Haxhinasto: Mbyllja e stacionit të trenit në Tiranë, impakt negativ
Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, ka qenë sot prezent në analizën vjetore të Hekurudhës Shqiptare.
Haxhinasto vlerësoi punën e Hekurudhës Shqiptare gjatë 2014-ës dhe vlerësoi angazhimin dhe eksperiencën e specialistëve në këtë sektor.
Ministri ndërkohë tha se mbyllja e stacionit të trenit në Tiranë ka pasur një impakt negative.
Kjo, duke qenë se numri i pasagjerëve është ulur me 70%.
Haxhinasto theksoi se brezi i ri duhet ta shohë hekurudhën si një sektor me potencial të jashtëzakonshëm, ku ata mund të zhvillojnë karrierrën e tyre në nivelet e operatorëve, teknikëve, inxhinierëve e veçanërisht ne nivelin menaxherial.
Haxhinasto u shpreh se një nga projektet e diskutuara është konsolidimi i një shkolle pranë Hekururudhës Shqiptare për specializimin e brezave të rinj.
“Jemi në një situatë optimiste. Mund të them se “treni” i hekurudhës është duke ecur në nje trase të sigurtë dhe ka sot një fytyrë të re. Skrhifrat dhe rritjet e paraqitura në masën rreth 130%, në këtë analizë sot, tregojnë qartë potencialin e jashtëzakonshëm në këtë sektor”, tha Haxhinasto.
Ai kërkoi që hekurudha të konceptohet si pjesë e rrjetit rajonal, e korridoreve të rëndësishme dhe veçanërisht e Korridorit të VIII. Ai cilësoi si përspektivë dhe potencial real për hekurudhën shqiptare, shifrat e kapaciteteve në mallra që tregojnë studimet e BISEC.
Ministri Haxhinasto kërkoi që hekurudha të dalë nga dimensionet e rrjetit kombëtar dhe të konsiderohet si pjesë e rrjeteve rajonale. Ai kërkoi intensifikimin e marrëdhënieve me institucionet në vendet fqinj dhe rajon dhe kjo marrëdhenie të jetë si në nivelin e planifikimit të investimeve ashtu edhe të menaxhimit të operimit aktual të rrjetit që kemi, për të siguruar marketimin e shërbimit edhe biznesit të huaj, që aktualisht ofrohet për biznesin vendas.
E konsideruar si pozitive paraqitja e këtij sektori, ai përmendi si zhvillime pozitive gjatë 2015-ës përgatitjen e legjislacionit të ri dhe miratimin e Kodit Hekurudhor, që në aspektin legjislativ do të cojë drejt modernizimit hekurudhën shqiptare dhe sektorin e transportit hekurudhor sipas direktivave europiane. Ministri Haxhinasto vlerësoi kryerjen e inventarizimit të hekurudhës shqiptare si zhvillim të rëndësishëm në këtë sektor.
Projektet e studimit të fizibilitetit për linjat hekurudhore me Kosovën dhe Maqedoninë priten të fillojnë gjatë 2015 dhe linja funksionale me Malin e Zi u vlerësua si një potencial për këtë sektor.
“Projekti për linjën hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës i cili është duke u realizuar me financimin e BERZH do të jetë një nga projektet e rëndësishëm për rrjetin tonë hekurudhor” – tha ai .