HEC-et e vegjël: Kundër qeverisë për ndryshimin e formulës së blerjes së energjisë

Të grupuar në Shoqatën për Energjinë e Rinovueshme, AREA, ata e kanë kundërshtuar atë duke pohuar se janë pikërisht 61 kompani dhe 40 investitorë, që rrezikohen nga vendimi, i cili parashikon një ulje me 30% të çmimit me të cilin Korporata Energjetike Shqiptare ble energjinë e prodhuar nga hidrocentralet e vogla private dhe me koncesion deri në 15 mv.

Duke shtuar se janë 250 milionë euro investime që preken nga kjo lëvizje e qeverisë, 70 vepra hidrike, me një kapacitet  prodhues prej 200 mv.

Kujtojmë sakaq se pak ditë më parë, qeveria miratoi formulën e re të blerjes së energjisë nga HEC-et deri në 15 mv.

Sipas këtyre ndryshimeve, “Për koncesionet e hidrocentraleve deri në 15 mv, në kontratë përfshihen kushtet e përgjithshme apo të veçanta për shitblerjen e energjisë. Kur e kërkon koncesionari, operatori i energjisë elektrike që është ngarkuar me këtë detyrim detyrohet ta blejë energjinë elektrike të prodhuar nga këto hidrocentrale nëpërmjet një kontrate afatgjatë.

Çmimi i shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e shpërndarjes dhe çmimi i shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike do të llogaritet çdo vit nga Enti Rregullator i Energjisë e do të shpallet prej tij në fillim të çdo viti, në bazë të formulës së mëposhtme:

Çmimi shitjes (lekë/kvh) = Çmimi mesatar i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent /këh X koeficientin 1.1 (kur është i aplikueshëm) X normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit.

Teksa më parë, KESH-i ua blinte energjinë HEC-eve private me çmim të favorizuar, 10% më të lartë sesa tregu, çka kishte krijuar një barrë të rënduar financiare për KESH. Nga ana e tij KESH u detyrohet hidrocentraleve private rreth 50 milionë euro pagesa të prapambetura, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.

SHKARKO APP