Hetimi i pasurive të doganierëve është veç maja e ajsbergut
Nga Xhovani Shyti
“Doganieri më i varfër ka një supershtëpi të supermobiluar, doganieri më i pasur nuk e di as vetë çfarë pasurie ka”.Më erdhi nëpër mënd kjo sentencë, kuptimi i të cilës, në fakt, mund të jetë po aq atributiv, sa për punonjësit e doganave, edhe për ata të tatimeve, edhe për ata të drejtësisë, të policive e drejtorët e burgjeve, edhe për drejtorë, ministra, kryeministra etj., ndërsa lexoja lajmin se dy titullar institucionesh të rëndësishme nënshkruan një marrëveshje që, ndër të tjera, i hap rrugë edhe hetimit të pasurive të doganierëve. Kjo marrëveshja përmbledh edhe paktin për hetimin e të gjithë punonjësve doganorë, të cilët kanë shërbyer në këtë sektor të rëndësishëm të administratës shtetërore.
Firmosja e paktit përmban detyrimin ligjor sipas të cilit e gjithë administrata doganore do të hetohet për fshehje pasurie dhe konflikt interesi, ndërsa doganat angazhohen të bashkëpunojnë me ILDKPKI në dhënien e informacionit të kërkuar. Drejtorja Spiropali ka bërë të ditur se marrëveshja bëhet me synim marrjen e masave displinore ndaj personelit doganor. “Ky nivel bashkëpunimi është në kohën e duhur, në mënyrë që ndaj të gjithë zyrtarëve që do të gjenden në shkelje të ligjit, përvec kallëzimit penal në organin e Prokurorisë, të merren masa administrative me largim nga puna”, ka qenë deklarimi i drejtuesit të Inspektoriatit Shkëlqim Ganaj, i cili ka bërë me dije, gjithashtu, se këtë vit ILDKPI do të fillojë kontrollin e punonjësve të administratës doganore nga viti 2003. Mirëpo pse pikërisht nga viti 2003?
Përmbajtja e lajmit, sigurisht që është i admirueshëm, pasi nisma e dy titullarëve rreket të pastrojë diçka nga pasurimi abuzivist i punonjësve të doganave, vendosja e pasurive të të cilëve nëpërmjet ushtrimit të korrupsionit nuk është kohësisht segmentar. Nuk fillon në vitin 2003, por shumë më herët për të qenë kulminant përgjatë periudhës kohore 1996-2001, kur vjedhjet e abuzimet bëheshin aq hapur sa u pataksën edhe përfaqësuesit ndërkombëtar të tipit Natali Çea, të atashuar pranë qeverive shqiptare. Duam të themi me këtë se viti dysheme që ka vendosur ILDKPI në axhendën e hetimit prioritar 2015, nuk është më i shqueshmi në sferën e abuzivizmit dhe korrupsionit doganor. Ai daton me qeveritë e para paskomuniste “Meksi 1” dhe “Meksi 2”. Përfshin kontrabandën e naftës me ish Jugosllavinë, tonelatat e litrave të të cilës e kalonin traun doganor me këtë ish-republik ditën për diell, duke thyer madje edhe embargon e OKB, për të vazhduar qenien prezente në gjithfarë lloj aktivitetesh të sferave të tjera të jetës, që kalonin nëpërmjet traut doganor. Nga ky kontrabandim, nga ky korrupsion, nga këto veprimtari anti-ligjore përveç doganierëve të thjeshtë, zyrtarëve titullarë etj., kanë përfituar edhe shumë zyrtarë titullarë e “ushtarë” të thjeshtë, jashtë kësaj sfere. Kanë përfituar e janë posedues pasurish të padeklaruara e të pahetuara ministra, zëvenëdsa, drejtues bankash, partish politike e OJF-OJQ-sh, drejtorë drejtorish, kryetar bordesh, drejtues institucionesh kontrolluese, hetuese, gjykuese e që mbajnë në ruajtje të burgosur, apo dhe drejtues institucionesh mediatike etj., Pse jo dhe kryeministra, apo trastaxhinj të tjerë, të cilëve gjithashtu, u shkon për shtat po e njëjta sentencë e atribuar doganierëve.
Sentenca që kumton po të njëjtën përmbajtje, për gjithsecilin prej tyre. Pra që: “…Më i varfri ka një supershtëpi të supermodeluar, më i pasuri nuk e di ç’pasuri ka”. Me çfarë i kanë bërë, me çfarë i kanë vënë, ku i kanë gjetur? Ja pse hetimi i pasurive të doganierëve është shumë pak, kurse ai i hetimit të gjithë shqiptarëve i domosdoshëm.
*Autori është Kryeredaktor i “shtypi.net”.