Histeria e sulmeve ndaj presidentit

Nga Çerçiz Loloçi

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka disa ditë që është vënë nën trysninë e sulmeve kryesisht të maxhorancës, por edhe të ashtuquajturve analistë të pavarur. Preteksti i parë për sulm ka qenë propozimi nga Ministria e Jashtme për ambasador në Vatikan të poetit Visar Zhitit, propozim ky që ka marrë vota unanime në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, por që ka brenda tri problem jo të vogla. Visar Zhiti, shkrimtar dhe publicist i njohur, ish i burgosur politik, është pjesë e emërtesës së lartë të opozitës së sotme, ndër të tjera deputet, diplomat dhe ministër i Kulturës i Partisë Demokratike, çka do ta zgjidhte nëse do të ishte një karakter jo i dobët që në krye të herës mospranimin për postin e ambasadorit në Selinë e Shenjtë.

Problemit tjetër që e di po aq mirë diplomati Zhiti, sa edhe propozuesit qeveritarë deri te kryeministri aktual, deputetët e majtë dhe të djathtë, është se asnjë ambasador nuk mund të shkojë në një vend tjetër pa marrë prej tij agrimentin, apo thënë më qartë pranimin në shtetin ku do të ushtrojë funksionet diplomatike.

Fakti që një drejtues i kishës ipeshknore shprehet publikisht kundër kësaj kandidature, do të thotë as më shumë dhe as më pak që ai të zëvendësohet me dikë tjetër, për të mos cenuar marrëdhëniet shumë të mira të Republikës së Shqipërisë me shtetin e Vatikanit. (Habia më e madhe rreth kësaj kandidature ka qenë qëndrimi i deputetëve demokrat të në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, të cilët lypset të ishin kundër dhe jo unanim me Ministrinë e Jashtme duke shpëtuar në këtë mënyrë edhe shfrymin e Visarit ndaj Selisë së Shenjtë).

Problemi i tretë është se zoti Zhiti, ashtu si edhe shumë ambasadorë të tjerë, megjithëse dekretohen nga Presidenti i Republikës, nuk konsultohen me këtë institucion, çka e zerojnë krejt këtë proces dhe të gjitha propozimet i çojnë në mosmiratim. Historia e krisjes apo e përplasjes së maxhorancave të radhës me presidentin e radhës nuk është e re për shtetin e brishtës shqiptar. Maxhorancat shqiptare të postë nëntëdhjetës apo më saktë kryeministri i radhës arkivon jo pak shembuj të përplasjeve deri te skandalet diplomatike, jo vetëm kur qeverisja është e majtë dhe presidenti është i djathtë, por edhe në rastin kur të dy këto institucione kanë qenë nga e njëjta force politike. Por shqetësimi nuk është këtu, është më i thellë, pra te pamundësia e klasës sonë politike majtas dhe djathtas, për të ndërtuar institucione që respektojnë njeri-tjetrin dhe funksionojnë në dobi të popullitshqiptar dhe jo të kapriçove personale. Pesë-gjashtë mandate presidenciale apo tetë-nëntë mandate kryeministrore janë të mjafta që këto dy institucione të ishin më funskionale dhe më të përgjegjshme në një mori problematikash që ka aktualisht shoqëria shqiptare. Dhe në këtë histori nuk mungojnë dhe qëndrimet e pafytyra të një pjese të shtypit apo të opinionistëve, që megjithëse kanë familjarë shumë të afërt në strukturat qeverisëse të maxhorancës aktuale, i bashkohen korit të sulmit denigrues ndaj institucionit të presidentit. Nuk është turp dhe as herzi që media dhe televizione të jenë afër pozitës apo opozitës, por paturpësia qëndron kur pronarë dhe ‘elitë analistësh’ të rreshtohen si të pavarur dhe të pandikuar nga dy forcat kryesore politike!

Preteksti i dytë për sulmin e paprecedentë ndaj Presidentit të Republikës është një copë truall në Elbasan, në të cilën është ndërtuar e vetmja kishë katolike, por që në fakt është prone edhe e bashkëshortes së z. Bujar Nishani. Ligjërisht dhe me proces gjyqësor të rregullt në të gjitha shkallët e gjykimit, prona i është kthyer trashëgimtarëve të familjes Karaosmani, por faktikisht mbi këtë truall është ngritur një kishë katolike. Një zgjidhje e shpejtë dhe e pabujshme do të ishte zgjidhja e këtij konflikti me marrëveshje mes trashëgimtarë edhe kishës katolike, por ka edhe zgjidhje të tjera që nuk justifikojnë përbaltjen ndaj institucioneve që është në fakt një përbaltjen ndaj të gjithëve ne, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.

SHKARKO APP