Homazh për Gentin tonë të dashur

Dr. Skënder Demaliaj

Linde në Lezhë, më 18 qershor 1974 dhe u rrite pranë detit të kaltër të Shëngjinit dhe si një kapiten i madh çave shtigje të reja në jetën plot tallaze. E sfidove vdekjen. Linde për të kapur majat më të larta në art, u bëre lider i grupit, vdiqe si lider dhe si burrat pa iu trembur vdekjes.

U formove si artist në Akademinë e Arteve, duke punuar pa u lodhur, me përkushtim për të qenë dikushi në jetë, për të qenë pjesë e pavdekshme e muzikës shqiptare, veçanërisht e muzikës rock. Punove në Radio Televizionin Shqiptar, duke fituar respektin dhe mirënjohjen e të gjithëve. Këndove me qindra herë brenda e jashtë vendit, duke fituar zemrat e të gjithëve. Vlerësimi maksimal i publikut, i jurive, i marrjes së çmimeve të mëdha qenë pjesë e jetës dhe e këngës tënde. Zëri yt i ëmbël si gurgullimat e krojeve të bjeshkës, i pastër si ujët e Valbonës, ledhatues si valët e detit, epik si Bjeshkët e Nëmuna “Baladë për Jakup Ferin”, i shkrirë tërësisht me dhimbjet njerëzore “Mos qaj”.

Thure ëndrra për veten, për ne “Ëndrat që për ty i thura”, por ah, vdekja e pabesë, tinëzare, e pamëshirshme nuk të la t’i realizoje të gjitha. Sikur e parandjeve se vdekja do të të merrte para kohe në krahët e saj, ndaj këndove “Jo tani”. Epizmi dhe lirizmi në këngën tënde qenë pjesë e jetës tënde, e biografisë tënde, e traditës së familjes tënde, e heroizmit të popullit tënd, e vuajtjeve të tij, e jetës së tij të dhimbshme.

Do të na mungosh të gjithë neve, të afërmve, miqve dhe shokëve. Do t’i mungosh nënës tënde, Ilirjanës që të edukoi me dashurinë për njerëzit, do t’i mungosh motrës tënde Arzanës që bëri sakrifica të pafund që ti të shërohesh, do t’i mungosh bashkëshortes Rudit që të fali përherë dashuri e që qe gjithmonë pranë teje, duke të dhënë forcë e kurajo. Do t’i mungosh vajzës Edeas, pa e parë atë në majat më të larta të suksesit, pa e shijuar dasmën e saj, pa përkëdhelur dhe puthur fëmijët e saj.

Do të na mungojë zëri yt i ëmbël, buzëqeshja jote e sinqertë, humori yt plot kolorit. Mbi të gjitha dashuria jote.

Sot po nis udhëtimin pa kthim drejt babit tënd të dashur Vladimirit, i cili të edukoi me virtytet më të mira njerëzore. E kishte marrë malli shumë për Ty, por kursesi nuk do të donte të shkoje pranë tij kaq shpejt.

I lehtë qoftë dheu për ty Gent!

Do të të kujtojmë përherë me shumë mall e dashuri!

 

SHKARKO APP