Hidhet shorti/ Ja kush janë 8 gjyqtarët që do kenë në dorë fatin e zgjedhjeve

Pasi kreu i shtetit Bujar Nishani dekretori 18 qershorin si datën e zgjedhjeve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë përzgjodhi sot 8 (tetë) gjyqtarët që do të përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Ata janë:

1- Artur Malaj
2- Tomor Shkreli
3- Ridvan Hado
4- Shkëlqim Mustafa
5- Gjin Gjoni
6- Astrit Kalaja
7- Sotiraq Lubonja
8- Lindita Sinanaj

Emrat e disave prej tyre nuk janë të panjohur për publikun. Ndërsa Ridvan Hado njihet si kryesues i dosjes Gërdeci në Gjykatën e Tiranës, Shkëlqim Mustafa ishte në trupën e gjyqtarëve që i dha pafajësi ish-Guvernatorit Ardian Fullani. Astrit Kalaja ka qenë pjesë e Kolegjit në vitin 2009, ndërsa Gjin Gjoni u bë i njohur në 2015-ën, kur u akuzua për fshehjen e pasurisë, por që u shpall i pafajshëm me procedurë.

Kujtojmë se këta 8 gjyqtarë do kenë në dorë fatin e “zgjedhjeve”, të ankesave të partive, për zona apo kandidatë të ndryshëm. Themi këtë pasi edhe në vitin 2011 ishte Kolegji Zgjedhor ai që i dha fitoren Lulzim Bashës, pasi vendosi të numërojë votat e hedhura gabim në kuti. Mund të paraqitet sërish e njëjta situatë.

Gazetarja Klodiana Lala bëri me dije se hedhja e shortit ishte e hapur për publikun. Para nisjes së hedhjes së shortit u përjashtuan 2 gjyqtarë, Meriban Kita dhe Fiqerete Mullai, për shkak të moshës afër pensionit, duke lënë në garë 90-të të tjerë, prej të cilëve vetëm 8 do kenë në dorë fatin të certifikojnë zgjedhjet e 18 qershorit 2017.

Të pranishëm gjatë hedhjes së shortit ishin përfaqësuesit e 5 partive parlamentare, ndërsa mungonin përfaqësues nga PR e PBDNJ-ja.

SHORTI
Në shortin që u hodh nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve, që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë, u përfshinë emrat e 92 gjyqtarëve të të gjitha gjykatave të apelit të Republikës së Shqipërisë.

Jo më vonë se 48 orë pas daljes së dekretit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpall publikisht dhe boton në të paktën tri gazeta me tirazhin më të madh datën, orën dhe vendin ku do të hidhet shorti dhe u dërgon partive parlamentare listën e gjyqtarëve që do të përfshihen në short. Shorti hidhet në praninë e publikut, përfaqësuesve të partive politike, koalicioneve dhe të medias.

Shorti zhvillohet duke tërhequr emrat e tetë gjyqtarëve nga kutia e shortit. Para fillimit të tij, të pranishmëve u jepet mundësia të këqyrin kutinë e shortit dhe emrat e gjyqtarëve të futur në të. Pas këqyrjes, nxirren tetë emra nga kutia. Ata përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë dhe delegohen në detyrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë menjëherë pas hedhjes së shortit. Brenda 24 orëve nga përzgjedhja e tyre me short, të tetë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë bëjnë betimin në një ceremoni publike, në prani të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nën drejtimin e Presidentit të Republikës.

SHKARKO APP