Historia e një vajze të dhunuar

Nga Hyqmet Zane

Gjatë punës në media më ka mbetur e pashlyer njëra nga ato histori të dhimbshme që do të doja të rrëfeja si një e papërsëritshme në llojin e vet. Sapo kishte kaluar i 14 shkurti i të dashuruarve dhe në një moment bie zilja e telefonit të studios së televizionit . E kap dhe dëgjoj një zë femre përtej linjës. U sigurua që ishte televizioni ynë dhe më thotë; “Sa bukur i thua ato fjalët në kronika dhe në specialet që bën, por realiteti nuk është vetëm ashtu, ndaj fol edhe me ata që kanë përjetuar drama nga këto ditë që vetëm në fjalë kanë dashuri se në vepra kanë tragjedi e drama të papërsëritshme”. U shokova nga fjalët që thuheshin përmes lotëve dhe e pyeta se cila ishte. Nuk mu përgjigj, por shpërtheu edhe më shumë në dënesa dhe e mbylli recepsorin.

Nuk e kuptova se cila ishte, mu duk si në një ëndërr ato pak fjalë dhe nuk dija si ta nxirrja numrin, por e dija që telefoni ynë ishte në përgjim. Kontaktova me një mik në Telekom dhe ma gjeti numrin. Me shumë dyshim dhe droje i rashë atij telefoni një ditë tjetër dhe më doli i njëjti zë femre. Menjëherë më pyeti se cili isha. I thashë që jam ai personi që keni marrë ju në televizion. Më kërkoi ndjesë me mirësjellje dhe më tha se ishte shumë e indinjuar dhe pa dashur e kishte mbyll bisedën atë ditë. E besova dhe i kërkova që të mund të takoheshim. Me shumë mundim më tha se do vinte vetë një ditë. Vërtet, ashtu ndodhi, kaluan ditë dhe kur një koleg më thotë se të kërkojnë. Dola dhe pashë një femër goxha të pamshme, me sy të shkruar dhe me një lidhje flokësh të veçantë që e bënin shumë të hijshme. Detyrimisht që pranova dhe u gjenda si i papërgatitur për ta inçizuar atë bisedë jo vetëm pse nuk kisha asnjë kameraman aty, por edhe se ajo nuk pranoi të filmohej. Historia e saj është një nga historitë e shumta të vajzave dhe grave të dhunuara, të cilat kanë besuar në dashurinë e personit me të cilin janë martuar, por më pas jeta i ka përballur me të papritura. Historia e saj është, nga pak, historia e të gjitha vajzave të dhunuara, ndaj vendosa ta sjellë të përsëritur siç ma rrëfeu ajo disa vite më parë.

“Sa kisha mbaruar gjimnazin dhe isha një nxënëse e mirë në mësime. Prindërit e dinin këtë dhe e mendonin se duhej të vazhdoja shkollën e lartë, por ashtu ndodhi një konflikt me një mësues që u bë sebepi i largimit tim nga ajo shkollë dhe vajta te motra ime në qytet, ku e mbarova me rezultate shumë të mira dhe më pas u ktheva në shtëpi te prindërit që veja pothuajse një herë në dy-tre ditë, se nuk ishim larg. Një ditë u gjenda në shtëpinë e një komshies sonë që më donte shumë, u përballa me një djalë të ri që më përpiu me sy. Nuk ishte i pashëm, por ishte nga një qytet i madh i Shqipërisë së mesme. Mora vesh se ai ishte vëllai i komshies. Një ditë prej ditësh ajo më ftoi të shkonim në qytetin e saj dhe fjeta në shtëpinë e prindërve të saj. Aty erdhi edhe ky djali që më pas do të bëhej edhe burri im. Ishin fjalët e para dhe ashtu me një mendjelehtësi moshe, pranova të jetoja aty si e rrëmbyer, me një premtim të madh që do jetoja e lumtur. Ata ishin shumë fëmijë, vëllezër e motra, ku ishin edhe prindërit e tyre. Ishin vitet e para të demokracisë dhe mua më dukej se do të fillonte një ndryshim në jetën time, ndaj dhe kujtoja se do më falej edhe nga prindërit kjo sjellje e imja si një dëshirë për të gjetur mundësinë që të jetoja pak pa probleme dhe njëkohësisht të vazhdoja edhe shkollën e lartë që e kisha një ëndërr të parealizuar në kohën e duhur.

Por jo gjithçka më dukej e sinqertë në vështrimet e vëllezërve dhe motrave të bashkëshortit, edhe të prindërve të tij, megjithëse kuptoja gjithashtu dita ditës se fshihej diçka jo e mirë. Në shtëpi vinin e iknin, më shikonin e mundohesha të ambientohesha me këtë realitet të ri, por edhe të kuptoja se çfarë halli i mundonte që më shikonin si tinëzisht, ashtu si me një lloj mëshire, a thua se kisha ndonjë të metë apo diçka që duhej të bëja apo të jepja. Herë pas herë dhe pas shumë e shumë ditësh e muajsh më binin në vesh copëza fjalësh se isha shumë e mirë për të shkuar në Itali, për të bërë rolin e punëtores së seksit. Kuptoja që në këtë shtëpi ku nuk punohej shumë, kishte shumë para. Nuk pyesja për burimin e tyre, por merrja vesh se vinin shumë para dhe një pjesë i jepej edhe burrit tim që kishte një zanat, por që hapur manifestonte dembelizëm dhe mashtronte me punën që bënte ndonjëherë.

 Kuptova se përgatitej një plan për të më çuar në Itali dhe unë të isha viktima e radhës në një shtëpi që e njihte mirë këtë zanat. U tmerrova nga mendimi që më shkoi në mendje. Ndaj vendosa të bëja një fëmijë që të kisha mundësinë të shmangja ndonjë të papritur. Për mua nisi një jetë tjetër, e vështirë dhe jo e qetë, fillova të qaja herë pas here që çfarë kisha bërë. I thirrja mendjes dhe nuk gjeja dot forcën e duhur që ta shpjegoja. Nuk kisha me kë të flisja. Filloi një keqtrajtim me banesën ku jetoja, ngushtë dhe jo qetë. Mundohesha ta rregulloja ambientin e shtëpisë sa kisha mundësi dhe gjithnjë shihesha me një inat përse u bëra shtatzënë. Im shoq rrinte si një guak para vëllezërve të tij, që me sytë e zgurdulluar, më jepnin përshtypjen e kriminelëve të punëve të këqija. Seriozisht në këtë kohë u tremba. Im shoq ndryshe sillej me mua dhe ndryshe sillej kur vinte në darkë në shtëpi. E dija që e dërgoja me bukën me vete për të punuar, por vonë mora vesh se ikte dhe nuk e di se ku përfundonte e me çfarë punësh merrej, sa shpesh e sillte bukën ashtu siç e kishte marrë në mëngjes.

Fillova t’i kërkoja llogari për këto veprime, por mora përgjigje shpullat dhe përçmimin, sherrin dhe vuajtjen time. Ditë e netë pa gjumë dhe me shumë lot u bënë për mua shoqëruese të jetës bashkëshortore. Herë mendoja se gjendja do të ndryshonte e herë gabohesha. Kishte lindur fëmija im i parë dhe përsëri gjendja po e tillë, se ishin edhe vite të një kohe të trazuar siç ishte viti 1997. Mendoja se do më gjente ndonjë gjë e keqe, traumatizohesha në çdo gjë. Kisha braktisur prindërit pa i pyetur për një jetë të re, më të mirë se në fshatin ku banoja, por sinqerisht po përballesha me një intrigë e hipokrizi të madhe, stres dhe siklete të pafundme. Nuk po e kuptoja se ku qëndronte e keqja. Veç besoja se ka një Zot që jep drejtësi apo unë po vuaja ndonjë mallkim të prindërve që nuk i pyeta një herë. Flisja me motrën e madhe dhe ajo mu bë mbështetje e pafund, rrisja djalin tim dhe mendoja që çfarë plani u ishte prishur që nuk e realizuan që unë të trajtohesha si një kafshë e jo si një nuse shtëpie. Koha ikte shpejt dhe herë pas here burri shkonte në emigrim në Greqi dhe vinte pa asnjë dysh. Nuk merrja vesh fare se me çfarë punësh merrej. Kishte raste që flija pa bukë dhe me ankthin e një frike se ndonjë e keqe po më kurdisej dhe mendoja më shumë pëer fëmijën, por një fëmijë i dytë më erdh në jetë. Nuk e doja, por u bë realitet një vajzë që më ngrohu shpirtin. Si vajzat më që janë për nënën një lloj ngushëllimi në jetën etyre. Gjithçka tashmë ishte e qartë, kisha një burrë që vëllezërit e përdornin për punë vjedhjesh që më pas shiteshin pjesë-pjesë. Nuk e dija çfarë bëheshin, por dija që shpesh flija vetëm se burri më ikte nga shtrati dhe vinte pa u zgjuar unë.

Lotët dhe dhimbje në gjoks mu shtuan ditë pas dite. Çfarë bëhet kështu, thoja me vete, çfarë janë këta njerëz kështu, me se merren dhe ku i gjejnë paratë e jetesës së tyre se asnjë nuk punonte. Sjelljet brutale të burrit u shtuan, celulari u bë një mjet sherri që thuhej herë pas here dhe unë e doja për tu lidhur me prindërit e me motrat. Një xhelozi e paparë filloi ndaj meje, kontrollohesh kudo ku shkoja, pas kisha si hije tim shoq që me porosi të vëllezërve të tij, më ruante e më vrojtonte gjithçka. Nuk e di se çfarë frikë kishin, ndoshta se mos i kallëzoja në polici, që as më shkonte në mendje për vetë karakterin që kisha, se nuk më pëlqenin ato lloj punësh me polici.Në këto kushte izolimi të vërtetë, kërkova të filloja shkollën e lartë Par-Time, por mu refuzua. Ndjehesha keq dhe një ditë një goditje në zemër më rrëzoi poshtë, u bëra keq, u shtrova në spital, prisnin me orë që të ndërroja jetë. Por Zoti është i madh, mendoi për mua dhe për fëmijët e mi, u riktheva në jetë dhe njëherazi u riktheva tek vetvetja ime.

Prindërit e mi filluan një kujdes të madh për mua, ashtu si edhe motrat, si dhe shumë njerëz të afërt të familjes që e kuptonin situatën, tregonin vëmendje. Por çdo gjë e kuptoja dita-ditës edhe më shumë se isha planifikuar për të qenë një punëtore trotuaresh në Itali dhe prishja e planeve i kishte inatosur barkun e asaj shtëpie që gjente sebepe nga më të ndryshmet që të më penalizonte me mosdalje nga shtëpia, me një trajtim prej skllaveje edhe pse unë tregoja respekt dhe logjikë në sjelljet e mia. Vendosa të regjistrohem në shkollë të lartë dhe mora përsipër çdo risk, me gjithë sherret e pafundme dhe me shoqërinë në çdo moment të një njeriu që vetëm emrin e kishe burrë se ndryshe do të quhej një roje personale dhe një parazit që nuk bënte asnjë lek punë dhe që jetonte familja ime me paratë e ndihmat që vinin nga shtëpia e prindërve të mijë. Edhe ata ishin bindur tashmë në fatkeqësinë që unë i kisha krijuar vetes dhe që më shoqëronte në çdo moment. Sherri i shkollës u bë prezent, librat apo fletoret griseshin, por unë nuk hoqa dorë nga shkolla. E ëndërroja një gjë te tillë edhe pse e dija që nuk do më shërbente për ndonjë punë. Pro thjesht që unë të mos mbetesha një injorante në këtë jetë dhe aq më tepër në një ambient që ishte tërsisht i mykur dhe parazit që jetonin me punë të pista dhe ligësi.

Merakun më të madh e kisha tek fëmijët, sidomos djali që ishte duke u rritur dhe që përdorej nga babi i tij për të bërë punë jo të mira deri në vjedhje. Policia bëhej prezente në shtëpinë tonë, por gjithçka mbyllej nga paratë që jepeshin. Mendoja thellë vetes se kisha përfunduar në një familje jo të mirë dhe mallkoja orën dhe ditën që bëra atë veprim të pamenduar që të vija në këtë qytet. Rrethanat me sherr e shamatë u bë e përnatshme, edhe rrahjet, traumatizimi i fëmijëve, po më shkaktonin një dramë që duhet ta sfidoja. I dhashë karar që të ndahesha dhe të shikoja jetën time me fëmijët e mi. Ishte një vendim i vështirë, por në fund të fundit do të shpëtoja nga një e keqe e madhe, se e dija që të këqija jo të vogla do kem për herë. Policia u bë prezente në mbrojtjen time, dhe gjyqi i ndau rrugët tona. Por më shumë se kaq, unë kisha kaluar vitet e jetës së ëndërruar dhe kisha vrarë shpresën e dëshiruar. Sfida që po bëja ka një kosto që po e paguaj, por vazhdimi i shkollës më dha më shumë forcë e dinjitet. Në fund të fundit tashmë jam vetvetja dhe fëmijët e mi morën frymë lirisht. As për bukën e gojës së fëmijëve që e meritojnë edhe ligjërisht nuk interesohet babai i tyre, ndërsa unë iu nënshtrova fatit tim të punoj, të vazhdoj shkollën, të rris fëmijët e t’i shkolloj edhe ata që të kenë një jetë më të mirë se nëna e tyre. Për mua ikën vitet e asaj rinie të vrarë, ikën edhe vitet e një gruaje që mendonte për një jetë familjare të rregullt. Tashmë jetoj më shpresën e madhe se do ketë një dritë jeshile për mua dhe jo drita e punëve të liga të semaforëve të trotuareve apo jetës me lot e më pagjumësi, me zemër të ngrirë e net dimri pa gjumë që do të duhet tua rrëfej. Kur ju jepni lajme dhe sekuenca dahsurishë, unë mendoj se mirë bëni se më ktheni në rininë time që nuk e gëzova, por këtyre vajzave e djemve jepuni historinë time që nuk pashë një herë një ditë të bardhë dhe nuk njoha kurrë Shën Valentinë që i quaj vetëm mashtrime. Në këtë vendin tonë ka kaq shumë histori që vrasin jetën e rinisë, e sidomos të femrave që kanë ëndrra që u shkatërrohen nga injoranca dhe mashtrimi, se e tillë u mbrujt kjo jeta jonë me shumë intriga e pabesi që shkatërrojnë jetë njerëzore, si kjo e imja që më dhemb.

SHKARKO APP