Haxhinasto: Formula e re, rrugët me pagesë

Gjatë këtij viti, planet tona zhvillimore kanë shkuar përtej infrastrukturës rrugore. Ndërsa ajo që po bëhet në infrastrukturën e transportit, veçanërisht atë rrugore, është sjellja e saj në standarde. Përfundimi i kësaj infrastrukture do të thotë që, ajo të ketë të gjithë elementet e sigurisë dhe sinjalistikës, përfshirë dhe ato turistike në tërësinë e saj dhe për këtë jemi fokusuar edhe në investimet imediate në këtë drejtim. Po kështu, një element i rëndësishëm në politikat tona ka qenë dhe do të jetë rritja e peshës specifike të mirëmbajtjes së rrugëve, me qëllim që investimet tona të kenë qëndrueshmëri më të lartë dhe cilësia e shërbimit që ofrohet në rrugë të jetë gjithashtu më e lartë. Gjatë kësaj periudhe ka përfunduar Masterplani i Transportit dhe miratimi standardeve të investimeve në infrastrukturën rrugore dhe në ujësjellës-kanalizime. Ky unifikim synon të çojë nivelin e infrastrukturës fizike në standarde të krahasueshme rajonale. Cilësia e shërbimeve në transport është një sfidë tjetër me të cilën publiku është i njohur dhe në këtë drejtim, vijon puna. Përmirësimi i sigurisë rrugore ka qenë një tjetër sfidë, ku është riparë tërësisht sistemi i mirëmbajtjes dhe sinjalistikës. Ujësjellësit dhe kanalizimet mbeten sfidë e madhe dhe po kështu, rritja e volumeve të trajtimit të ujërave të përdorura dhe trajtimi i mbetjeve. E rëndësishme ka qenë edhe hapja e monopoleve në transportin detar dhe atë ajror, çka ka sjellë edhe uljen e çmimeve në këto shërbime.

Cilën po konsideroni sfidën më madhore të transporteve aktualisht?

Mendoj se, standardizimi i rrugëve dhe në përgjithësi dhe rritja e cilësisë së tyre për të garantuar shërbim cilësor për qytetarët është madhore dhe sigurisht ka edhe masa konkrete në këtë drejtim. Gjatë vitit 2014 u realizua një projekt midis Rrogozhinës dhe Sarandës për sinjalistikën dhe së shpejti do të tenderojmë edhe dy projekte të tjera Rrogozhinë-Kapshticë dhe Fushë-Krujë – Hani i Hotit. Por sfida më e madhe mbetet reforma e thellë në transportin publik, e cila tashmë është në proces. Përfundimi i infrastrukturës fizike është një objektiv madhor, pasi shumë rrugë të Shqipërisë janë ende të papërfunduara.

Qeveria, edhe për vitin 2015, po planifikon një buxhet në ulje për sektorin e transportit, por, ndërkohë, si paraqiten kërkesat dhe nevojat tuaja si dikaster?

Këtë vit, shifra e akorduar është 42 miliardë lekë. Në investimet me financim të brendshëm, realizimi ishte 81%. Pak më dobët kanë ecur investimet e huaja. Kryesisht këto pengohen nga çështjet procedurale, të cilat duhen respektuar dhe këto kanë sjellë vonesa me disa nga projektet. Kemi të bëjmë me partnerët ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, problematika e mbartur nga e shkuara ka pasur efektin e saj në këtë ecuri. Problemet e trashëguara në menaxhimin e projekteve, problemet me shpronësimet dhe sektori i administruar keqndikuan edhe në ecurinë e investimeve të këtij viti. Por, tashmë, problematikat kanë gjetur zgjidhje dhe procesi i investimeve publike është zhbllokuar për shkak edhe të shlyerjes së një pjese të madhe të detyrimeve të prapambetura. Për sa i përket buxhetit 2015, shifrat janë ende në fazën e diskutimeve.

Në fund të shtatorit, investimet kapitale të qeverisë rezultojnë të parealizuara në masën e 35% të planit të periudhës. Një pjesë e madhe e tyre i dedikohet ecurisë jo të mirë të investimeve në rrugë. Pse ka ndodhur kjo?

Në buxhetin e 2014-s e kemi shtuar përqindjen për buxhetin e rrugëve. Kjo për shkak se, qeveria, nëpërmjet një fondi të veçantë, autorizoi shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Kemi gjetur vlera të papërfillshme financimesh për mirëmbajtjen e rrugëve. Kjo ka krijuar një debit të akumuluar në sensin që kërkoheshin investime për të sjellë standardin në rrugët e pamirëmbajtura dhe për të aplikuar mbi to një normë optimale që kërkohet për standardet e mirëmbajtjes dhe sigurisë rrugore.

Banka Botërore, në një raport të fundit, cilëson se, nevojat për financime për mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri janë më të mëdha se ato për ndërtimin e rrugëve të reja. A është i vërtetë ky konstatim dhe si janë këto raporte sipas jush?

Kemi konceptuar në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore projektin për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare 3 mijë e 700 kilometra. Ky studim do të nxjerrë kërkesat e sakta për mirëmbajtje dhe kemi filluar llogaritjen e vlerave që duhen në programin afatmesëm. Sinjalistika rrugore, nga ana tjetër, paraqet një nevojë emergjente për përmirësim, ku në shumë prej akseve kombëtare është aplikuar që këtë vit.

Ka të paktën katër vite që është në diskutim vënia e një takse ndaj autostradës së Kombit. Çfarë po e pengon realisht vendosjen e saj dhe a e keni ju një afat përfundimtar?

Nuk po e pengon asnjë gjë. Ka pasur ndërhyrje edhe në studimin e fizibilietit, duke qenë se, s’ishte konsideruar edhe kërkesa e kompanive të interesuara. Këto ndryshime ligjore e kanë vonuar procesin. Në studimin e ri të fizibilitetit, investimet e programuara për t’u bërë nga kompania që do të marrë me koncesion mirëmbajtjen, do të jenë 30-40 milionë euro. Paralelisht po kryhet një studim tjetër për taksimin rrugor shqiptar, i cili po financohet nga BERZH-i. Po konkludohet me rrugët që do të taksohen në Shqipëri. Ato do jenë autostrada Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan, disa segmente në akset e Jugut. Shpallja e këtyre akseve për financim pritet të ndodhë në 6-mujorin e parë të 2015-s. Të gjitha këto akse plotësojnë kriterin për taksim, pasi kanë edhe linja dytësore komunikimi.

Por, pavarësisht prioriteteve që ju keni shpallur, a do të hapni fronte të reja punimesh në infrastrukturën rrugore më 2015? Nëse po, cilat do të jenë?

Fronte të reja punimesh janë hapur dhe do të hapen, por ndërkohë duhen edhe 200 milionë euro të tjera për frontet e hapura tashmë. Duhet të dini se, po punohet në Bypass-in e Fierit, Vlorës, Rrogozhinës. Ka një interes të drejtpërdrejtë nga qeveria për Korridorin Blu dhe gjithashtu kemi gjetur formulën e financimit me një kompani kineze për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Konkretisht, gjatë vitit 2014, u realizua një projekt midis Rrogozhinës dhe Sarandës për sinjalistikën dhe së shpejti do të tenderojmë edhe dy projekte të tjera Rrogozhinë-Kapshticë dhe Fushë-Krujë – Hani i Hotit. Shumë i rëndësishëm është riorganizimi i mirëmbajtjes së rrugëve për të administruar siç duhet këtë pasuri të madhe kombëtare që kemi, e cila pa mirëmbajtje, do të degradojë në mënyrë shumë të shpejtë. Gjithashtu, realizimi i disa projekteve, të cilët janë në proces, siç e thashë Rruga e Kombit, Rruga e Arbrit, Bypass-i ose anashkalimi i Fierit, i Vlorës, rruga Qukës-Qafë Plloçë, përfundimi i rrugës Lushnjë-Berat dhe shumë segmente të tjera, të cilat janë të rëndësishme për rrjetin tonë rrugor.

A keni një marrëveshje konkrete dhe cila është formula e financimit që do të përcaktohet për Rrugën e Arbrit?

Qeveria po e diskuton këtë projekt seriozisht. Ne jemi në fazën e negociatave me kinezët, por nuk mund të bëjmë të njohura kriteret e formulës së financimit dhe ndërtimit të saj për sa kohë që çështja është ende në diskutim edhe me ministrin e Financave.

Gjithashtu kanë kaluar disa kohë që ju jeni në negociata me kompaninë koncesionare të Aeroportit të Rinasit. Në çfarë faze jeni dhe ç’rezultat parashikoni nga përfundimi i tyre?

Negociatat janë zhvilluar dhe në themel të tyre janë marrëveshjet e ekskluzivitetit, me qëllim që t’i hapim rrugë aeroportit në Jug. Kemi një studim për një aeroport të ri në Jug të vendit. Prioritet është edhe konkludimi i një marrëveshjeje me koncesionarët aktualë të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” për sa i takon çështjes së ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare. Ndërkohë, kërkojmë të konsolidojmë më shumë tregun, me qëllim që qytetarëve shqiptarë, por edhe ata të huaj që vijnë e largohen nga Shqipëria përmes transportit ajror, t’i ofrojmë cilësi sa më të lartë dhe kosto sa më të ulët.

Ju zoti ministër keni bërë një zhvendosje të prioriteteve të transportit nga ai rrugor në përmirësimin e infrastrukturës drejt porteve dhe hekurudhave. Nga të gjitha takimet që keni pasur deri më tani, a ka një interes serioz për të zhvilluar projektet në këto linja dhe ku pritet një konkretizim më i shpejtë?

Në sektorin hekurudhor, prioritar kemi përfundimin e projektit të detajuar të lidhjes hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës. Gjithashtu përfundimin e një projekti për rehabilitimin e lidhjes dhe për analizimin e lidhjes midis Durrësit dhe kufirit maqedonas. Prioritet përbën edhe përmirësimi i lidhjes hekurudhore me Malin e Zi. Edhe në hekurudhë, ne jemi duke punuar për ta rigjallëruar atë, pas një periudhe të gjatë injorimi të plotë, si mundësi transporti. Përmirësimin e lidhjeve me portet e vendit, veçanërisht për ato mallra që kanë volume të mëdha siç janë çimento, mineralet, hidrokarburet, hekuri e skrapi, por edhe segmente të ndryshme, të cilat iu shërbejnë kërkesave specifike që kanë zona të ndryshme të Shqipërisë, flas për zonën e Jugut që kanë hidrokarburet apo zonën e Veriut ku kemi mjaft miniera. Pra rehabilitimi i segmenteve të veçanta do të jetë në fokusin tonë. Po kështu, edhe për transportin e pasagjerëve do të fillojë realizimi i rehabilitimit të vagonëve me kapacitetet që kemi aktualisht, sjellja e tyre në një standard të pranueshëm, gjë që do ta bëjë shërbimin ndaj pasagjerëve më cilësor. Dua të theksoj se ka një interes serioz nga kompani kineze për të zhvilluar në dimensione krejt të tjera Portin e Shëngjinit.

Infrastruktura e ujësjellës-kanalizimeve lë për të dëshiruar. Tani, me reformën territoriale, a ka gjasa të ketë përmirësime në qeverisjen dhe shërbimet që ofrojnë ndërmarrjet e ujësjellësve?

Sektor i rëndësishëm është edhe ujësjellës-kanalizime. Një reformë e thellë po realizohet edhe në këtë sektor, me qëllim që të dalë nga situata totalisht jorentabël dhe me kosto të larta. Sigurisht, paralel me reformën territoriale do të riorganizojmë edhe ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, me qëllim që të shkojmë drejt qëndrueshmërisë së këtyre ndërmarrjeve, në mënyrë që të mos të jenë më një barrë e madhe për buxhetin e shtetit, por të jenë rentabël dhe t’u shërbejnë sa më mirë qytetarëve. Duke përfshirë sigurisht edhe shërbimin e trajtimit të ujërave të përdorura, që të jemi edhe miqësorë me mjedisin, në funksion të mjedisit në përgjegjësi, por edhe të industrive që janë të ndjeshme ndaj tij veçanërisht, siç është turizmi. Po kështu edhe në fushën e mbetjeve do të realizohet një reformë. Ajo do të jetë e nivelit institucional, ligjor, me qëllim që të përmirësohet situata aktuale e trajtimit të mbetjeve, një situatë e papranueshme as për të sotmen, as për të ardhmen. Kemi disa qindra landfille. Kjo duhet të ndryshojë dhe duhet të shkojmë drejt një modeli të ri të trajtimit të mbetjeve, me qëllim që nëntoka e Shqipërisë të mos jetë një bombë me sahat për sa i takon ndotjes, por ne të rikuperojmë sa më shumë nga trajtimi i mbetjeve dhe të kemi impakt sa më të vogël në mjedis.

Ju zoti Haxhinasto keni qenë ministër edhe në qeverinë “Berisha”, edhe tani në qeverinë “Rama”. A keni krijuar tashmë një opinion se me cilin prej tyre ushtrimi i detyrës tuaj ka qenë më komode?

Detyra e ministrit nuk është komode në asnjë rrethanë. Dua të them se në çdo pozicion, komoditeti dhe vështirësitë lidhen me zbatimin e ligjit dhe detyrave që rrjedhin prej tij.

“Monitor”

 

Aeroportet

Negociatat janë zhvilluar dhe në themel të tyre janë marrëveshjet e ekskluzivitetit, me qëllim që t’i hapim rrugë aeroportit në Jug. Kemi një studim për një aeroport të ri në Jug të vendit. Prioritet është edhe konkludimi i një marrëveshjeje me koncesionarët aktualë të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” për sa i takon çështjes së ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare

 

Hekurudhat

Në sektorin hekurudhor, prioritar kemi përfundimin e projektit të detajuar të lidhjes hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës. Gjithashtu përfundimin e një projekti për rehabilitimin e lidhjes dhe për analizimin e lidhjes midis Durrësit dhe kufirit maqedonas. Prioritet përbën edhe përmirësimi i lidhjes hekurudhore me Malin e Zi.

 

Rrugët që do taksohen

Ato do jenë autostrada Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan, disa segmente në akset e Jugut. Shpallja e këtyre akseve për financim pritet të ndodhë në 6-mujorin e parë të 2015-s. Të gjitha këto akse plotësojnë kriterin për taksim, pasi kanë edhe linja dytësore komunikimi.

 

 

 

 

 

SHKARKO APP