Homazhe për futbollistin e njohur të Tiranës, Presidenti Meta mesazh ngushëllimi
U zhvilluan paraditen e kësaj të premte homazhet për ish-futbollistin e Tiranës, Skënder Hyka. Hyka lindi në vitin 1944 dhe e kaloi të gjithë karrierën e tij sportive në klubin e vendlindjes “17 Nëntori”, në rolin e sulmuesit.
Ai ka luajtur edhe për ekipin kombëtar në një rast.
Prej vitit 2009 ka qenë kreu i Komisionit të Konkurrencës, ndërsa ishte pjesë e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Me një postim në rrjetet sociale, për ndarjen nga jeta të Hykës ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta, i cili shkruan:
“Ngushëllime të sinqerta familjarëve dhe Klubit të Futbollit Tirana për ndarjen nga jeta të Skënder Hykës. Ai do të mbetet një prej futbollistëve më të dashur të fanellës bardhë e blu të viteve 60-70 dhe një prej sulmuesve dhe golashënuesve më të mirë të kampionatit kombëtar të futbollit. Kontributi i tij i vyer si anëtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe si trajner dhe mësues i palodhur i edukimit fizik, do të mbeten në kujtesën e të gjithëve. Modeli i një qytetari të Tiranës dhe përfaqësues i denjë i familjeve të vjetra tiranase, Skënderi do të kujtohet me mirënjohje dhe nderim nga të gjithë sportdashësit për emocionet e veçanta që ai u dhuroi në fushën e gjelbërt. Jam pranë familjes Hyka, e cila për dekada të tëra vazhdon t’i japë futbollit tonë emra të njohur e të shquar! U prehtë në paqe shpirti i tij!”