Hungaria fillon ndërtimin e gardhit me kufirin serb

Hungaria ka filluar të ndërtojë segmente të shkurtra të gardhit katër metra të lartë me Serbinë si një test – përpara se të vendosë nëse do të rrethojë të gjithë kufirin me fqinjin e saj.

Nga Natalia Zaba, BIRN

 

Ushtria hungareze të hënën filloi përgatitjet e terrenit pranë Morahalom, një qytet i vogël në kufirin jugor prej 6000 banorësh, për ngritjen e një gardhi rrethues katër metra të lartë të projektuar për të ndaluar imigrantët e paligjshëm.

Autoritetet po ngrenë vetëm një gardh eksperimental, jo më shumë se 150 metra të gjatë.

Zgjatje të tilla të shkurtra të gardhit do të ndërtohen në dhjetë vendndodhje gjithsej, ku autoritetet hungareze thonë se janë më të ekspozuara ndaj presionit të imigrantëve.

Ndërtimi i gardhit përgjatë kufirit 175 km të gjatë me Serbinë do të kushtojë rreth 20 milionë euro, sipas vlerësimit.

Pas një periudhe nga tre javë deri në një muaj, qeveria hungareze do të vendosë nëse do të vazhdojë ndërtimin e pjesës tjetër.

“Çdo ditë ne kapim 500 njerëz,” tha Zoltan, një oficer vendas i kufirit, 24 vjeç, i cili mbikëqyr pjesën Morahalamom të kufirit.

“Ata vijnë herët në mëngjes çdo ditë për disa muaj. Njerëzit nga Assathalomi janë shumë të mërzitur për këtë situatë. Ata duan të jetojnë në paqe,” tha ai.

Mbi 70,000 imigrantë nga Afganistani, Afrika dhe Siri kanë mbërritur në Hungari që nga fillimi i këtij viti, një rritje e ndjeshme e shifrave për 2014 dhe 2013.

Refugjatët mbërrijnë në Hungari përgjatë rrugëtimit nga Turqia në Serbi dhe Maqedoni. Shumica drejtohen për në Europën Perëndimore , në Gjermani mbi të gjitha. Gjermania mori një rekord prej 180,000 azilkërkuesish vetëm në gjysmën e dytë të këtij viti.
Morahalom është një qytet i vogël rreth 20 km nga qyteti hungarez i Szegedit dhe rreth 40 km në veri të qytetit serb Subotica.

Javën e shkuar, policia serbe, hungareze, austriake dhe gjermane ranë dakord të kryenin më shumë aksione të përbashkëta për të ndaluar imigrantët dhe për të shinjestruar trafikantët e tyre.

Karol Papp, drejtor i policisë në Hungari, tha se patrullimet e përbashkëta të policisë hungareze dhe serbe po sillnin tanimë rezultate domethënëse në parandalimin e kalimit ilegal të kufirit.

“Ne kemi dhënë të gjithë ndihmën e duhur për policinë serbe dhe është shumë e rëndësishme që të dyja policitë të bashkëpunojnë mirë,” tha Papp.

Ai tha se nuk ishte i sigurt se kur do të fillojë ndërtimi i gardhit nga Hungaria në kufirin me Serbinë sepse “është tanimë në fazën e planifikimit”.

Vendasit në Assathalom përgjithësisht e mbështesin idenë e një gardhi, megjithëse disa vendas pyesin veten nëse ndërtimi vetëm në segmente të caktuara do të ketë kuptim.

“Nuk e di nëse do të ketë ndonjë efekt. Një gardh 100 metra nuk do të na ndihmojë sepse imigrantët do ta kalojnë kufirin në pika të tjera pa gardh,” tha Veronika Dobo, ndihmës-kryetare e bashkisë të Assathalom.

Hungaria tha në mesin e qershorit se po konsideron ndërtimin e një gardhi me të gjithë kufirin serb për të ndaluar rrjedhën e imigrantëve të paligjshëm.

Zyrtarët serbë fillimisht dënuan planin dhe kryeministri serb Vuçiç tha se nuk ishte zgjidhje për të kontrolluar valën e imigrantëve, duke shtuar se Serbia nuk ka faj për imigrantët e paligjshëm.

Megjithatë në një takim të përbashkët të dy qeverive në Budapest më 1 korrik, Hungaria tha se gardhi i ri nuk i drejtohej Serbisë, një pikë që Vuçiç duket se e pranoi.

SHKARKO APP