshme mbante lidhje dhe e ndihmonte lëvizjen kaçake të rezistencës. Ai pati disa takime kinse të “rastësishme” me Azem Bejtën. Se ekzistonte një besim dhe respekt i ndërsjellë midis këtyre dy burrave të mëdhenj të kombit, flet një dëshmi që kishte lenë një nga bashkëluftëtaret e Azemit, i cili e kishte pyetur Azemin, “pse i besoni këtij Shabanit, kur ky është kryetar komune?”, Azemi ia kishte kthyer më një ton bindës, se “edhe po të bëhem ve në duart e Shabanit, ai nuk do të thyej e le më të më trathëtoj”. Kjo u vërtetua shpejt. Pas rënies heroike të Azem Bejtës, Shaban Polluzha u ndje seriozisht rrezikuar ndaj dhe u largua për një kohë në Shqipëri, bashkë më shumë bashkëkombës të tjerë pjesëmarrës të lëvizjes së rezistencës së armatosur. Atje ai pati rast të takohej me Ahmet Zogun të rikthyer në fronin qeverisës. Në këtë takim  Shabani kishte njoftuar Zogun për gjendjen e rendë të shqiptarëve në Jugosllavi.

Fillimi të L.II.B Shabanin do ta gjejë në Kosovë. Ai u ndodh në mesin e popullit të tij kur Gjermania naziste e sulmoi Jugosllavinë monarkiste dhe e detyroi të kapitullonte pa kusht. Por nënshkrimi i një monarkie shtypëse për shqiptarët, nuk nënkuptoi çlirimin e tyre. Shumë shpejtë Kosova u kërcënua nga njësitet çetnike, të Drazha Mihajloviqit, të cilat në emër të bashkëpunimit më gjermanët po mësynin Kosovën dhe Sanxhakun. Fronti kundër forcave çetnike ishte gjithë vija e kufirit më Serbinë, ndaj dhe secila krahinë e Kosovës po vetëmbrohej më gjithë çfarë kishte nga barbaritë dhe masakrat çetnike. Në këto përballje të drejtpërdrejta me forcat çetnike për jetë a vdekje ranë heroikisht shumë burra të Drenicës, të Shalës, të Llapit, të Dukagjinit, të cilët ishin bajraktar apo kryepleq katundesh që ju prinin forcave vullnetare në mbrojtje të atdheut. Shaban Polluzha në këto momente vendimtare ishte në krye të forcave të Drenicës, në mbrojtje të fshatrave të Artakollit e të Çiçavicës. Paraprakisht, në rrethanat e reja që u krijuan, më nismën e disa krerëve të Drenicës u mbajt Kuvendi i Polluzhës, ku u mor vendim krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Lëvizjes për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, në krye të cilit u zgjodh Shaban Polluzha. Ngritja e këtij shtabi dhe formimi i njësitit “Shqiponja”, me pesë batalionet e tij, i dha impuls dhe organizim të mirëfilltë luftës së shqiptarëve kundër ndërhyrjeve të bandave çetnike. Njësiti beri rezistencë në fshatrat e Artakollit, duke e marr edhe stacionin e policisë në Prellofc, por edhe duke e çliruar Skenderajn.

Kur epilogue i L.II.B po dukej në horizont, veçmas pas kapitullimit të Italisë më 1943 dhe hapjes së frontit perëndimor në Normandi, qershor 1944, popujt e Ballkanit ishin bashkëreshtuar në një front të përbashkët të rezistencës antinaziste dhe sekush po jepte kontributin e tyre në mbështetje të luftës së aleatëve antinazistë. Edhe shqiptarët në Shqipëri dhe jashtë saj në masë të konsiderueshme sidomos në vitet 1943- 1944 i gjejmë të rreshtuar në këtë front, natyrisht të bindur në vendimet e aleatëve në Konferencën e Jaltës se e ardhmja e popujve të Evropës por edhe të botës do të jetë çlirimi dhe vetëvendosja e tyre. Në këto momente vendimtare të fundit të luftës dhe vendosjes së fatit të shqiptarëve të Kosovës Shaban Polluzha duke besuar vetëm kauzën kombëtare filloi të dyshonte kauzën ideologjike të komunistëve kosovar se do të jenë të gatshëm të shkonin deri në fund në mbrojtje të vendimeve të Konferencës së Bujanit.

 

 

Krijimi i Brigadës së Drenicës, sigurisht se u pa më shumë dyshim nga autoritete komuniste që udhëhiqnin Shtabin Operativ të LNQ-së për Kosovë e Metohi. Menjëherë ju be thirrje Shaban Polluzhës për një takim në Mitrovicë, takim i cili dështoi, pasi Sh Polluzha, duke dyshuar në qëllimet e mira të këtij takimi atje shkoi bashkë më gjithë brigadën e tij. Kur filloi takimi komunistet u munduan të shpërndanin luftëtarët e tij, gjoja duke i caktuar në brigada tjera partizane. Sapo e mori vesh këtë Shabani ndërpreu takimin dhe doli para luftëtarëve të vet dhe të bashkuar u kthyen në Drenicë. Në ndërkohë partizanet serb me apo pa urdhra nga lartë kishin filluar të kryenin krime dhe masakra në Drenicë. Kjo i acaroi shumë raportet e Brigadës së Drenicës më Shtabin Operativ. Më iniciativen e Fadil Hoxhes u organizua takimi i dytë në Skenderaj. Edhe takimi I Skenderajt shkoi keq. Shaban Polluzha kishte nxjerrë trupat e shqiptarëve të masakruar dhe për këtë po kërkonte sqarime nga krerët komunist të Shtabit Operativ. Më në fund u duk se u arrit një marrëveshje sipas së cilës Fadil Hoxha do të garantonte se s’do të kishte me vrasje të tilla, ndërsa Shabani më brigadën e tij do të nisej për në frontin e Sremit.

 

Kjo marrëveshje, edhe pse në letër përmbante, pothuaj të gjitha ato që kërkoi Shaban Polluzha, megjithatë ishte vetëm një karrem për të tërhequr Shabanin së bashku më brigadën e tij nga Drenica dhe nga Kosova, në drejtim të Frontit të Sremit në Serbi. Por edhe Shabani beri lojën e tij më këtë rast. Ai pranoi në parim nisjen për në frontin e Sremit, por veprimet që mori treguan se ai nuk e kishte ndërmend një gjë të tillë. Shumë shpejt ai thirri një kuvend të dytë të LQBK në Polluzhë, për të konsoliduar radhët e veta. Ndër vendimet më të rëndësishme të këtij takimi ishte Plotësimin e Shtabit Suprem të Lëvizjes për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar me anëtarë të rinj, si: Profesor Ymer Berisha, nga Gjurgjeviku, Marie Shllaku, nga Shkodra, Adem Voca, nga Shala e Bajgorës, Rifat Maloku, nga Samadrexha, Ndue Përlleshi, nga Jagoda,Ukshin Kovaçica, nga Kovaçica, Hashim Gjaka, nga Oshlani dhe Feriz Boja, nga Kërnica. Për të përmbushur marrëveshjen Shabani lëvizi së bashku më brigadën e tij në drejtim të Podujeves, por vetëm si hap taktik për të venë në provë zotimin që kishte marr komunistët në takimin e Skenderajt. Marshimi i Brigadës së Drenicës në drejtim të Podujevës dhe ndalimi i saj atje për t’u kthyer shpejtë në Drenicë, pasi komunistët po shkelnin marrëveshjen e Skenderajt, është fillimi i epokës së lavdishme në historinë e popullit të Kosovës që fatkeqësisht për shkak të konstelacioneve ndërkombëtare dhe marrëveshjeve midis aleatëve të mëdhenj të luftës nuk arriti të kurorëzohet më sukses.

 

Lufta që filloi në janar 1945 ishte e përmasave të mëdha. Brigada e Drenicës nisi luftimet në një vijë të gjerë të frontit, që shtrihej nga fshatrat e Qiqavices e që vazhdonte në gjithë hapësirën e Drenicës, duke përfshirë edhe perëndimin e kësaj treve që shtrihej deri në afërsi të Klinës. Lufta bashkoi shumë luftëtarë të lirisë, të cilët po e shihnin si të vetmen kauzë të drejtë për ta shpëtuar Kosovën nga kthetrat e jugosllavëve. Ajo tërhoqi vëmendjen e dhe te aleatëve ndërkombëtar. Por komunistet të cilët kishin mbështetje të drejtpërdrejtë të BS, i cili e konsideronte Ballkanin si zonë të inflences se tij, arritën ta mbanin të izoluar këtë luftë nga ndihmat e mundshme të aleatëve anglo-amerikan, duke e etiketuar si kundërrevolucion. Për më shumë komunistët jugosllav, me bekimin edhe të komunistëve kosovar dhe të atyre shqiptar arritën të krijonin një front të tërë kundër Luftës së Drenicës. Rënia heroike e Shaban Polluzhes dhe plagosja për vdekje e bashkëluftëtarit të tij të paepur Mehmet Gradica shënon fundin e rezistencës së lavdishme e vetmja e këtij lloji, kundër ripushtimit të Kosovës nga Jugosllavia komuniste.

 

*Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës

 

 

 

 

 

SHKARKO APP