Hetimi i SPAK ndaj AKSHI, Rama për Karçanajn: Duhet pritur fjala e drejtësisë, jo gjykimi politik
Kryeministri Edi Rama ka komentuar situatën e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën hetim nga SPAK dhe ndaj së cilës është vendosur masë sigurie.
Gjatë podcastit të tij “Flasim”, Rama u shpreh se akuzat ndaj Karçanajt janë të rënda, por theksoi se verdikti duhet të vijë nga organet e drejtësisë dhe jo nga, siç u shpreh ai, debatet dhe sulmet politike.
Sipas kryeministrit, Karçanaj ka drejtuar AKSHI-n për 12 vite me radhë me profesionalizëm, dije dhe përkushtim, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në procesin e digjitalizimit në vend.
“Duhet pritur që drejtësia të flasë dhe jo gjykimi nga ‘tenxheret e çorbës politike’. Cilado qoftë e vërteta, ajo duhet të dalë në fund nga institucionet përgjegjëse”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se nën drejtimin e Karçanajt dhe falë punës së stafit të AKSHI-t, Shqipëria ka shënuar një përparim të madh në zhvillimin e shërbimeve digjitale dhe modernizimin e administratës publike.
KOHA JONË SONDAZH

