Haxhinasto: 200 të punësuar në aeroportin e Kukësit
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, i shoqëruar nga Kryetari Bashkisë Kukës dhe ekipi drejtues i ARRSH dhe DPUK, inspektoi sot disa nga veprat më të rëndësishme në qytetin e Kukësit.
Në fillim ai u ndal në objektin "Dublimin e Urave të Kukësit", në segmentin Kukës- Morinë, ku theksoi rëndësinë dhe prioritetin që ka kjo rrugë për lidhjen me Kosovën por edhe për zhvillimin e zonës. Për problematikën në konceptimin fillestar të saj, vecanërisht në mungesën e hyrje-daljeve në të, ministri u shpreh:- “Rruga duhet të shërbejë për zhvillim dhe është e domosdoshme që komunitetet përgjatë saj mos ta shikojnë si ndërtimin e një muri të pakalueshëm, por ta shikojnë atë si mundësi, lehtësi dhe aktivitet ekonomik. Në buxhetin e këtij viti kemi realizuar në kohë rekord planifikimin dhe realizimin e një nënkalimi për fshatin Pobreg, i cili ishte praktikisht i ndarë në pamundësi komunikimi në të dy anët e saj”.
Ndalesën e dytë, Ministri Haxhinasto e bëri në Aeroportin e Kukësit, realizuar me financimin Emirateve të Bashkuara Arabe të cilin e vlerësoi si një investim dhe vepër dinjitoze, aktualisht në gjendje konservimi nga autoritetet e Aviacionit Civil . Gjatë inspektimit Ministri Haxhinasto vlerësoi se aeroporti është mirëmbajtur në një gjendje tepër të mirë dhe ka kushte teknike të mira. Ai kërkoi nga autoritetet që Aeroporti të jetë i gatshëm për një situatë të re ku fluturimet ndërkombëtare mund të lejohen. “Uroj të jetë si një bazë e mirë për fluturime, veçanërisht për ato low cost. Kapacitetet që parashikohen të përpunojë ky aeroport mund të punësojnë mbi 200 punonjës, mundësi shumë e mirë për të rinjtë e qytetit” – tha ai.
Në fund të vizitës së tij ai u ndal në Bashkinë e Kukësit, ku u diskutua për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës, për të rritur punësimin e banorëve të Kukësit dhe zonave përreth. Takimi u fokusua në prezantimin me investimin e ri të qeverisë në Ujësjellësin e Kukësit, për furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm. Investimi kap vlerën 187 milionë Lekë dhe do të furnizojë banorë të qytetit dhe zonave rreth tij, ku është konsideruar dhe parashikuar nga DPUK cdo kërkesë e Bashkisë së qytetit. “Ky investim i ri do të sjellë furnizim me ujë për 24 orë për rreth 40 mijë mije banorë, me prurje mbi 250 litra në sekondë. Është një investim shumë i rëndësishëm, i cili ka pasur sagën e tij, por ky investim do të zgjidhë cdo problematikë dhe do të sjellë ujë në rubinetat e cdo qytetari” – tha Haxhinasto.