Haxhi Zeka, inspirues dhe vazhdues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Nga Safet N. Ramolli
“Ta mani besën siç e kemi pasë,/Po man besën nërmjet veti,/S’ ka ç’ na bën krajli as mbreti….”
Këto vargje përbëjnë thelbin e Kodit Moral dhe Luftarak të Zekë Mehmet Byberit (Haxhi Zekës S.R), udhëheqësit të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, luftëtarit dhe organizartorit të Kryengritjeve Popullore Antiosmane në trevat e Kosovës. Në kujtesën dhe zemrën e popullit, si dhe në historinë e Kombit Shqiptar, ka zënë vend me emrin -Haxhi Zeka.
U lind më 20 dhjetor 1832 në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës, por u vendos herët në Gjakovë, e cila atëmot ishte ndër vatrat kryesore të qëndresës antiosmane dhe të kryengritjeve për liri, që kryheshin vijimësisht në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit dhe të Malësisë.
Mësimet e para i mori në Gjakovë, mbaroi Medresenë, dhe fitoi titullin fetar “ Mulla“, titull që do ta bashkëshoqëronte gjithë jetën dhe që do t’u përcillej brezave. Por Haxhi Zeka nuk do të shkëlqente si klerik, shkëlqim rrezatues fitoi padiskutim në fushën e atdhetarizmës, duke e merituar si rrallëkush tjetër nga bashkëkohësit dhe të tjerët më pas, pasi vuri në dispozicion të kombit më shumë se 30 vjet të jetës. Tridhjetë vite si luftëtar, si komandant dhe si drejtues i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për të çliruar vendin nga sundimi i gjatë osman, për të ruajtur tërësinë territoriale, për të realizuar bashkimin kombëtar pa dallim krahine dhe feje, si dhe për të realizuar autonominë mbarëshqiptare me të katër Vilajetet. Luftoi për realizimin e programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878 – 1881); udhëhoqi kryengritjeve antiosmane (1884 – 1885); drejtoi kryengritjet popullore për mbrojtjen e tërësisë territoriale nga synimet shoveve serbo – malazese (1886-1888); organizoi dhe drejtoi Lidhjen e Dytë Shqiptare (Lidhja e Pejës 1899 –1900); vijoi përpjekjet për rimëkëmbjen e Lidhjes së Pejës (1900-21 shkurt 1902), datë kur u vra nga dora tradhëtare e paguar nga serbët.
Zekë Mehmet Byberi – Haxhi Zeka –në këto kushte bëhet më aktiv në luftën për mbrojtjen me çdo kusht e me çdo sakrificë të Çështjes Kombëtare Shqiptare. Bashkohet me të gjithë ata, që kishin ideal dhe qëllim “Çlirimin nga sundimi osman dhe mbrojtjen e tërësisë teritoriale”. Nën emrin – Zejnel Efendi – shkon fshat më fshat dhe zonë më zonë sa në Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit, aqë edhe në territoret e tjera, propagandon idenë kombëtare për mbrojtjen e trojeve nga copëtimi dhe për autonominë e katër Vilajeteve Shqiptare: Kosovë, Shkodër, Manastir e Janinë. Këtë ide e përçoi në Kuvendin e Prizrenit më 10 qershor 1878, Kuvend i cili ka hyrë në histori me emrin e nderuar: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit“. Pjesëmarrësit në Kuvend, vlerësuan atdhetarizmin dhe veprën e Haxhi Zekës, prandaj e zgjodhën anëtar të Komitetit Qëndror të Lidhjes. Vetëdijësohet më mirë. Nuk i përket më vetvehtes. Si anëtar i Forumit të Lidhjes, merr përsipër të mbrojë e të zbatojë platformën ideologjike dhe programin politik kombëtar të saj, në tre shtyllat kryesore të tij: çlirimin nga sundimi osman; mbrojtjen e tërësisë territoriale të Atdheut; dhe formimin e Shtetit Shqiptar.
Krah për krah me prijësa të tjerë si: Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli e të tjerë, do të ndodhej kudo e kurdoherë në krye te kryengritësve shqiptarë. Në shtator 1878, Porta e Lartë dërgon në Kosovë – Mehmet Pashë Maxharin -, me mision që të bindëtte shqiptarët t’i dorëzonin Malit të Zi krahinat e Plavës e të Gucisë, etj. Haxhi Zeka me drejtuesit e tjerë, iu përgjigj misionarit të Stambollit me armë. U vu në krye të vullnetarëve që vërshonin nga Kosova e Rrafshi i Dukagjinit; nga Hoti e Gruda, nga Malësia dhe Shkodra, duke patur si bashkëprijësa trima të tjerë si: Jakup Ferri, Ali Pashë Guxia, e të tjerë. Fuqitë e Mëdha, vendosën që t’i kompesojnë Malit të Zi, Plavën e Guxinë dhe krahina të tjera shqiptare si Hoti, Gruda, Kelmendi. Përsëri Haxhi Zekës iu desh të vihej në krye të kryengritësve për të filluar një epope të re.
Haxhi Zeka: udhëheqës i kryengritjes antiosmane në vitet 1884-1885
Në vitin 1881, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtyp me dhunë, trojet shqiptare po rrezikoheshin më shumë dhe më drejtpërsëdrejti. Prandaj Haxhi Zeka me Sulejman Vokshin udhëheqin Kryengritjen Antiosmane të shqiptarëve në Kosovë. Njëherësh formulojnë dhe propagandojnë idenë autonomiste të Vilajeteve Shqiptare, si dhe venë në rend të ditës çështjen e rimëkëmbjes së Lidhjes së Prizrenit.
Më 1893 me Bajram Currin, organizon dhe drejton kryengritje të tjera në krahinat e Pejës, Gjakovës dhe në vise të tjera të Kosovës, me synim për të kundërshtuar dhunën politike dhe diskriminimin ekonomik që ushtronin sistematikisht pushtuesit osmanë. Meqënë se tani Haxhi Zeka paraqiste shumë rrezikshmëri për Portën e Lartë, u thirr në Stamboll dhe u mbajt në gjëndje arresti deri më 1896, kohë që i shërbeu për t’u njohur me atdhetarë të tjerë në mërgim, si dhe të konsolidonte më tej mendimin e tij politik.
Në tetor 1896, në Prishtinë mbahen dy mbledhje të krerëve shqiptarë, në të cilat shtrohet për diskutim problemi i vënies në rend të ditës të kërkesës për autonomi, si dhe armatosja e forcave kryengritëse. Kjo lëvizje u shtri në Pejë, Prishtinë, Dibër etj., si dhe u arrit kordinimi me sanxhaqet e Prizrenit, Pejës, Elbasanit etj., për të organizuar veprime të përbashkëta me objekt të njëjtë: “të përballohet rreziku që kërcënonte tërësinë teritoriale të vendit…”.
Më 1897 ngjarjet në Lindje evoluojnë në dëm të Shqipërisë. Rreziqet tashmë janë reale, duke u përfshirë në planet aneksuese të Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë. Në këto rrethana Haxhi Zeka bashkë me disa prijësa të tjerë, intensifikojnë punën për organizimin dhe bashkimin e popullsisë shqiptare. Në shkurt organizon mbledhje me Krerët e vendit në Gjakovë, Bytyç, Morinë, Krasniqe, Has etj. Në mars hyri në bisedime me banorët e Prizrenit, Pejës, Gjakovës, dhe me “Besëlidhjen Shqiptare“ u bashkua edhe krahina e Podrimes. Në të gjitha takimet dhe Kuvendet e ndryshme argumenton idenë që, ”Shqipëria të qeveriset nga vetë shqiptarët”, se shqiptarët janë në gjëndje të drejtojnë administratën shtetërore në të gjitha nivelet; se rekrutët shqiptarë duhet ta kryejnë shërbimin ushtarak brenda kufijve teritorialë të Shqipërisë, e të tjera si këto. Në shtator 1887, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Portës së Lartë acarohen së tepërmi. Në ditët e para të nëntorit kryengritja përfshin Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Guxinë, Prishtinën, Tetovën, etj. Tashmë Haxhi Zeka arrin në përfundimin se, rritjes së nivelit të kryengritjes, duhej përgjigjur me masa të reja organizative dhe drejtuese. Prandaj, organizon në Pejë një Kuvend me gati 500 përfaqësues të popullsisë së trevave të Kosovës. Në Kuvend hodhi idenë se, populli i Kosovës e ka humbur besimin tek Turqia, se ai duhet organizuar e drejtuar dhe, se përmes kryengritjes së armatosur duhet të synohet krejt qartë realizimi i autonomisë.
Valiu i Shkupit, duke e patur të qartë influencën në popull të Haxhi Zekës, i propozoi që të ndikonte për t’u shpërndarë Komitetet e Fshehta të Shqiptarërve në shkëmbim të mjaft shërbimeve që Sulltani do t’ u bënte shqiptarëve. Por Haxhi Zeka nuk mund të hynte në një kompromis të tillë të turpëshëm. Ai vijoi rrugën e nderit duke qëndruar gjithmonë në krye të kryengritjes për çlirimin nga zgjedha osmane.
Edhe gjatë vitit 1898, rreziku i copëtimit të territoreve shqiptare qe prezent mjaft dukëshëm. Ai u bë real sidomos për territoret në Vilajetet e Kosovës e të Manastirit, për shkak të rritjes së lakmisë së fqinjëve në jugë e veri të vendit, lakmi këto me theks tejet shoven.
Tërheq vëmëndjen fakti, që për herë të parë në Lëvizjen Shqiptare Antiosmane, dokumentat e miratuara nga Kuvendi i Pejës, u bënë publike në një miting të madh në sheshin e qytetit, më 29 janar 1899. Në dokumentin e thirrjes së Kuvendit të Pejës, nën titullin: ”Rruga e shpëtimit është Besa – Besë“, pos të tjerash nënvizohej: “Vilajetet e Kosovës, Manastirit, Janinës e Shkodrës, janë të gjitha një Atdhe; janë pjesë e pandarë e një trupi, formojnë vendin që thirret SHQIPËRI“.
Pas këtej, në vijim Haxhi Zeka bëri kujdes, që të ngrejë organet e Lidhjes së Pejës në të gjitha Vilajetet Shqiptare, sidomos në trevat e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Ai orientoi, që të veprohej vendosmërisht si kundra Portës së Lartë, ashtu edhe kundra shteteve që synonin copëtimin e trojeve shqiptare.
Lidhja e Pejës dhe veprimtaria e saj në të pastajmen, gjithësesi është vepër e drejtpërdrejtë e Haxhi Zekës. Sami Frashëri, ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përmes veprës madhore “Shqipëria ç’ ka qënë, ç’është dhe ç’ do të bëhetë ?”, botuar nëmars 1899, e vlerëson Lidhjen e Pejës si një ngjarje të rëndësishme në kuadrin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. “…Lidhja e Besa…., do të jenë krei i shpëtimit të Shqipërisë…”, do të nënvizonte Samiu.
Por mbetej domosdoshmëri të organizohej dhe të thirrej një Kuvend i Përgjithëshëm Mbarëshqiptar me motivim konkret: të konsolidohej shtrirja e veprimtarisë së Lidhjes në gjithë teritoret shqiptare; të shndërrohej ajo në një institucion të përherëshëm mbarëshqiptar, dhe Lidhja të ishte organ, që të vinte themelet e Shtetit Autonom dhe Kombëtar Shqiptar.
Kërkesat e Lidhjes së Pejës, u gjykua nga drejtuesit e saj, që të formulohen në formën e një ultimatumi, që do t’i dërgohej Portës së Lartë dhe Qeverive të Fuqive të Mëdha. Si kundërpërgjigje, Stambolli reagoi menjëherë me dhunë, ç’ ka pamundësoi mbajtjen e Kuvendit të Përgjithëshëm, ashtu si vetë Lidhja e Pejës, ndërpreu veprimtarinë në vitin 1900.
Patrioti Haxhi Zeka e provoi edhe një herë pas një viti (shkurt 1901 S.R) ta rimëkëmbërte Lidhjen e Pejës me kërkesat konkrete: të bashkohen të gjithë shqiptarët dhe gjuha shqipe të futet në shkolla dhe në administratë. Por në muajtë maj–qershor, shpresat për rimëkëmbjen e Lidhjes, u shuan përfundimisht.
Megjithatë Lidhja Shqiptare e Pejës, e ideuar, e përgatitur dhe e organizuar nga patrioti Haxhi Zeka, zuri vend denjësisht në histori me veprimtarinë e qartë e të pashuar për bashkimin kombëtar pa dallim krahine dhe feje të të gjithë shqiptarëve. Ajo shërbeu si autoritet administrues në mbarë trevat shqiptare, ashtu si shërbeu si flamur bashkimi për shqiptarët për shumë vite. Vetë inspiruesi dhe drejtuesi i Lidhjes së Pejës – Haxhi Zeka – hyri në mëndjen dhe këngën e popullit si njeriu që vuri gjithëçka në shërbim të kombit të vet: dijet, pasurinë, vullnetin, shpirtin luftarak dhe atdhedashës, deri edhe jetën e tij.
Zekë Mehmet Byberi (Haxhi Zeka S.R), e mbylli jetën me dinjitet e nder pas një atentati në pabesi të plotë, i cili u realizua nga dora gjakatare e serbëve më 20 shkurt 1902, duke mbetur simbol i njeriut atdhedashës; i njeriut organizator; i njeriut që nuk kyrseu asgjë për Atdhe e Popull; i njeriut të BESËS.
Haxhi Zeka lindi në shtratin e BESËS. U rrit po në shtratin e BESËS. Vdiq në shtratin e BESËS së popullit të vet, por gjithësesi nga dora tradhëtare dhe të pabesëve.
Haxhi Zeka, me dinjitet dhe meritë ka zënë vend në historinë e kombit dhe në këngën e popullit si rrallëkush. Disa vargje të një kënge tingëllojnë edhe sa vijon:
“ Haxhi Zeka në shkallë të bardhë,/Për këtë luftë, Haxhi, ç’ po na thua?…”.
Dhe përgjigja e Zekës është: “Ta mani besën siç e kemi pasë,/Po man besën nërmjet vedit,/ S’ ka ç’ na bën krajli as mbreti…”