Heshtja e Bashës pas daljes nga çadra dhe listat e minutës së fundit

Nga Ardit Rada

Një opozitë që duhet të ishte e gatshme të hynte në zgjedhje një orë e më parë po vijon të tregojë të kundërtën. Pas qëndrimit në çadër për rreth 3 muaj, Lulzim Basha vijon të heshtë që prej datës 13 Maj. Orët e fundit të afatit për regjistrimet në KQZ të opozitës po mbajnë në ankth aleatët, por edhe emrat e rinj e të vjetër që synojnë Kuvendin.

Lulzim Basha ka plot 12 ditë që nuk ka asnjë dalje publike, përveç deklaratave të shkurtra të shpërndara me postë elektronike mediave. Kreu i opozitës ka një trilemë për të zgjidhur, të cilës duhet t’ia kishte gjetur përgjigjen me kohë.

Së pari, kreu i PD duhet të përmbushë kërkesat e ish-kryeministrit Berisha, duke vendosur njerëzit e këtij te fundit në lista fituese. Së dyti, Lulzim Basha duhet të garantojë emrat e prurjeve të tij. Së treti, duhet të marrë një vendim për kritikët në PD, që me gjasë do të ketë sjelljen sikurse Berisha me ata që e sulmonin politikisht brenda partisë.

Lulzim Basha po hyn në zgjedhje me një listë kandidatësh dhe me një marrëveshje me aleatët të vendosur në minutat e fundit. Kjo tregon shumë për seriozitetin e një liste të hartuar në minutat e fundit, por edhe të mungesës së një projekti paraprak për vendin.

Pas 3 muajsh qëndrimi në çadër, kreu i opozitës duhej së paku të kishte listën e kandidatëve për deputetë gati, por pse jo edhe një kabinet pretendent ministrash. Të paktën, këtë bëri Berisha në zgjedhjet e 2005 ku përmes KOP-it shumë përpara rezultatit të zgjedhjeve, bëri të ditur edhe prurjet e reja në krye të dikastereve. Por kjo, gjithmonë nëse Basha vërtetë beson se do të jetë zgjohet fitues më 26 Qershori.

Në fakt dalja nga çadra pordhoi gjë tjetër veç koordinatorëve të PD-së nëpër rrethe dhe 6 emra minstrash 30-ditorë. Basha doli nga çadra dhe është mbyllur në zyrë për të bërë për 12 ditë punën si kryetar partie që nuk e bëri në 3 muaj. /javanews

SHKARKO APP