Haxhinasto: Hekurudha, drejt të ardhmes së sigurt

“Rritja me 130% e volumit në hekurudhën shqiptare gjatë vitit të shkuar tregon qartë potencialin dhe të ardhmen e këtij transporti në vendin tonë”. Një fakt të tillë, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto e pohoi në takimin rajonal të SEECP-it që u zhvillua në Tiranë. Duke vijuar më tej me theksimin e rëndësisë që ka në harmonizimin e sektorëve të transportit prioritarizimi i lidhjes së hekurudhës me portet. Dhe duke shtuar se hekurudha shqiptare është në rrugën e duhur për një të ardhme të sigurt në këtë transport. Ministri Haxhinasto konsideroi gjithashtu si të rëndësishme rilidhjen me Portin e Durrësit dhe  objektiv të afërt lidhjen hekurudhore me Portet e Vlorës dhe Shëngjinit. Ai vlerësoi edhe mbështetjen e BERZH-it për projektin aktual të linjës Durrës- Rinas-Tiranë dhe kërkoi intensifikim të mardhënieve me institucionet homologe në Maqedoni për lidhjen Durrës- Shkup dhe më gjerë për projektet që përfshihen në Korridorin e VIII-të, Shqipëri-Maqedoni-Bullgari. Në vijim të projekteve në këtë sektor u veçuan nga ministri Haxhinasto dhe aplikimi për fonde për realizimin e studimit të fizibilitetit për linjën Shqipëri-Kosovë dhe përmirësimin e linjës aktuale me Malin e Zi. Nga ana tjetër, ministri Haxhinasto u kërkoi përfaqësuesve të vendeve anëtare të SEECP-it që të angazhohen për intensifikimin e mardhënieve në koordinimin për zhvillimin rajonal, si dhe përshpejtimin për heqjen e barrierave fizike dhe standardizimin legjislativ dhe teknik të infrastrukturës. “Nuk është herët për të hequr barrierat fizike edhe pse jemi të ndërgjegjshëm, që kjo ecën paralelisht me zhvillimin  infrastrukturor, por mund të përshpejtojmë ritmet tona për heqjen e tyre dhe përmirësimin dhe standardizimin e legjislacionit , për të qenë gati në momentin e implementimit fizik të projekteve tona rajonale”, tha ai. Në vijim, ai vlerësoi si potencial të çmuar partneritetin me sektorin privat dhe nënvizoi se angazhimi i biznesit për zhvillimin e shpejtë të projekteve në këtë sektor është domosdoshmëri.

DEKLARATA

“Transporti hekurudhor është e ardhmja rajonale për zhvillimin ekonomik dhe punësimin. Po ndërmeren hapa konkretë në këtë kuadër, duke veçuar miratimin e Kodit të ri Hekurudhor në Shqipëri brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, projektet e përmirësimit infrastrukturor të stacioneve hekurudhore, konkludimin e inventarizimit të hekurudhës shqipëtare dhe rikontruktimin e kompanisë hekurudhore bazuar në praktikat më të mira evropiane”.

SHKARKO APP