Haxhinasto: Rruga aset kombëtar, penalizim për këdo që ndërhyn pa autorizim

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto deklaroi sot se numri i aksidenteve rrugore gjatë vitit 2014 u ul me 20 %, ndërsa investimet për vendosjen e sinjalistikës u rritën me 3 herë.

Gjatë analizës vjetore të punës së Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Haxhinasto tha se rruga është aset kombëtar dhe do të penalizohet kushdo që ndërhyn në to, apo vendos reklamë.

Ministri Haxhinasto informoi se, gjatë këtij viti do të ketë investime për sinjalistikën rrugore në dy akse kryesore rrugore, Rrogozhinë-Kapshticë, dhe Fushë Krujë-Hani i Hotit.

Duke vënë theksin në rëndësinë e zbatimit të ndryshimeve në Kodin Rrugor, Haxhinasto tha se, në mënyrë të menjëhershme duhet të ngrihen njësitë përkatëse të cilat do të bëjnë të mundur zbatimin e amendimeve që lidhen me shfrytëzimin e rrugëve.

“Rruga është një aset i rëndësishëm kombëtar për sigurinë e jetës, por edhe për aktivitetin ekonomik. Nuk mund të ndërhyjë askush në to pa autorizim”, u shpreh ministri Haxhinasto.

Ai kërkoi të vihej theksi mbi dimensionin rajonal që ka rrjeti rrugor. Për këtë, kreu i TI-së tha se do të kordinohet puna me ministrinë dhe autoritetet simotra të vendeve të rajonit. Haxhinasto tha se edhe investimet në sinjalistikë do të shtrihen pikërisht në këto akse, ndërsa kërkoi edhe vëmendje sa i takon mirëmbajtjes nga ana e ARRSH-së.

SHKARKO APP