Hyn në fuqi skema ere e pensioneve, ja përfitimet
Nga 1 janari 2015, kanë ndryshuar rregullat e deritanishme për daljen në pension dhe kuotat që përfitohen në kuadrin e tij. Dhe kjo, falë ligjërimit të skemës së re të pensioneve, hartuar nga kabineti “Rama” si një ndër reformat e saj kryesore të hartuara gjatë qeverisjes së tij. Ku risia më e madhe e saj është ajo e pagesës edhe të atyre me një pension të veçantë edhe të personave që nuk kanë mbushur vitet e duhura. Konkretisht, fjala është për të ashtuquajturin “pension social” prej 65 mijë lekësh për ata që nuk plotësojnë kushtet për të patur një pension. Pa harruar as faktin tjetër se tani e tutje do trajtohet me një pension social rreth 6.500 lekë në muaj, edhe një person që nuk ka paguar sigurimet shoqërore. Kjo vlerë përfitohet në moshën 70 vjeç dhe nëse vërtetohet se përfituesi nuk ka asnjë të ardhur tjetër. Ky trajtim është konsideruar si i ashtuquajtur minimum jetik dhe në skemën aktuale kjo zgjidhej nga dhënia e ndihmës sociale. Sikundër, një risi tjetër është edhe rritja graduale e moshës për gratë dhe burrat, për të arritur deri 67 vjeç. Konkretisht, ligji i ri parashikon rritje graduale të moshës së daljes në pension për gratë, me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç, në vitin 2032. Më në detaje, që nga viti 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç, për të dy sekset, në vitin 2056. Aktualisht, në Shqipëri, koha mesatare e gëzimit të pensionit për të dyja gjinitë është 21.4 vjet, 19.2 vjet për meshkujt dhe 24.2 vjet për femrat. Pra, koha e gëzimit të pensionit për femrat është 5 vjet më e lartë se e burrave, për dy arsye kryesore: jetëgjatësia më e madhe e femrave se meshkujt si dhe dalja në pension pleqërie më herët se ata. Bazuar në regjistrin elektronik të pensioneve, si dhe në parashikimin e numrit të pensioneve të reja, aktualisht, numri i grave që dalin në pension pleqërie është rreth 15 200, me një efekt mesatar vjetor prej 2,6 miliardë lekësh. Për të shmangur efektet sociale është përcaktuar që kjo rritje moshe të bëhet në mënyrë graduale, duke u rritur me vetëm dy muaj në vit dhe efektin e plotë do ta ketë në vitin 2032, ose pas 18 vjetësh. Në vitin 2032 do të dalin në pension, në moshën 63 vjeç, femrat e lindura në vitin 1969. Gjithashtu, skema e re parashikon edhe heqjen e kufizimit të pensionit maksimal, ndërsa kontributet derdhen duke llogaritur vetëm një kategori të pagës minimale. Por në të njëjtën kohë, ajo synon edhe të zhdukë diferencën mes pensioneve rurale dhe urbane dhe nuk ofron më privilegje të veçanta për fermerët, por i përfshin ata në skemën e vetme të vendit.
Ndryshojnë kufijtë e pagave
Duke filluar nga viti 2015 e në vazhdim, kontributet do të derdhen duke llogaritur vetëm një kategori të pagës minimale. Aktualisht, paga minimale, për efekt të derdhjes së kontributeve, është e ndryshme nga paga minimale në shkallë vendi, ndërkohë që, për shkak të defekteve të formulës së pensionit, përfitimi është i njëjtë. Kjo do të sjellë automatikisht një rritje të pagës minimale për të vetëpunësuarit, e cila aktualisht është 19,406 lekë, teksa ajo do të barazohet me pagën minimale në shkallë vendi (për të punësuarit dhe punëdhënësit), që është aktualisht 22 mijë lekë. Nga ana tjetër do të rritet edhe paga maksimale, e cila do të llogaritet si pesëfishi i pagës minimale të unifikuar (pra 22 mijë lekë) dhe jo më si pesëfishi i pagës minimale për të vetëpunësuarit (19,406 lekë). Si rrjedhojë, paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve nga 1 janari do të jetë 110 mijë lekë, nga 97,030 lekë, që është aktualisht, pra një rritje prej 13.3%.
RIPËRCAKTIM KOEFICIENTËSH
Mënyrë e re përllogaritje
për të caktuar një pension
Duke filluar nga data një janari 2015 e në vazhdim do të bëhet ripërcaktimi i koeficientëve të indeksimit të bazës së vlerësuar, përcaktimi i një page referuese për vjetërsinë e punës në ish-kooperativat bujqësore, eliminimi i dyshemeve administrative, që krijonin shkëputje në llogaritjen e pensioneve fshat-qytet. Duke qenë se në harkun kohor 1994-2014, indeksi i rivlerësimit të pagave për efekt të pagimit të kontributeve ka qenë i lidhur me nivelin e kontributit mesatar, është deformuar e dëmtuar, për shkak të rritjes së tavanit të pagës mbi të cilën paguhen kontributet nga 1/3 në 1/5, duke filluar nga viti 2002, por edhe për shkak të uljes së normës së kontributit ndaj pagës nga 42,5 në 24,5%. Për këto arsye, paga e rivlerësuar minimale mbetet rreth 20% më e ulët se paga minimale aktuale. Për efekt të llogaritjes së pensioneve, me datë fillimi pas 1.1.2015 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese, sipas llojit të punës, ose funksionit përpara datës 1.1.1994, si dhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet, sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2014.