Hebrenjtë nderojnë bamirësin Raoul Wallenberg, grekët nderojnë kriminelin Zerva
Nga Hyqmet Zane – Shqiptarët kanë mbi vete një medalje të veçantë për mbrojtjen që u kanë bërë hebrenjve në Luftën II Botërore. Vërtet ishte një akt madhor human, njerëzor dhe i bërë në kushte të veçanta që në atë kohë ishte edhe një lloj urrejtje gjermane ndaj hebrenjve. Sjellja shqiptare ndaj hebrenjve merr një vlerë të madhe sa herë që e kujtojmë, por që ka shumë për të thënë në këtë plan këndvështrimi. Njëherazi, më ka bërë përshtypje një lajm në VOA në vitin 2009 për një nderim që hebrenjtë e Manhatan i bënë bamirësit suedez Raoul Wallenberg, i cili shpëtoi 100 mijë jetë njerëzish nga nazizmi dhe nga shfarosja në kampet e përqendrimit gjerman. Si njeri, por edhe si djali i një ish të internuari në këto kampe përqendrimi nga Filati i Çamërisë, Nuri Emin Zane, mu krijua një ndjesi e veçantë dhe më ka dhënë një mesazh mbresëlënës njëkohësisht. E kujtoj me shumë respekt një rast të tillë të rrallë dhe të veçantë, sepse mendoj se sa vlerë merr shpëtimi i një jete njeriu siç shpëtoi edhe babai im nga nazistët përmes ndërhyrjes anglo-amerikane. Duke qenë se i përkas komunitetit shqiptar të Çamërisë që ndodhet në Shqipëri, të cilët u shpërngulën nga vendi i tyre përmes vrasjeve dhe genocidit fashist grek në vitet 1944-1945, natyrshëm bëra një paralelizëm që mund edhe të marrë jetë në një vend demokratik si Shqipëria.
Kanë kaluar rreth 72 vjet nga ai gjest i një administratori të degës së Budapestit të agjencisë amerikane Komisioni për Refugjatët e Luftës, suedezi Raoul Wallenberg, që kuptoi se shfarosja e njerëzve dhe veçanërisht i hebrenjve ishte një krim kundër njerëzimit dhe ai veproi në kundërshtim me moralin e nazizmit, vetëm e vetëm pse ai ishte njeri dhe e donte jetën. Ky është një humanizëm në kohëra lufte që është vështirë ta bëjnë shpesh shumë njerëz.
Për koiçidencë dhe duke i vendosur ngjarjet në hapësirë dhe në kohë jo vetëm që jam njeri prej atyre që edhe sot e kësaj dite vuajnë pasojat e genocidit të trefishtë që përjetoi familja ime, por fakti që babai im, Nuri Zane ishte njeri nga ata që u vuajti në kampet e përqendrimit gjerman, jo vetëm që deri në fund të jetës së tij nuk u cilësua një herë veteran, por iu mohua çdo sakrificë dhe vuajti pasojat e tre gjenocideve : gjenocidit nazist, gjenocidit grek dhe gjenocidin komunist. Asnjëherë, askush nuk i tha një fjalë të mirë e aq më shumë të bënte ndonjë vlerësim, por në një moment që guxoi të kërkonte të drejtën e tij për të marrë një pension shtesë si veteran lufte, i thanë se “ata që shpëtuan gjallë nga kampet e përqendrimit nazist, u bënë spiunë të Gestapos”. Ky ishte cinizmi jo vetëm i një njeriu, por edhe filozofia e një regjimi komunist që njolloste gjithkënd që kishte merita, se merita duhet të kishte vetëm njeriu i partisë dhe udhëheqja e asaj kohe.
Më shumë se kaq dhe përtej këtyre të vërtetave që familja ime i vuajti së bashku me qytetarët e tjerë çamë, fati i keq e deshi që popullata çame të shpërngulej me forcë, me dhunë, me zjarr e me hekur nga trojet etnike se e tillë ishte filozofia shoviniste greke e zbatuar me fanatizëm nga krimineli Napoelon Zerva në fund të Luftës II Botërore.
Përkundër kësaj, po në atë vit, 1945, në përfundim të Lutës II Botërore, trupat e ushtrisë greke bënë një masakër antinjerëzore në Çamëri duke vrarë e prerë njerëz, fëmijë e pleq, gra e burra, vetëm e vetëm pse ishim shqiptarë dhe, përkundër gjithë botës, qeveria greke e nderon kriminelin Napoleon Zerva, duke i ngritur monument. Çfarë kontrasti dhe çfarë pabarazie. Sot, kur vendet e zhvilluara europiane, që pretendojnë për një qëndrim njerëzor dhe shpesh publikojnë raste të veprave bamirëse siç bëhet edhe në SHBA nga hebrenjtë, para krimeve të një shteti dhe një ushtrie kriminale e barabartë me genocidin nazifashist, heshtet dhe nuk dënohet kryekrimineli Zerva. Ndërsa nga ana tjetër, pikërisht në vendin e masakrave dhe të një shfarosjeje masive shteti grek ngre monument për të nderuar kriminelin dhe përjetësuar krimet antishqiptare.
Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se “kur shpëton një jetë është sikur ke shpëtuar gjithë botën”. Si postulat është i mrekullueshëm, por këtë duhet ta kenë parasysh ata që bëjnë politikat e botës dhe ata që pretendojnë për mbrojtjen e jetëve të njerëzve. Nuk ka cinizëm më të madh dhe tallje më të madhe se ai që bëhet sot në Greqinë europiane, ku shkelen të drejtat e njeriut ditën për diell, mjaft që të jenë shqiptarë, që mohohen të drejtat e çamëve, shqiptarëve të Çamërisë, vetëm e vetëm se janë shqiptarë dhe komuniteti ndërkombëtar bën sehir dhe hesht. Hesht Europa, hesht edhe ministria e Jashtme shqiptare, miratojmë Rezoluta dhe nuk kërkojmë zbatim të tij, kur kërkojmë që Rezolutën ta bëjë edhe Parlamenti Europian, edhe Kongresi Amerikan.
Disa vjet më parë kemi dëgjuar të flitet për gjoja trafik apo transplante organesh të serbëve që janë bërë në Shqipëri, se kështu do Karla Del Ponte. Kjo ish prokurore e Hagës duket se ka harruar të shohë përtej syzeve të saj se grekët dhe andartët e Napoleon Zervës u çanë barkun nënave çame dhe u nxorën fëmijën duke i valëvitur në majë të bajonetës, se u prenë kokën fëmijëve dhe luanin futboll me kokat e tyre e çfarë nuk mund të thuash tjetër. Vërtet kanë kaluar 72 vjet, por hebrenjtë nuk harrojnë të kujtojnë bamirësit suedez Raoul Wallenberg, ndërsa Karla Del Ponte ka harruar të ngrejë një herë një akuzë për krime kundër njerëzit në Greqi ndaj shqiptarëve.
Ndoshta ka ardhur koha që nën shembullin e hebrenjve të nënshkruhet një poster për një fushatë botërore me synimin për zbardhjen e krimeve genocidiste të Greqisë ndaj një popullate të pafajshme dhe të pambrojtur në Çamëri. Një poster i madh me emrat e atyre që u flijuan për Çamërinë nga krimineli Zerva me mbështetjen e shtetit grek. “Të nënshkruajmë për zgjidhjen e çështjes çame dhe për drejtësi” duhet të jetë postulati i një fushate kombëtare dhe botërore në mbrojtje të jetës dhe të drejtat e njeriut. Nuk janë pak por plot 3 mijë njerëz, fëmijë, burra, gra, pleq e plaka që vdiqën nga mizoritë greke dhe 3 mijë të tjerë që vdiqën rrugëve dhe në fushën e Kllogjrit. Të gjithë ishin njerëz të bekuar nga Zoti, ndërkohë që Napoleon Zerva bekonte krimet e tij me priftërinjtë që e shoqëronin në çdo hap. Është kjo një kujtesë dhe një mesazh për kontributin amerikan për lirinë dhe demokracinë në botë që e dëgjoj ashtu siç im atë vite e vite të shkuara, që fatkeqësisht,e dhe pse antifashist i kampeve të përqendrimit gjerman që shpëtoi gjallë, por që nuk u lejua të shkonte në shtëpinë e tij në Filat, ashtu si shumë antifashistë të tjerë dhe familjet e tyre. Me keqardhje konstatoj se në vendin tonë nuk ka asnjë memorial përkujtimi për sakrificat e mijëra shqiptarëve që u internuan në kampet e përqendrimit italian dhe gjerman. Po ashtu edhe vetë hebrenjtë nuk kanë bërë asnjë investim në vendin ku shpëtuan gjallë dhjetëra izraelitë. Përkundër tyre, grekët nderojnë kriminelët.