Historitë e dhimbshme të huajve që u dashuruan me shqiptarë

 

Për ata që Shqipëria u bë Atdhe i dytë

Nga Nikolla Sudar*

Antihumanzimi që përjetuam për afro 50 vjet kishte në themel një emërues të vetëm: sterilizimin ideopolitik të njerëzve, shndërrimin e tyre në robotë për t’i shërbyer me devotshmëri strategjisë së shtetit totalitar. Pasoja makabre të këtij steriliteti janë edhe qindra drama, mjaft nga të cilat u shndërruan në tragjedi mizore, të atyre që “patën guximin” të zgjedhin për shoqe jete një të huaj.

 Letër nga jashtë?!

“Nga kush? Nga ç’vend?”- fliste me vete tashmë burri tepër i emocionuar, duke përsëritur fjalët e postierit. Dhjetëra hamendje zinin vendin e njëra-tjetrës, por asnjëra prej tyre nuk i dukej bindëse. Me një padurim tronditës mori letrën nga postieri, që kishte shtangur nga habia dhe me duart që i dridheshin, pa guxuar të lexonte adresën, hyri në dhomën e pritjes e u ul në divan. Emocionet gjithnjë e në rritje e pushtuan të tërin; djersë të ftohta po ia mbulonin trupin. Për një moment i lindi dyshimi, të cilin shpejt e flaku tej. Por jo…, zemra e sfilitur prej dhjetëra vitesh e babait e parandjeu atë. Letrën ia dërgonte vogëlushja e tij, Zinoçka, pas tridhjetë vitesh, tashmë nënë me fëmijë. I tëri filloi të dridhej si purtekë. Ai nuk po lexonte më, por me etje të pashuar kapërdinte çdo fjalë; qau me dënesë pa i ardhur turp nga vetja, ndërsa lotët i rridhnin nëpër faqet, tashmë të rreshkura. “Si është e mundur, – mendonte me vete, – Zina, gjaku i tij, qenka gjallë dhe me një dashuri të tillë kujton të atin, tashmë të harruar nga jeta?!”. Një shtrëngim i papritur e mbërtheu në gjoks, ndërkohë që po lexonte ato fjalë zemre, të ëndërruara prej kohësh.       

“I dashur dhe i paharruar, baba… Të më falësh që nuk jam në gjendje të gjej fjalët e duhura për të të shprehur atë që ndiej, ndërkohë që po të shkruaj këtë letër të thjeshtë e të shumëpritur, por të lutem besoji zemrës sime të drobitur, sepse vetëm tani që të gjeta, jeta ka fituar kuptimin e vërtetë. Unë e kam të qartë se ç’dhimbje ke provuar dekada me radhë, por të jesh i bindur se asnjëherë nuk të ka harruar Zinoçka jote, të cilën e deshe aq shumë, por që fati e dënoi të rritej jetime me babanë gjallë. Pranë meje në këto çaste ndodhet mamaja ime, gruaja jote e shtrenjtë, lotët e së cilës për 30 vjet nuk reshtën së rrjedhuri, duke puthur fotografinë tënde. Ti, natyrisht, je martuar dhe ke fëmijë të tjerë, por të gjithëve u kërkoj falje dhe sinqerisht askënd nuk dua të lëndoj, përkundrazi do t’i dua si vëllezërit dhe motrat e mia të vërteta. Vetëm një dëshirë kam në jetë, i shtrenjti baba, të vijë në Shqipëri, të të përqafoj me gjithë shpirt dhe me dashuri të vë edhe një herë si dikur kokën në gjoksin tënd. Për hir të Zotit, të lutem, ma plotëso këtë dëshirë të zjarrtë…” 

Por, jo… burri i thinjur para kohe nuk mundi të vazhdojë më tej leximin e letrës, sepse shtrëngimi në gjoks u bë i padurueshëm. Ai paralizoi trupin e dobësuar dhe ia errësoi arsyen njeriut, i cili kaq gjatë dhe me padurim e kishte pritur këtë letër. Pas disa minutash atë e gjetën pa frymë, me letrën e shtrënguar fort mbi zemrën fatkeqe, që tashmë përgjithmonë kishte pushuar së rrahuri. Jam krenar për ty, baba… (i shkruante me aq përmallim oficeri rus i aviacionit të atit, inxhinier në hekurudhë).  “Ndonëse nuk të mbaj mend, por nëna më ka folur me një dashuri të madhe për ty, i shtrenjti baba. Të lutem me gjithë shpirt, më bëj vetëm një nder, më plotëso të vetmen dëshirë të madhe që kam në jetë, prano të vish në Moskë, që unë, biri yt të të përqafoj, me mallin e patreguar të më shumë se tri dekadave ndërprerje të tmerrshme, gjatë të cilave nëna të qëndroi besnike deri në fund. Më lejo të të qëndroj pranë, që me një krenari të ligjshme t’u them miqve e shokëve se edhe unë kam një baba të nderuar, i cili s’pushoi asnjëherë së menduari për mua dhe për nënën…” . Lotë të nxehtë të një gëzimi të patreguar, të përzier me ndjenjën e një dhimbjeje të thellë rridhnin nëpër faqet e tij të rrudhosura, ndërsa lexonte letrën aq të dëshiruar. Ai e ndiente se po përtërihej dhe se më në fund jeta e tij po merrte kuptim. Mbas përpjekjeve të lodhshme, falë demokracisë, burri i sfilitur nga jeta e rëndë, me intinerarin Tiranë – Varshavë – Moskë, i tha lamtumirë vendlindjes, ku linte një jetë plotësisht të humbur, vite tëra persekutimi të gjithanshëm dhe përbuzjen e regjimit totalitar, tashmë të përmbysur.

“Jo, ti nuk je mami im…”

E kujtojmë Oljen, këtë grua të urtë dhe të mençur, që për hir të dashurisë braktisi “atdheun, të afërmit”, për t’u syrgjynosur në bunkerin e madh me emrin “Shqipëria socialiste”. Aftësitë e rralla pedagogjike, përgatitjen e gjithanshme shkencore, ajo i vuri në shërbim të përgatitjes së brezit të ri me dijeni të shëndosha bashkëkohore. I gëzohej edhe ajo jetës si gjithë të tjerët dhe bëri të pamundurën që fëmijët t’i rriste të ndershëm e me dinjitet. Por… lufta e klasave, ky oktapod gjakpirës, do t’i shkatërronte jetën kësaj intelektualeje të rrallë.  Vallë si mund të duronte kjo grua fisnike poshtërimin sistematik, që i bëhej kur e lodhur nga puna, por me atë dashurinë e madhe prindërore drejtohej në kopsht për të marrë djalin, ndërsa vogëlushi tashmë “i stërvitur për orë të tëra” e qëllonte të ëmën me gurë, duke e ofenduar me fjalët: “Qërohu, ti nuk je mami im, ti nuk je shqiptare?” Ndërkohë edukatoret zgërdhiheshin të kënaqura nga “fruti” i punës së tyre (si zbatuese të denja të udhëzimeve të sigurimit të shtetit). Sa të ofenduar e ndiente veten kjo nënë kurajoze, kur i biri, ky njomëzak katërvjeçar, i helmuar nga edukatoret, i thërriste me zë të lartë të atit: “Babi, më gjej një mam tjetër, kjo nuk është mami ime!..” Sikur të mos mjaftonte kjo dramë në familje, një urrejtje për këtë grua, e inicuar nga “lart” do të krijonte një atmosferë mbytëse për të, e cila, si e huaj, do të cilësohej “agjente e KGB-s”, absurditet i një regjimi absurd, ku paranoja bënte ligjin. Vite me radhë duroi e më pas shpërtheu, por me pasoja mizore… 16 vjet burg politik dhe vetëm në vitin 1991 mundi të dalë nga ferri i “internacionalizmit proletar”, për t’u kthyer  tashmë përfundimisht në atdhe.

“Goditje fatale…”

Ishte gjeolog, i arsimuar në BS; njeri me zemër të madhe, i përkushtuar si rrallëkush në profesion, por nga goditja që do të merrte, gjithçka do të humbte kuptimin për të. E shoqja, një bionde ruse, u bë idhull i tij, por një dashurie të tillë, të pastër e të fuqishme, dikush edhe i trembej. Viti 1961 u bë vit i zhgënjimit të madh. Të shoqen e detyruan të largohej… vetëm për disa muaj, por që përfundimisht mbeti “andej”. Për gjeologun qe goditje e rëndë, humbje e pandreqshme. I vetmi ngushëllim për të mbeti e bija, Ira, së cilës iu përkushtua me të gjitha forcat e shpirtit. Por fati i keq do ta ndiqte deri në fund këtë njeri të mirë: vajzës, tashmë pesëmbëdhjetëvjeçare, iu shfaq një sëmundje e rëndë. Këtë goditje nuk do ta duronte dot burri 40-vjeçar, i cili i thinjur plotësisht të jepte përshtypjen e një 70-vjeçari. Por mirësia e Perëndisë ia kthjelloi dikujt mendjen në Ministrinë e Shëndetësisë dhe vajzën, të shoqëruar nga i ati, e nisën për në Budapest. Ndërkohë me urgjencën më të madhe nga Moska vjen një ekip me specialistë më në zë dhe bashkë me ta… edhe ëma e vajzës. Dikush këtë takim edhe mund ta bëjë skenar filmi, por zor se do të jetë në gjendje të rikrijojë atë skenë tronditëse, kur drejt shtratit të vajzës, pranë së cilës ndodhej i ati, me dënesa të papërmbajtura dhe lotët që i rridhnin çurk, afrohet një grua, të cilën e mbante përkrahësh mjekja e pavionit. Ajo qe e ëma e vajzës, e cila pas trembëdhjetë vitesh, në rrethana tepër dramatike, takohej me të bijën dhe të shoqin. Ashtu e cfilitur, me njërin krah ajo përqafoi të bijën, ndërsa me tjetrin, të shoqin, ndërkohë që me dhjetëra punonjës e të sëmurë të kësaj klinike të njohur në të gjithë Evropën, me lotë në sy e ndiqnin këtë takim të pazakontë. Specialistët më të mirë hungarezë dhe rusë për ditë të tëra bënë të pamundurën për ta shpëtuar vajzën e gjorë, por pa sukses. Jashtëzakonisht prekëse ishte të vështroje këta profesorë të nderuar, që ndesheshin çdo ditë me vdekjen, ndërsa lotonin si fëmijë për këtë fatalitet të pashmangshëm. Tashmë vajza akoma gjallë duhej të ndahej përgjithnjë nga e ëma dhe pas disa javësh edhe nga jeta. Gjithashtu edhe i ati do të largohej nga kjo jetë vetëm disa muaj pas së bijës, për t’u takuar në amëshim me të.

“Mos guxo t’i afrohesh ambadadës, përndryshe…”

Ky ishte refreni që do të dëgjonte për dhjetë vjet me radhë gruaja fatkeqe nga punonjësi fytyrëvrerosur i ambasadës shqiptare në Varshavë. E ku donte të dinte ky partiak mediokër e servil ndaj eprorëve se ç’do të thoshte një ndjenjë e zjarrtë dhe e sinqertë rinore, e cila po shkelej padrejtësisht? E ku mund ta kuptonte ky injorant se ç’hiqte zemra e asaj nëne të re polake, e cila që nga mosha disamuajshe e derisa djali u bë dhjetë vjeç, me një durin stoik, do të trokiste në derën e ambasadës. “Mos e lini djalin pa baba, është gjaku juaj, lermëni të bashkohem me tim shoq në Shqipëri!”- do të ishin fjalët e sinqerta të një zemre të dërrmuar, duke u treguar punonjësve të ambasadës djalin me sy të përlotur. Por prej tyre, me një cinizëm dhe arrogancë të hapur, do të merrte përgjigjen e egër: “Ik moj, zhduku e mos guxo t’i afrohesh ambasadës, përndryshe…”. Nëna e re me fëmijën në krah, e fyer dhe e poshtëruar largohej kokulur, por përsëri, falë ndjenjës së thellë dhe detyrës së shenjtë si prind, nuk do të hiqte dorë nga rituali i saj me shpresë se dikur do t’u kthjellohej mendja dhe zemra këtyre përbindëshave, që vetëm fytyrën kishin njerëzore. Por për fat të keq ajo ditë do të vononte më se tri dekada… Vonesa do të ishte fatale. Ishte viti 1956, kur djaloshi entuziast shqiptar arriti në Varshavë për të studiuar në degën e inxhinierisë. Vitet kalonin dhe ata do ta lidhnin gjithnjë e më fortë me këtë vend të bukur e me njerëz të mirë. I shtruar për pak kohë në spital, ai u njoh me një vajzë të re ndihmësmjeke. Atij i lanë mbresa të thella përkushtimi i jashtëzakonshëm i saj ndaj detyrës: gjithnjë gojëmbël, e papërtuar, e gatshme për t’u shërbyer pacientëve edhe jashtë turnit të saj. Kështu u lidhën dhe u dashuruan me tërë hovin e moshës këta dy të rinj, të cilët i dhanë gjithçka njëri-tjetrit. por ja që fati u ndodh në anën e kundërt.

Akoma pa u diplomuar, u lindi një djalë, që përfundimisht vulosi bashkimin e tyre. Por furtuna e së keqes do të depërtonte thellë edhe në qelizat më të vogla të jetës, duke errësuar çdo perspektivë. Ishte vera e vitit 1961, kur inxhinieri i sapodiplomuar mendoi të kthehej në Shqipëri bashkë me të shoqen dhe djalin e vogël. Por… pikërisht këtu filloi ajo mënxyrë, e cila do të nxirrte aq fort më pah forcën e jashtëzakonshme të ndjenjave të të dy të rinjve si dhe monstruozitetin e pushtetarëve të atëhershëm, që shkatërruan këtë familje si dhe dhjetra e dhjetra të tjera. Në fillim me pretekstin e “ashpërsimit të divergjencave” me ish vendet socialiste, të cilat “kishin shkarë në llumin revizonist”, gjoja do të vonohej ardhja e së shoqes me djalin në Shqipëri disa muaj, derisa me kalimin e viteve iu mohua plotësisht familja. Djaloshi bëri të pamundurën për të realizuar ëndrrën e tij të madhe, por më kot. “Inxhinieri rebel”, siç u etiketua nga partiakët fanatikë, shumë i aftë në profesion, u degdis në një qendër të vogël, larg kryeqytetit. Asnjëherë ai nuk reshti së telefonuari së shoqes dhe së kërkuari të gjitha mënyrat për bashkimin me të dhe djalin e vet, në kundërshtim të hapur me këshillat dhe denigrimin e vazhdueshëm të autoriteteve në fuqi, të cilët e mbanin nën survejim. Kjo gjendje do të vazhdonte për vite të tëra, derisa më në fund me zemër të thyer e kuptoi se fati mizor, i stisur nga një politikë absurde antihumane, i kishte dhënë atij goditjen më të fortë në jetë. Vetëm falë aftësisë së rrallë profesionale dhe së kaluarës atdhetare të familjes, inxhinieri mundi t’i shpëtojë izolimit në burg, por asnjëherë ai nuk do të provonte ngritje sado të vogël  në përgjegjësi, sepse të tilla ishin direktivat çnjerëzore të luftës së klasave.

Dekadat pasuan njëra-tjetrën, plaga u mbyll vetëm në sipërfaqe, por malli për gruan e dashur dhe djalin nuk u shua asnjëherë. Dhe ja, pas “përmbysjes së madhe të Lindjes së kuqe”, tek ata që dikur simbolizonin ndjenjat më të pastra rinore, u ringjall shpresa për t’u parë dhe çmallur, ndonëse me shumë vonesë. Të dyja palët kishin qenë të detyruara të krjijonin familje tjetër. Djali tashmë mbi 30 vjeç, me lotë në sy do të përqafonte i zhuritur babanë, të cilin e kishte parë dhe njohur vetëm nëpërmjet fotografisë dhe fjalëvë të zjarrta të së ëmës. Ndërkohë e ëma, e mallëngjyer si kurrëndonjëherë tjetër në jetën e saj, për të parën herë ndiqte këtë takim sa të gëzuar, aq edhe të dhimbshëm, midis babait e djalit, duke kujtuar në ato çaste, atë të keqe të madhe të përjetuar e që s’mund të ndreqej më. Këto janë vetëm grimca të atyre pasojave të tmerrshme, të atyre paradokseve çnjerëzore që përjetoi ky popull në vitet e totalitarizmit unikal në botë, ku “qëllimi justifikon mjetin”. Të rinj qenë ata, që për nevoja të vendit pas çlirimit ndoqën studimet e larta në BS, apo në ish vendet socialiste. Atje u diplomuan dhe jo pak prej tyre “patën fatin” të lidhnin jetën me një të huaj dhe ta sillnin në atdhe. Por jeta do ta provonte me tërë ashpërsinë e saj, sesa rëndë kishin gabuar. Veçanërisht shtrenjtë do ta paguanin ata që kishin zgjedhur si shoqe jete një ruse, sepse tërë jetën ato do t’i ndiqte hija e llahtarshme e “agjentes së KGB-s”. Rikujtimi i këtyre ngjarjeve, sa të panatyrshme, aq edhe tronditëse, të bën të mendosh gjatë se deri ku mund të arrinte me cinizmin e vet ajo demagogji e paskrupullt e së ashtuquajturës “vënie e njeriut mbi gjithçka”. Viti 1961. Re të zeza nxinë marrëdhëniet partiake dhe shtetërore shqiptaro-ruse. Tanimë miku ynë më besnik, “Bashkimi i lavdishëm Sovjetik”, na u shndërrua në armikun më të rrezikshëm të Shqipërisë. Spekullimet pa fund për fatin e socializmit (të diktaturës) u transformuan në një histeri të papërmbajtur. Të parët që u goditën në këtë situatë të acaruar qenë ata specialistë, të cilët kishin bërë “gabimin fatal”, duke u lidhur me gra të kombësive të tjera. Presioni i gjithanshëm nga të dyja palët për t’i prishur këto lidhje arriti deri në shantazh të hapur, përndryshe… Nënteksti ishte më se i qartë: përvoja e pasur e organeve të diktaturës në këtë drejtim ishte e njohur për cilindo. Me qindra njerëz u shqetësuan pa masë: të shkatërrohet familja? Po fëmijët? Si mund të flaken papritur e pakujtuar ndjenjat më të sinqerta, të mbrujtura me kaq përkushtim për vite me radhë? Në moshën e tyre më të bukur vajza nga kombësi të ndryshme u njohën me studentë shqiptarë, me të cilët, për hir të ndjenjës së zjarrtë të dashurisë, u lidhën me ta përjetësisht, “duke braktisur atdheun, të afërmit, komfortin”, por edhe me dëshirën e madhe e të sinqertë për të jetuar në Shqipëri e për t’i shërbyer me të gjitha forcat atdheut të dytë. Por zhgënjimi i rëndë që i priste do t’i kalonte të gjitha limitet njerëzorë. Ne, studentët e viteve 60, mbase në atë kohë disa gjëra edhe nuk i kuptonim mirë, por skenat rrëqethëse të ndarjeve, të kujtonin raprezaljet antihebreje naziste. Çdo mëngjes para agjensisë ajrore në qendër të kryeqytetit mblidheshin me qindra njerëz. Ç’po ndodhte në të vërtetë? Një masakër, por tashmë e tipit të veçantë: ndaheshin gratë nga burrat, fëmijët nga prindërit. Për sa kohë? Vetëm “për disa muaj”! Ç’hipokrizi e ndyrë! Partiakët dhe pushtetarët e dinin fare mirë se kjo ndarje do të ishte shumë e gjatë, ndërsa njerëzit e thjeshtë, të mashtruar përcillnin gratë dhe fëmijët, me shpresë për një ribashkim të shpejtë. Diku mund të dëgjoje: “Po e marr Ilirin, kjo është punë muajsh e përsëri do të jemi bashkë…”, dhe puthje, përqafime e lotë të hidhura të ndarjes. Një vogëlushe, buçko, e ndodhur midis dy prindërve nuk dinte nga të shkonte, ndërkohë që të rriturit e pranishëm, të përlotur ndiqnin atë moment të dhimbshëm. Më në fund fitoi e ëma, e cila e përfshiu të bijën, që… s’do ta shihte më kurrë të atin. Vitet kalonin, shpresat zbeheshin, ndërsa dhimbjet e një plage që s’u mbyll kurrë, do të vazhdonin pa fund. Nuk qenë të paktë ata që në momente depresioni shpirtëror u dhanë pas pijes, dikush u shpreh kundër këtij qendrimi antihuman, prandaj… përfundoi në trikëmbësh, ndonjë tjetër në burg apo internim të zgjatur, duke u gjymtuar fizikisht dhe shpirtërisht. Nata e ndarjes qe e gjatë, tepër e gjatë, cfilitëse dhe e pakompensueshme. Askush për 30 vjet (sidomos ata nga BS) nuk guxoi të kontaktojë të paktën me letër me njerëzit më të dashur. Vogëlushët e dikurshëm tashmë u bënë burra e gra me fëmijë, por thellë në shpirt ata e ndienë goditjen e rëndë e të pazakontë të fatit të tyre të hidhur: prindi i shtrenjtë mbeti për ta vetëm një vegim i largët, jashtëzakonisht i dëshiruar, por gjithnjë i paarritshëm.

Por pati edhe nga ato, të cilat qëndruan në Shqipëri, duke i mbetur besnik shokut të jetës. Atyre as që  shkonte në mend se do t’i ndiqte një fat makabër. Me një stoicizëm të patreguar ato sakrifikuan gjithçka dhe me kurajë të rrallë, për dekada me radhë përballuan mungesën e informacionit për njerëzit e tyre më të dashur. Vitet kurrë nuk do të na i zbehin fytyrat aq të dashura të pedagogeve tona të gjuhës ruse, që me devotshmërinë e tyre të rrallë e kryenin detyrën fisnike të pedagogut, duke bërë aq shumë për ne, studentët. E pamundur është të harrohet profesoresha e mrekullueshme Ludmilla Zoraqi, që u bë shembulli i njeriut ideal, por që për fat të keq do të përfundonte diku, në rrethin e Fierit. Pasioni i saj për gjuhën shqipe dhe mbrojtja e kësaj gjuhe në mënyrë të shkëlqyer prej saj, lanë mbresa të pashlyera tek çdo student i atyre viteve. Pedagoget Anja, Nina, Olja, Figlina, Jevgenia etj., me thjeshtësinë dhe zellin e madh për lëndën, të bënin ta dashuroje me gjithë shpirt atë. Të tilla si këto, por të kombësive të tjera si bullgare, rumune, hungareze, polake e çeke etj., qenë jo të pakta edhe në institucione apo qendra pune të Tiranës apo të rretheve të tjera. Por regjimi i pashpirt monist, me konsekuencat e veta paranojake, do të vazhdonte sterilizimin politik të kuadrove. Pothuajse të gjithë ata që, në kundërshtim me “moralin në fuqi” kishin kuturisur të merrnin gra me kombësi të huaj, u dëbuan nga kryeqyteti si të dyshimtë. Tashmë u erdhi rradha bashkëshortëve t’ua shpërblenin grave të tyre të dashura e të përvujtura besnikërinë e treguar, duke mos u larguar nga Shqipëria. Kështu me dhjetra familje u syrgjynosën nga Tirana nëpër rrethe të largët, por duke i mbajtur tërë kohën nën vëzhgim. Por kur ndonjëra nga gratë e ngriti zërin e protestës, e pagoi me burgim ose me internim të zgjatur, që ua errësoi plotësisht perspektivën edhe ashtu të zymtë.  Tashmë pas shumë dekadash, kur i akon ato, ashtu të thinjura e plot mirësi, një hije të thellë trishtimi dallon në sytë e tyre, pasojë e asaj mënxyre të përjetuar me dekada e që ua shkatërroi jetën. Stoicizmi dhe kurajoja me të cilat iu kundërvunë diktaturës më të egër të kohës, do të mbeten një shembull i lartë i pathyeshmërië morale e fizike dhe do të kujtohet gjithnjë me respekt të veçantë. Kur ndodhesh pranë tyre, një ndjenjë e fortë keqardhjeje dhe bashkëfajësie sikur të mundon për atë fat të pamerituar, për atë të keqe të madhe që s’ndreqet dot më. Por shpejt bindesh se në shpirt ato kanë mbetur ashtu siç i kemi njohur dikur, të thjeshta, plot dinjitet e zemërbardhësi dhe me shpirtmadhësinë që i ka karakterizuar gjithmonë dinë të falin, sepse edhe mijëra bij e bija të këtij populli patën fatin e tyre të hidhur. Nderim dhe respekt për jetë ndaj ketyre njerëzve me zemër të madhe, që bënë aq shumë për ne, por që përjetuan atë që kurrë nuk e meritonin.

                                                                                                                                            *Përkthyes dhe historian.

 

 

SHKARKO APP