Haxhinasto: Ndërgjegjësim publik për ujin
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka zgjedhur ditën ndërkombëtare të Ujit, për të njohur të rinjtë e qytetit të Elbasanit me reformën në këtë sektor. Në një aktivitet që u zhvillua në një nga depot kryesore të furnizimit me ujë të qytetit, Ministri tha ky takim me nxënësit e shkollës ”Vasil Kamami”, synon të rrisë ndërgjegjësimin publik për ujin e pijshëm, që është një pasuri kombëtare e që duhet menaxhuar më mirë.
Haxhinasto theksoi se uji nuk trajtohet si diçka me vlerë, ndërkohë akoma nuk ofrohet në sasinë dhe cilësinë e duhur. Për të ndryshuar situatën, Ministri tha se po organizohet edhe reforma e thellë në sektorin e ujit, që ka si qëllim ti shërbehet më mirë qytetarëve. Haxhinasto, tha se ndër masat që do merren janë ato ligjore dhe administrative, por faktori kryesor për suksesin e kësaj reforme do të jetë ai njerëzor.
“Përveç rolit të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve, duhet edhe një kontribut më i madh nga shoqëria civile, nxënësit e shkollave dhe nga të rinjtë, që të bëhen pjesë e këtij ndërgjegjësimi publik. Ndërgjegjësimi i njerëzve, është një dimension që ne e vlerësojmë shumë, prandaj qytetarët duhet ta trajtojnë ujin si pasuri”. Më tej Ministri apeloi ndaj qytetarëve që të realizojnë detyrimet që kanë për ta përftuar ujin, duke realizuar këto detyrime, do jenë mundësitë më të mëdha për të realizuar investime, dhe për zgjatjen e kohës së furnizimit me ujë të qytetarëve, që aktualisht është 12 orë.