Hitleri i 21 Janarit, skllevërit e tij, gazetarët dhe ndërkombëtarët

Nga Andrea Stefani – Nuk pres që Sali Berisha dhe klani i tij në oborrin e PD, të pranojë autorësinë e masakrës së 21 janarit. Ata do vazhdojnë ta mbrojnë gënjeshtrën e tyre me gëjeshtra, do vazhdojnë të sulmojnë me gënjeshtra për t’i shpëtuar drejtësisë. Por zemërimin e kam me atë pjesë të shoqërisë shqiptare që, edhe pse e dinë fare mirë se kush vrau dhe pse vrau në 21 janar, edhe pse e shohin të gënjejë hapur, vazhdojnë ta votojnë dhe ta brohorasin jo vetem si lider historik por madje, edhe si alternativë e së ardhmes. Ky është alarmi dhe shqetësimi i vërtetë. Sepse kemi të bëjmë me një dukuri masive të skllavërimit, nga lideri dhe partia, të mendjes së masave sa ato tashmë nuk mendojnë vetë, por me kokën e liderit deri aty sa edhe perceptimet u komandohen nga partia.

Dukuria nuk është e panjohur, por përsëritje apo vazhdim i dukurisë mjaft të përhapur në kohën e diktaturës komuniste, kur masat pajtoheshin me ato që thoshte udhëheqësi pa asnjë filtër kritik. Thoshte Enveri, rroftë Tito (!) dhe turma pasonte me rroftë! Thoshte Enveri, poshtë Tito (!), edhe turma pasonte: Poshtë! Enveri thosh, rroftë Bashkimi Sovjetik (!) dhe turmat mbanin ison rroftë Bashkimi Sovjetik! Por kur vinte momenti që Enveri thoshte poshtë BRSS, edhe shqiptarët bënin jehonën me poshtë BRSS!

Kështu me Hrushovin, Kinën, Mao Ce Dunin etj. Asnjë pikë lirie dhe pavarësie mendimi. Shqiptarët kanë ndjekur, si delet bariun, dredhimet e lidershipit shqiptar.

Por kjo skllavëri mendore vazhdon edhe sot. Mirë dje, nën diktaturë, kishin frikë nga burgu dhe plumbi; po sot, në demokraci, çfarë i bën ca shqiptarë t’i konformohen poshtërueshëm liderit Berisha, prej më shumë se dy dekadash, tamam si balta shollës së këpucës? Si ka mundësi të ketë njerëz në këtë vend, të votojnë, mbështesin dhe duartrokasin një ish kryeministër përgjegjës për vrasje qytetarësh të pafajshëm? A mund të flenë të qetë? Mjerisht po. Ata flenë të qetë, sepse racionalizojnë duke e quajtur të drejtë vrasjen. Thonë, mirë bëri që i vrau sepse po sulmonin institucionet, se fajin e ka Edvini se “i solli, ai i dërgoi mish për top”. Por “harrojnë” të pyesin veten se kush e kish topin. Justifikojnë veten me gënjeshtra. Edhe më shumë do të kisha vrarë – kam dëgjuar të thotë në një nga ato ditë të zymta një berishist. Dhe jam i bindur se ka qenë një racionalizim që qarkullonte në kokat e shume prej kësaj specie. Eshtë e njëjta mendësi kriminale si qëmoti: Armiqtë e partisë dhe pushtetit duan plumbin. E qortoi Jozefina Topalli ca vite më parë Berishën, se përse nuk u kish dhënë socialistëve plumbin ballit. Dhe… Saliu e korrigjoi gabimin në 21 janar.

Por nuk është fjala vetëm për aprovim të verbër nga ca shqiptarë, të mashtrimeve të Berishës. Më e keqja është se nga radhët e këtyre fanatikëve të pushtetit, dalin edhe të tillë që bëhen bashkëpunëtorë vullnetarë në krim dhe mashtrim. Si për shembull, dy mjekët e Spitalit Ushtarak që dezinformuan publikun për vrasje nga afër të 4 protestuesve, duke furnizuar kështu, prova të rreme që i nevojiteshin Berishës dhe Bashës për të akuzuar opozitën se i kish vrarë ajo protestuesit fshehtësisht, me pistoleta të vogla, nga afër. Eshtë kontribut i ndyrë në një skenar kriminal të tipit hitlerian. Sepse Hitleri merrte ca të burgosur, i vishte si ushtarë polakë dhe improvizonte me ta sulmin mbi një radiostacion në kufirin gjerman, për të përligjur agresionin mbi Poloni. Por intriga e 21 janarit është edhe më e ngjashme me taktikën e Hitlerit dhe Geringut në momentet e djegies së Rajhshtagut. Sot debatohet shumë nëse qenë vetë nazistët që ja vunë flakën godinës apo jo. Por nuk ka diskutim që Hitleri nuk ngurroi për asnjë çast që ta përdorë ngjarjen për interesa të konsolidimit të pushtetit absolut, duke akuzuar për djegien e Rajhshtagut komunistët; akuzë, që siç rezultoi më vonë në gjyq, nuk qe e vërtetë.

Ekzakt si Hitleri, edhe Berisha nuk ngurroi t’i futej një skenari që do t’i bënte gropën opozitës. Një tjetër akt që provon se ai i urren opozitat si çdo autokrat dhe se lidhja e tij me sistemin e demokracisë është një mashtrim. Ai aspiron vetëm të sundojë duke tredhur apo asgjësuar opozitat. Dhe problemi është se me shtresat e fanatikëve mbështetës dhe me trashëgimtarë si Basha, ai po përgatit vazhdimësinë e berishizmit, këtij versioni shqiptar të hitlerizmit.

Të supozojmë për një moment se Berisha dhe Basha nuk kanë dhënë urdhër të qëllohet në mish dhe se protestuesit u vranë dhe u plagosën pa dashje ose me rikoshetë. Por edhe në këtë rast, nuk ka asnjë dyshim që Berisha u përpoq t’i përdorte vrasjet për të kriminalizuar lidershipin e opozitës. Mendoni për një moment, se çdo të ndodhte me demokracinë në Shqipëri, nëse liderët e opozitës do kishin përfunduar në bangon e akuzës për vrasje? Vallë besoni se në Shqipëri ka gjykata që do mbronin pafajësinë e opozitarëve sikundër gjykatat në Gjermani që nuk kishin rënë akoma në kthetrat e Adolfit? Nuk kishte asnjë shans. Sepse edhe në prokurori dhe gjykata, Berisha kish bërë kujdes që të depërtonin besnikë të tij, si ata mjekët e Spitalit Ushtarak që mashtruan shqiptarët sikur vrasjet qenë bërë nga afër. Asnjë diktator apo autocrat, nuk mund të ketë sukses në intrigat e tij, pa një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh dhe mbështetësish.

Në 21 janar, demokracinë shqiptare e shpëtoi media. Pikërisht ajo media që ca shqiptarë kokëboshë kanë nisur ta anatemojnë si bashkëfajtore me politikën, pa arritur të kuptojnë se, pavarësisht nga të metat, një media që raporton bëhet shpëtimtare në momente vendimtare. Kamera e Artan Hoxhës nxorri sheshit mashtrimin më të rrezikshëm të tranzicionit, intrigën se Hitleri i demokracisë shqiptare bashkë me geringët e tij, po përgatiteshin të akuzonin opozitën për një krim të përbindshëm që në fakt, siç edhe rezultoi, e kishin bërë vetë. Në 21 janar demokracinë nuk e shpëtoi opozita, lidershipi i saj, Rama apo Gjinushi, por media, gazetarët. Prandaj Berisha e sulmoi aq ashpër gazetarin duke e etiketuar me urrejtje çakall të Sigurimit.

Pati edhe një fat tjetër që e ka shpëtuar demokracinë në 21 janar. Fakti që Shërbimi Informativ nuk qe në dorë të Berishës. Sikur rasti ta kish sjellë që Berisha të kish një tjetër Gazidede në krye të SHISH, të gjitha akuzat e rreme të tij për thika me helm, çadra pistoletë (kjo e fundit i ka lindur si gënjeshtër me siguri kur ka parë në video një burrë me çadër që qëndronte pranë Ziver Veizit në monentin që ky u kosit nga plumbat e gardistit Llupo. Nuk kish dalë ende videoja dhe këndi i regjistrimit të krijonte iluzionin sikur burri me çadër diçka bënte në kurrizin e Ziverit të shkretë. Jo rastësisht kjo video, e komentuar sipas rrenave berishiste, u nxorr me shpejtësi në internet), makina me dinamit dhe kamionë me kallashë të përhapura, në media me sinqeritet të shtirë nga delfinët e Berishës, Arben Imami, Sokol Olldashi, Gent Strazimiri, Majlinda Bregu do “faktoheshin”. Kjo shpjegon se përse Berisha ju vërsul edhe kreut të SHISH gjithë mllef, duke e akuzuar si kontribues në puç, sepse nuk kish informuar për një puç që ekzistonte në kokën e Berishës! Dhe më pas nuk la gur pa lëvizur që ta shkarkonte.

21 janari dëshmoi katërcipërisht se Sali Berisha është një temperament autokratik që vuan nga mania për pushtet pafund dhe absolut, dhe se është i gatshëm të bëjë gjithçka, të sakrifikojë gjithçka, të shkelë mbi gjithçka për të kapur dhe mbajtur përjetësisht pushtetin. Të tillë hitlerë, nëse nuk ndalen, i shpien vendet e tyre në greminë ashtu si Adolfi Gjermaninë.

Berisha ka paturpësinë dhe talentin e improvizimit me gënjeshtrën. 21 janari është një rast i rrallë ku një talent i tillë kriminal për të kërcyer nga gënjeshtra në gënjeshtër pa ju dridhur qerpiku, arriti apogjeun e vet. Tha se protestuesit qenë vrarë nga afër, dhe kur dolën videot që provuan se qenë vrarë nga larg dhe prej gardistëve, u hodh te gënjeshtra e puçit dhe, kur edhe kjo nuk piu ujë, u hodh te gënjeshtra e vrasjes pa dashje. Tani, pas pesë vjetësh, i rikthehet gënjeshtrës së Puçit. Ka një besim absolut në forcën e mashtrimit publik dhe të gënjeshtrës. Eshtë një qëndrestar i gënjeshtrës. Të vërtetën e ka patur përherë, kundër prandaj është përleshur me të egërsisht, e ka sharë, përdhunuar, poshtëruar, vrarë e coptuar, sa herë i është dhënë mundësia.

Ka krijuar jo vetëm ca besnikë oborri që pasurohen nga pushteti i tij i themeluar mbi mashtrimin, por edhe një masë të tërë fanatikësh që vdesin për të dhe i janë mirënjohës edhe për një kafshatë. Piramida e nënshtrimit ndaj kultit të tij është tashmë unikale. Ai ështe lideri i vetëm, i mbetur nga koha e rënies së murit të Berlinit, që trashëgon një mbështetje edhe pse në rënie, ende masive, të verbër, tipike për mbështetjen që gëzonin diktatorë si Enver Hoxha apo Çauçeshku. Ai, familja dhe mbështetësit e tij, gëzojnë pasuri tipike për autokratë si Janukoviç. Berisha nuk ka asnjë lidhje me ideologjinë e demokracisë liberale, por përdor aty ku duhet slogane dhe fraza demokratike sa për të mashtruar ndërkombëtarët. Dhe ka 25 vjet që ja ka arritur me sukses edhe në sajë të lobimeve dhe korruptimeve shumëmilionëshe në Uashington apo Bruksel.

Vetëm kjo mund të shpjegojë atë që nuk e kuptojnë dot shumë shqiptarë sot, faktin se edhe pse me krime dhe mashtrime të faktuara si 21 janari, ky autokrat i diskredituar dhe pinjollë të tij si Basha, vazhdojnë të trajtohen nga ndërkombëtarët si partnerë normalë. Mjeshtër i palodhur i intrigave ballkanase që i bëjnë me dhimbje koke dhe ezaurojnë mjaft shpejt të dërguarit e Brukselit apo rivalët e tij, Berisha është specia e fundit e dinozaurëve që trashëgon një mbështetje të verbër dhe masive, prandaj edhe të rrezikshme për demokracinë liberale. Por ka humbur përfundimisht, mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Prandaj ndërkombëtarët bëjnë gabim të tmerrshëm ndaj Shqipërisë dhe demokracisë që vazhdojnë marrëdhëniet me të në emër të realpolitikës apo, me racionalizimin se Shqipëria mund të qeveriset vetëm me liderë të tillë të fortë, që imponojnë nënshtrim. Bëjnë gabim të rëndë që u nënshtrohen skemave të Berishës dhe e luftojnë dekriminalizimin vetëm te ca pak kryetarë bashkish apo deputetë dhe jo te kryekoka e krimit në Shqipëri, që e ka faktuar kriminalizimin e vet me mashtrime e gënjeshtra të provuara publike, me grushte shteti, me shantazhe mbi institucionet dhe mediat. Qëndrime këto, që po rrënojnë fibrën e moralit të shoqërisë shqiptare.

Se, ka më keq se të pranosh që kryekrimineli të udhëheqë dekriminalizmin, që punët e opozitës të drejtohen nga një gënjeshtar që e ka provuar veten si të tillë?! Ky teatër duhet të marrë fund. Ndërkombëtarët e kanë kuptuar, madje ca kohë më shpejt se shqiptarët, se Berisha nuk ka lidhje me demokracinë liberale. Janë pikërisht ata që qysh në fillim të viteve ‘90, kanë denoncuar prirjet autokratike të tij duke i bërë thirrje, si në mars 97, që të heqë dorë. Por është jashtë fuqive të Berishës ta bëjë një gjë të tillë. Sepse Berisha nuk do të qe Sali. Dhe Saliu është karakterialisht i lidhur me çdo formë të shtetit patrimonial, madje edhe me antishtetin, por kurrë, sot më shumë se kurrë, me demokracinë liberale si shtet ligjor. Prandaj është mëkat, deri edhe krim ndaj Shqipërisë, t’ja shesësh shqiptarëve Saliun si partner politik normal dhe t’i kërkosh konsensus për reformën në drejtësi që ai nuk mund të mos e sabotojë.

Jo, Shqipëria nuk është më një vend i qeverisshëm vetëm me autokratë të fortë si Berisha. Eshtë krejt e kundërta. Shqipëria është bërë e pa qeverisshme pikërisht për shkak të kultit anakronik, intrigave pa fund dhe epsheve pa mbarim të këtij autokrati që prej 25 vjetësh, mbetet më i keqi ndër politikanët shqiptarë por, fatkeqësisht, më politikani ndër të këqinjtë. Jo për dije apo për virtyt. Në këto rrafshe është krejt mediokër. Por për shkakun se në Ballkan, pra edhe në Shqipëri, politika dhe intriga janë motra siameze. Dhe në intrigë atij nuk ja kalon askush. Ka ardhur koha që ai të bojkotohet politikisht. Ka ardhur koha që ai të përgjigjet para drejtësisë në emër të barazisë para ligjit. Një akt që do të shënonte fillimin e fundit të pandëshkueshmërsë në Shqipëri. Ndryshe…dihet! DITA

SHKARKO APP