Historia shqiptare sipas një historiani belg
Nga Sonia Memoci
Para disa ditësh u dha një lexim rreth historisë së Shqipërisë e Kosovës në bibliotekën e qytetit Tongeren në Belgjikë nga Sander De Gregorio. E veçnata e këtij takimi ishte se për historinë tonë nuk fliste një historian shqiptar, por një belg Sander De Gregorio. Ai foli rreth periudhës Otomane, përmendi heroin tonë kombëtar Skënderbeun. Figurën e Ali Pashë Tepelenës, Pashait Shqiptar, sundues të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, të fundshekullit të 18 deri më 1822. De Gregorio paraqiti shumë qartë ndarjen e trojeve Shqiptare dhe shpalljen e pavarësisë nga i madhi Ismail Qemali. Gjithashtu u përmend dhe emri i Isa Boletinit dhe Adem e Shota Galicës. Emri i Avni Rustemit dhe atentati i tij kundër Esat Pashës deri në detaje nuk mungoi të përmendet nga historiani.
Për Avni Rustemin
“Avni Rustemi lindi në Libohovë të Gjirokastrës më 1895, në një familje atdhetare. Mësimet fillore i mori në vendlindje, vazhdoi në normalen e Elbasanit dhe më vonë në Shën Mitër Korone (itali), kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës. Ndërkohë Avni Rrustemi punoi si mësues në Libohovë (1910), në Tragjas të Vlorës (1913), në Tepelenë (1916-1917) e në Vlorë (1917-1918). I rritur dhe i edukuar në një mjedis atdhetarësh, Avni Rustemi u shqua si veprimtar me armë në dorë për lirinë, pavarësinë e tërësinë territoriale të Shqipërisë. Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t'u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit , më 1910 bëri një përpjekje për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke. Më 1918 , me nismën e tij u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin "Djalëria e Vlorës". Në krye të saj organizoi demonstratën anti-imperialiste të 28 Nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë. Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi "Lidhjen e Rinisë Shqiptare" për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esat Pashë Toptanin, politikan me botëkuptime feudale, një tradhtar klasik të shitjes së interesave të vendit për para. Akti heroik i Avni Rrustemit në Paris, nuk ishte një atentat i thjeshtë, ai nuk kishte karakter terrorist, apo anarkist, por një akt heroik kundër feudalëve me shumë padronë që Shqipërinë e shihnin si një tavë kosi për ta ngrënë mes tradhtarësh.”
Rreth figurës të Bajam Currit
Veprimtaria e shumëanshme atdhetare e Bajram Currit, spikati me forcë edhe në jetën politiko-shoqërore shqiptare të viteve 1920-1924. Ai dha një ndihmesë të dorës së parë si në luftën për konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar, ashtu edhe në konfrontimet që i hapnin rrugë demokratizimit të jetës politike në Shqipëri. Edhe kësaj radhe u tregua konsekuent, prandaj qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes gjeti tek ai i një mbështetje të fuqishme dhe prijësin që i duhej për të shpartalluar çdo pengesë në rrugën e sigurimit dhe konsolidimit të pavarësisë së vendit. E thërrisnin të ishte aty ku situata ishte më kritike, dhe ai më atdhetarizmin dhe aftësitë e tij e normalizonte. Goditi e shpartalloi esadistët në Shqipërinë e Mesme në prag të fillimit të Luftës së Vlorës, mandej pa u çlodhur ende, vrapoi në Koplik për të sprapsur intervencionin jugosllav. Një vit më vonë, asgjësoi në Mirditë komplotin e agjenturës së Pashicit, të kryesuar nga kapedani separatist i krahinës. Më pas, i pakënaqur nga politika e diktatit të qeverisë mori pjesë në lëvizjen e marsit 1922, kurse në 24 maj shpërtheu në Krumë kryengritjen e armatosur në favor të opozitës liberale, e cila u kurorëzua me fitoren e Qershorit. "Plaku u maleve" që pushka e parë dhe e prapme e Revolucionit. Nuk mori rrugën e mërgimit, kur Ahmet Zogu pasi kishte siguruar përkrahje ndërkombëtare me ndihmën e trupave të huaja, përmbysi qeverinë e Fan Nolit. Me armë në dorë iu ngjit përsëri bjeshkëve të Krasniqës, kreu aksione në Gash e Bytyc, por edhe në Has udhëzoi luftëtarët kosovare t'i qëndronin dhunës dhe politikës serbe të spastrimit etnik të Kosovës dhe përgatitej për të rifilluar në pranverën e vitit 1925 një kryengritje të re, qe do t'i sillte vendit një regjim liberal demokratik, kurse Kosovës, shpresën për t'u çliruar e bashkuar me Shqipërinë. Figura e Bajram Currit nuk mund të skicohet pa përmendur veçanërisht këtë synim final të tij, realizimi i të cilit do t'i krijonte kombit shqiptar hapësirat e nevojshme të merituara për zhvillimin normal e prosperitet.
BOX
Cili është Sander De Gregorio?
Sander De Gregorio është historian me prejardhje Belgo-Italiane. Mometalisht po shkruan një libër rreth Luftës së Parë Botërore në Evropë. Në këtë libër autori përfshin të gjitha shtetet Europiane dhe Ballkanin (përfshirë këtu Turqinë dhe Kaukasus). Kur flet për shtetet e Ballkanit autori thellohet thellë e përshkruan gjithashtu çështjen Shqiptare dhe atë Kosovare. Prezantimi që autori dha përshkruan në hollësi ngjarjet që kanë ndodhur në periudhën e viteve 1908 -1923. Për këtë autori bazohet dhe në dy librat e autores Miranda Vickers. Historia Moderne e Shqipërisë, ‘Albania: a modern history’ Midis Serbëve dhe Shqiptarëve : Historia e Kosovës , ‘Between Serb and Albanian: a history of Kosovo’. Libri i tij pritet të paraqitet për publikun rreth vitit 2018. Për momentin ai paraqet e jep lexime rreth çështjes Shqiptare.