Heshtje ndaj dramave të mëdha?

Nga Fahri Dari

 (Disa sqarime lidhur me intervistën e Z. Papandreu)

Askush, a dikush foli dhe i krekosur, por me zemër të lënduar, donte të tërhiqte vëmëndjen e atyre që dje, apo pardje e duartrokisnin, e pranonin për ti udhëhequr, por sot ai i penduar për ato që duhej të bënte dhe nuk i bëri, sepse mendonte se gjithkush a gjithçka e folur apo e bërë prej tij ishte vetëm cilësi e mënçurisë së tij dhe vetëm e tij. U pasurua moralisht me idenë se askush nuk partnerizohej dot me ‘të, sepse duke qenë në ofiqe të larta për disa dekada, truri molepset, mendja rritet si hunda tek “Pinoku” dhe pastaj vjen urimi shkodran:”të hyftë vedi në qef”, urim i cili të duket se të rrit vlerat, por në të vërtetë tregon fundin e rrugëtimit të kapadaillëkut, mendjemadhësisë dhe “mënçurisë”.

         Kur ngjiten shkallët hierarkike, sidomos nga politikanët, vërshojnë mediat e të gjitha llojeve, vrapojnë kush e kush ti ngrejë sa më lart, citohen fjalët e thëna prej tij, qoftë edhe vend e pa vend, do nuk do, stisen lavde të merituara apo të pamerituara dhe nji individ na bëhet i mënçur, na bëhet Pitagor, Herodot, Aristotel, Strabon, e ç’far nuk bëhet. Vitet ikin, thëniet gjithashtu, meritat transferohen dhe transformohen, bota rrotullohet, riciklohen gjerat, rrotacioni ecën i sigurtë drejt së ardhmes dhe ai që foli dje, megjithëse nuk tha asgjë, sepse të tjerë para tij i kanë thënë e stërthënë, i kalon historisë, për mirë apo për keq pak rëndësi ka.

         Historia është e shkuara dhe njerëzit në të vërtetë, ata që e kuptojnë seriozisht historinë, mendoj se duhet ta ndajnë në dy pjesë:

        • historia e shkuar që objektivisht nuk mund të kthehet prapa dhe,

        • historia e shkuar që subjektivisht është objektivisht e detyruar të kthehet prapa dhe të ndreqet sepse është bërë e gabuar.

         Kur je “Prostat”, nuk të bie ndër mend të mendosh për të shkuarën, ta analizosh atë dhe të nxjerrësh mësime, të nxirren shkaqet e vërteta të tragjedive, traumave që ka kaluar populli i yt, ose që populli yt u ka shkaktuar popujve të tjerë fqinj, ose edhe far e fis në historinë e lashtë. Sigurisht nuk duhet patjetër të jesh “prostat” për të analizuar dramat dhe tragjeditë e së shkuarës të largët apo të afërt, sepse si “prostat” u a delegon historianëve, sociologëve, gramatikojnjëve, shkrimtarëve, institucioneve serioze shtetërore apo dhe atyre jopublike, për të nxjerrë me vërtetësi, paanshmëri shkaqet e plagëve të rënda që vazhdojnë të lëngojnë edhe në ditët e sotme, domethënë edhe në periudhën që ti je “prostat”, plagët e pashërueshme që rëndojnë thellë, shumë thellë në shoqërinë tënde, plagët që u shkaktuan brenda komuniteteve të shoqërisë greke dhe brenda territorit të saj shtetëror.

         Jo, askush nuk duhet të pengojë për të studiuar dhe analizuar shkaqet e tragjedive të popujve, për më tepër brenda territorit shtetëror dhe akoma më keq të kryera nga vetë shteti kundër shtetasve të tij. Tashmë nuk ka ngelur asgjë e errët nga shkaqet dhe pasojat e tragjedisë, gjenocidit që shteti grek kreu ndaj pakicave kombetare gjatë dhe pas luftrave ballkanike, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, kanë dale shkaqet dhe dihen pasojat, janë bërë analiza e studime, janë çfletuar dokumentat zyrtare shtetërore dhe konfidenciale, ushtarake dhe gjyqësore, kishtare e civile, kanë shkruar historianët mercenarë dhe historianët e vërtetë, kanë folur akademikët, pedagogët, gramatikonjtëdhe shkrimtarët me emër në Greqi dhe më gjërë, për ato tragjedi të pamerituara dhe janë cilësuar si “turpi më i madh i Greqisë”.

          Megjithatë, mire është të përmenden shkurtimisht disa nga teoritë e ndryshme që janë përdorur nga pala greke, për të justifikuar masakrat dhe dëbimin e çamëve nga trojet e tyre. Nisur nga strategjitë greke, “ku në tokën greke nuk ka vend për jogrekët”, nisën të vepronin teoritë e ndryshme armiqësore ndaj çamëve.Teoritë para masakrave i trajtonin Çamët se ishin turq, nuk ishin autoktonë por të ardhur në kohën e Perandorisë Osmane. Gjatë luftës së Dytë Botërore, sipas rastit, pala greke çamët i prezantonte tek gjermani si komunistë, duke siguruar përkrahjen për masakrat e zervistëve ndaj çamëve, ndërsa tek angloamerikanët i prezantonte si pronazistë, duke siguruar prej tyre përkrahjen si për masakrat dhe dëbimin masiv të çamëve nga vendi amë. Ndërsa mbas shpërnguljes, teori të tjera zëvëndësuan ato të parat dhe gjatë eksodit, por tashmë teoritë ishin më të qarta dhe mbizotëruese, mbështetnin teorinë e origjinës greke të çamëve myslimanë.

Shkaqet e zëvëndësimit të teorive ishin të domosdoshme për të provuar se të gjitha tokat që përbënin Çamërinë, kishin qenë në fakt të banuara nga grekët, pra çamët duke qenë se ishin autoktonë, fakt që nuk mund të fshihej apo të fshehej, na dolën si grekë të lashtë, dhe duke qenë ashtu rezultonte se i gjithë territori i Çamërisë, kishte nji histori thjeshtë greke, si i tillë, shuheshin ambicjet nga shtetet kundërshtare për pretendime territoriale. Toka e Çamërisë mbetej historikisht tokë greke. Përcaktimet për çamët pas eksodit, po lejonin vendosjen e origjinës së tyre në Thesproti duke i konsideruar: ”Grekët e lashtë (lexo çamët e lashtë) që tradhëtuan kombin e tyre me konvertimin në islam në shkallë të parëdhe duke identifikuar veten me nji komb alien në sekondë”.

Ndyshimi i qëndrimit grek mbas eksodit duhej mbasi:”Territori u pohua përmes popullsisë së saj, e cila në e pokën e parimit të kombësive u bë qasja normative”. Pra çamët, banorë autoktonë në Thesproti, nuk mund të ishin të etnive të tjera por vetëm greke, ndryshe humbte territori. Por me që ata u konvertuan në islam dhe u deklaruan etni jogreke, për shtetin dhe kishën Greke, nuk mund të jetonin në vendin e grekëve. Shkurt kjo ishte arësyeja që çamët u vranë, u therën, u përdhunuan, u çpronësuan dhe u dëbuan nga Thesprotia, vend i tyre autokton.

Është folur, thënë e shpifur shumë dhe vazhdimisht, sikundër edhe është heshtur për atë tragjedi, por asnjiherë pala greke nuk ka dashur të largohet nga të pavërtetat. Në vitin 1926 foli dikush, apo askush për të vërtetat e shqiptarëve dhe njohu pakicën etnike shqiptare të çamëve, por grushti i shtetit i theu kërbishtet. Foli sot dikush apo askush se çështja çame ishte nji ngjarje e dhimbshme për të dyja palët, por mbeti jashtë parlamentit grek. Foli se i duhej për të siguruar vota, apo foli se e bren ndërgjegjja e brendshme, siç e ka çdo grek i ndershëm, këtë e di ai. Ndofta foli për të rrëfyer të vërtetën, e cila nuk fshihet dot, as nuk shuhet dot, foli për të pastruar shpirtin para Zotit! Nuk e di është e drejta e tij.

         Vetëm ju, “Prostatët” 100 dhe 70 vjeçarë nuk keni folur, nuk keni dashur të flisni, nuk keni kurajon civile për të denoncuar paraardhësit tuaj “Prostatët e viteve 1920 – 1944”, të cilët ju kanë lënë damkën më të zezë në historinë e kombit grek, atë të kryerjes se gjenocidit ndaj çamëve myslimanë të Thesprotisë (pa përmendur këtu edhe tragjeditë me pakicat e tjera kombëtare që ishin brenda territorit të Greqisë të pas 1918-tës), por njëri pas tjetrit vraponi të deklaroni, duke mohuar nji realitet të padiskutueshëm ekzistence se:“Çështja Çame nuk ekziston”.

         Si duhen kuptuar deklarimet e mos ekzistencës të nji ekzistence të pa mohueshme? Nga ana tjetër si duhen zbërthyer thëniet që:“Së pari, kjo është një çeshtje historike, e cila ka qënë shumë e dhimbshme për të dyja palët. Gjëja e parë që ne duhet të bëjmë fillimisht është ajo, se ne nuk duhet të ndahemi dhe të krijohen shumë probleme dhe shumë dhimbje për të dyja palët…”.

          Kur thuhet historike besoj duhet nënkuptuar që të mos kërkohet kjo çështje, pra të mbyllet njiherë e përgjithmonë, se sipas z. Papandreu na qenka e vjetër, kanë kaluar shumë breza etj. E supozojmë se “Çështja Çame“ na qënka e vjetër dhe le të mbetet vetëm si histori. Po cili është qëndrimi që duhet mbajtur ndaj “Çështjes së Vori-Epirit” që ka lindur si term në vitet e para të shekullit të kaluar, pra nga vitet 1914 deri në vitin 1918, i cili kërkohet vazhdimisht nga shteti Grek, diplomacia greke, deputetë, parti politike, institucionet ushatrake etj. megjithëse është më i vjetër se “Çështja Çame”, mbasi gjenocidi ndaj Çamëve është i vitit 1944, dmth pas 30 vjetësh. Po ligji i Luftës, megjithse ështëkatër vjet

mëi vjetër se ”Çështja Çame”, pse nuk thuhet se kanë kaluar shumë breza, pra qënka vjetëruar dhe të hiqet si i tillë?. Pse “Çështja Çame”, megjithëse nuk ka të përbashkëta me “Vori-Epirin” [mbasi çështja e parë është gjenocid, vrasje dhe çpopullim masiv i pajustifikuar i banorëve autoktonë; ndërsa çështja e dytë është çështje ekspansionizmi, etnoracor dhe ndërhyrje në hapësirat territoriale të nji vendi tjetër], duhet të karfoset (kyçet) në histori dhe të mos mbetet çëshjte që kërkon zgjidhje, kurse problemi fantazmë i “Vori-Epirit” na tundet si shkop herë-pas here kur e duan interesat greke?    

          Ndofta Z.Papandreu nuk ka informacion, ose ashtu ja do mideja kur thotë se: “…. e cila ka qënë shumë e dhimbshme për të dyja palët..”. I bindur se autori është i informuar për të vërtetat e “Çshtjes Çame”, por me që na e paraqet dhimbjen për të dyja palët, po e sqaroj me shumë sinqeritet dhe me vërtetësi se gjenocidi grek, ishte vërtet ngjarje shumë e dhimbshme, por ishte vetëm për palën çame myslimane, ajo u ther, u vra, asaj iu rrëbyen pasuritë e tundshme e të patundhshme, ajo u dëbua dhunshëm nga Thesprotia, vendi amë. Pra ajo ka ndjerë dhe ndjen shumë dhimbje; ndërsa pala greke (me që autori i quan palë) nuk ndjeu dhimbje, sepse çamët myslimanë që u gjenden përballë gjenocidit grek, nuk vranë, as nuk shkuan në territoret e tjera të shtetit grek, ata ishin në vendin e tyre, jetonin në trojet dhe shtëpitë e tyre, ishin atje kur erdhën “zervistët”e andartët grekë që i masakruan dhe i dëbuan.

           Dhimbja ishte dhe mbetet dhimbje mbi dhimbje e komunitetit çam; ndërsa pala greke nuk pati dhimbje, ajo ka shijuar dhe shijon të mirat materiale që i siguroi duke i shkaktuar dhimbje mbi dhimbje palës çame myslimane të krahinës së lashtë të Thesprotisë.

           Nuk mund ta anashkaloj edhe të shprehurit e autorit se:”……Ne tashmë jemi shumë breza larg asaj dhe duhet ta shikojmë nga këndvështrimi historik nën dritën e marrëdhënive të reja shqiptaro-greke. Ne nuk duhet të ndezim flakën e dhimbjeve dhe plagëve të së shkuarës, por natyrisht ne duhet të mësojmë prej tyre, pra siç theksova jo t’i hedhim zjarrit bernzinë. Duhet të shohim dhe çështjet ligjore. Nga eksperienca ime, Greqia gjithmonë ka thënë që këto çeshtje mund të dërgohen në Gjykatën e të Drejtave të njeriut, për të cilat Greqia ka qënë gjithnjë një zbatuese e rregullt e vendimeve të kësaj gjykate”.

           Tragjeditë, dramat e kobshme që u shkaktohen pakicave kombëtare, mendoj se nuk mund të harrohen e të mbyllen me largësinë e brezave, megjithatë edhe po të vendoset kështu, dëshiroj t’i bëj të ditur zotërisë se “Çështja Çame” nuk mund të klasifikohet: ”….jemi shumë breza larg asaj…”, sepse unë që po shkruaj isha 6 vjeç kur u dëbuam nga dhéu ynë, jam i brezit që kam parë me sytë e mi tmerret e masakrave greke ndaj njerëzve të pafajshëm çamë, vetëm e vetëm se ishin të nji etnie dhe besimi tjetër nga sa e dëshironte kisha greke. Ma do mendja se edhe z. Papandreu i takon atij brezi dhe të dy jemi gjallë, prandaj nuk ka vend shprehja: ”jemi shumë larg asaj…”.

           Është pa dyshim i pranuar mendimi i Z. Papandreu:”….Ne nuk duhet të ndezimflakën e dhimbjeve dhe plagëve të së shkuarës, por natyrisht ne duhet të mësojmë prej tyre, pra siç theksova jo t’i hedhim zjarrit bernzinë”.

            Komuniteti çam asnjiherë nuk është nisur për të krijuar zjarre as me benzinë, as me dru dhe as me armatime të llojeve të ndryshme, por komuniteti çam si atëhere kur ishte nëvendin e tij dhe vazhdimisht ka kërkuar dhe kërkon nga shteti Grek të reflektojë duke korigjuar të kaluarën, të njohë të drejtat e patjetërsueshme të komunitetit çam, të njohë masakrën e kryer ndaj tij.

            Së fundi lidhur me mendimet e Z. Papandreu se: “…..Duhet të shohim dhe çështjet ligjore. Nga eksperienca ime, Greqia gjithmonë ka thënë që këto çeshtje mund të dërgohen në Gjykatën e të Drejtave të njeriut, për të cilat Greqia ka qënë gjithnjë një zbatuese e rregullt e vendimeve të kësaj gjykate”.

             Nuk dshiroj dhe as nuk dua tëzgjatem në tëvërtetat e gadishmërisë se Greqisë për zbatimet e vendimeve të Gjykatave Ndërkombëtare, se do duhej shumë kohë dhe janë të njohura qëndrimet e shtetit grek për mos zbatim tëtyre ndaj komunitetit çam, gjatëgjithë periudhës nga viti 1913 që Thesprotia kaloi në anën greke e deri në vitin 1945; por po e marr në konsideratë prononcimin e tij se e pranon dhe e njeh “Çështjen Çame” dhe rekomandon që çështja të zgjidhet në rrugë ligjore.

            E falenderoj zotin Papandreu për pozicionin dhe rekomandimin ndaj “Çështjes Çame”, i cili sugjeron që çështja të dërgohet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut (në mos qoftë nji deklarim elektoral). Kam besim se shteti Grek do ta marrë në konsideratë sugjerimin e Zotit Papandreu, si nji nga figurat mëtëlarta shtetërore dhe politike greke, dhe do të japë pëlqimin (okejn) që “Rezoluta për Zgjidhjen e Çështjes Çame”, të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

            Përfundimisht mbas 70 vjetësh po merret nji okej nga përfaqësues tëlartështetëror dhe politik grekë; ndërkohë presim të bëjnë punën e tyre shteti Shqiptar me institucionet përkatëse, me Ministrinëe Punëve të Jashtëme si dhe Partitë politike parlamentare për të bashkëpunuar me shtetin Grek dhe me institucionet ndërkombëtare.            

SHKARKO APP