Hetimet, Prokuroria shkresë BSH për kartmonedhat e vjetra

Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë t’i vërë në dispozicin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për periudhën 2010 -2014, për të verifikuar mënyrën se si ka proceduar ky institucion për nxjerrjen jashtë përdorimit të kartmonedhave të e vjetra.

Kërkesa ka ardhur pas hetimit të nisur nga njësia Task-Force pas kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Aktualisht me çështjen janë duke hetuar dy prokurorë dhe dy oficere të policisë gjyqësorë, të cilët janë pajisur  fillimisht edhe me çertifikatë sigurie pasi këto të dhëna konsiderohen sekret shtetëror dhe ekonomik.

Madje mësohet se grupi i hetuesve kanë marrë kontakt edhe me stafin juridik të bankës dhe drejtues të administratës që kanë lidhje me këtë çështje.

KLSH akuzon Bankën e Shqipërisë për mënyrën se si ka bërë nxjerrjen nga tregu të kartëmonedhave të dëmtuara në harkun kohor nga viti 2010 deri në vitin 2014.

KLSH pretendon në raport se bankat e nivele të dytë ua kanë blerë qytetarëve kartëmonedhat me 80 % të vlerës së tyre, ndërsa Banka e Shqipërisë ia ka blerë bankave të nivelit të dyte me 100 % të vlerës.

Diferenca prej 20%, -thotë KLSH në kallëzim, është përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga bankat. Dëmi i shkaktuar është rreth 4 milion euro.

Prokuroria e ka regjistruar kallëzimin penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Burimet thonë se do verifikohen veprimet e personave që kanë drejtuar bankën e Shqipërisë ne atë periudhë dhe së shpejti do të nisë marrja e tyre në pyetje.

Ndërkohë në lidhje me këtë hetim, pak kohë më parë Komisioni i Ekonomisë ka bërë më dije se do të bëjë ndryshime ligjore në mënyrë që të mos këtë hapësirë për abuzime.

SHKARKO APP