Hysen Çobani, legjenda e bujqësisë shqiptare

Nga prof. dr. Ago Nezha

U nda nga jeta një nga legjendat e bujqësisë shqiptare Prof.Dr. Hysen Çobani, MJESHTËR I MADH. Ai u lind dhe u rrit në një familje me tradita të ngjizura patriotike e me ndjenja të theksuara kombëtare. Specialisti që tërë jetën e tij ja kushtoi bujqësisë duke derdhur djersë e dije për transformimin e saj nga një bujqësi primitive në një bujqësi të përparuar bashkëkohore. Ai ishte intelektual me kulturë të gjerë, me vizion të qartë, me kurajë për të shkelur shtigje të vështira për të bërë revolucion në ndryshimin e prapambetjes së trashëguar nga e kaluara. Aftësitë e tija tekniko-profesionale dhe niveli i lartë shkencor bënin të mundur që në të gjitha pozicionet e punës që ka pasur gjatë jetës së tij si specialist dhe drejtues shkencor, të njihte vetëm suksese. Profesor Hysenin do ta kujtojnë brezat si një kalorës fitimtar në “shpinën” e bujqësisë. Në profesionin e tij plot privacione ai është mbështetur nga familja e tij fisnike që e ka pasur pranë në çdo hap të jetës. Edhe në vitet e para të lindjes së pluralizmit, Profesor Hyseni, u radhit qysh në fillimet e saj në krahun e njerëzve që sollën ndryshimin dhe fitoren e demokracisë. Për kontributin dhe veprën e tij, ai do të mbetet emblemë e pashlyeshme në kujtesën historike të punonjësve të bujqësisë dhe flamurtar për lindjen dhe konsolidimin e demokracisë.

Po të ndjekësh në dinamikë jetën e Profesor Hysen Çobanit, ai është një aktorë në fushën e bujqësisë. Vazhdimisht ka lozur disa role të suksesshme. Fillimisht ka sfiduar rendimentet e ulëta në kulturën e misrit, duke marrë mbi 100 kv për ha. Por ai gjithmonë dilte në skenë si njeri ambicioz. Në vazhdimësi donte të startonte me role të reja. Edhe kur “regjisorët” e kohës, e paragjykonin dhe shfaqnin dyshime për role madhore, ai kishte kurajo të shkelte shtigjeve të vështira të rendimenteve të larta. Rendte mbas teknikave dhe teknologjive bashkëkohore, duke aplikuar modele e metoda të reja. Ai nxiste njerëzit përparimtarë për ti pasur rreth vetes si përkrahës të së resë. Kulturën dhe dijet profesionale, i injektonte te fermerët që dashuronin eksperiencën e përparuar. Njerëzit e kulturuar, si profesor Hyseni, mbartin një pasuri të madhe kombëtare. Me dijet e tyre, konceptet e reja për punën , në dinamikën e jetës së tyre, kanë ndryshuar dhe përshtatur me kërkesat e kohës. Ndryshimet dhe interpretimet e roleve gjatë jetës së tij, kanë qenë të ndryshme, të vështira, por të suksesshme. Duartrokitjet në vite i ka korrur prodhimi. Ai ka ngritur blloqe të mëdha industriale në fruti-olivikulturë, vreshtari dhe perimekulturë. Si një aktor “hollivudjan”, ai bëri ndërhyrje të guximshme për kohën.në fermën Gjergj Dimitrov, e në Ndroq të Tiranës. Këta tregues, sot mund të tingëllojnë disi anakronik për kohën. Por le të kujtojmë që një veprim i tillë, i kryer në NB “Vlora”, nga një koleg i tij, kryeagronomi fermës, u dënua me disa vjet burg, për krasitjen e rëndë të ullinjve, duke e konsideruar nga pushteti si sabotim. Në atë kohë iniciativat ekstreme kërkonin jo vetëm njerëz të guximshëm, por edhe të mençur, për të përballuar stuhitë e sistemit. Ai ka qenë gjithmonë në lëvizje, në kërkim të së resë. Nuk e kanë trembur kurrë vështirësitë, lodhja, pengesat, e barrierat artificiale. I ka kapërcyer si sprinter i fuqishëm. Në “olimpiadat e prodhimit” gjithmonë ka dalë fitimtarë. Qetësia kë qenë armiku i tij, i pa pajtueshëm. Çdo gjë që fle, e ka përbuzur. Ka shkelur mbi qetësinë dhe rehatinë personale e familjare, për të mos qenë kurrë inferior në tregun e opinioneve të kohës. E ka privuar familjen e tij nga jeta komode dhe e privilegjuar. Ndaj edhe shkëlqeu në të gjithë rolet që ka luajtur në ekonomi të ndryshme, me struktura mozaikë prodhimi. Kudo mbante në dorë pasaportën e së resë, progresives. Me eksperimentimin e tij shkencor në kushtet konkrete të ekonomisë, ka thyer kufijtë e punës eksperimentale, rutinë të mëparshme, duke dalë nga kornizat dhe interesat e ngushta imediate, duke e parë larg dritën e perspektivës, në fund të tunelit. Botëkuptimi, kultura, ndërgjegjja shoqërore dhe traditat e lashta të familjes Libohovite, Hysen Çobanin, e kanë bërë një aktor që si kanë dështuar rolet, jo vetëm në prodhim, por edhe në shkencë. I ngriti shkallët nga podiumi i prodhimit, hipi në podiumin e shkencës. Edhe në këto lartësi të dijeve, nuk mund të ndodhte ndryshe. Ai u prezantua si një shkencëtar virtuoz. I suksesshëm në lëmin e kërkimit dhe të drejtimit të institucioneve kërkimore-shkencore. Fillimisht e nisi punën si bashkëpuntor shkencor në IKB, Lushnjë dhe mandej në IPP, Tiranë. Ai punoi jo pak, por plot 20 vjet në fushën e kërkimit shkencor, duke i përgjysmuar, 10 vjet, punoi si drejtor i institutit të Perime Patates. Studimet e tij kanë hyrë në fondin klasik të eksperimentacionit bujqësor, siç janë : Vlerësimi i fraksioneve të farës së misrit,për dy e më shumë prodhime në vit, për krijimin e 300 linjave të reja në domate, po kështu në pemëtari e vreshtari ka futur lloje të reja me prodhimtari të lartë.Me punën e tij eksperimentuese ai u bë pengesë për lloje të ndryshme farash që vinin n ga Italia e Bullgaria. E kam njohur profesor Hysenin si një njeri tepër energjik, me ritme rinore, me freski mendore, sfidues të moshës e rutinës profesionale. Më kishte rënë rasti ta dëgjoja duke kumtuar plot elokuencë e elegancë,një orator i vërtetë. Ai jo vetëm që fliste bukur, por shkruante bukur. Jeta e tillë është, një arenë cirku që të ledhaton, të josh, të privilegjon, por edhe të privon nga aspirata, dëshira,dhunti që i ke të lindura, apo ti ushqen mjedisi familjar e shoqëror.Por njeriu që ka egoizëm në jetë për të shprehur aftësitë e tij , nuk ja burgos dot ambiciet, dijet dhe vullnetin e gjithëpushtetshëm për të arritur në majat e një karriere të merituar me djersë e dije. Dhe këto cilësi profesor Hyseni i kishte të sendërtuara në qënjen e tij njerëzore. Dhe shpërblimi e nderimi më i lart nuk mungoi.U dekorua nga Presidenti i Republikës z. Alfred Moisiu, me Urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Njeriu që deshi artin, letërsinë, në rrugën e gjatë të jetës, ja fali dashurinë bujqësisë, pa i harruar edhe ato që i kishte të lindura. Nw dimensionin e tij human ai ishte një mysylman që besonte te zoti dhe respektonte çdo besim tjetër fetar.

Ai, u nda nga jeta duke lënë pas një emër të pavdekshëm që shkroi me punën dhe veprën e tij në shërbim të kombit. Por çdo sukses nuk arrihet po nuk pati një klimë të favorshme. Kur prezantohesh me familjen e Profesor Hysenit, me bashkëshorten mësuesen fisnike Vinjesa Spahiun, vajzën e tij Enin dhe djalin Blendi Çobanin, e kupton që në një mjedis të kulturuar familjar mund realizosh qëllime të larta. Vinjesa Spahiu, e bija e mjekut kirurg Fadil Spahiu, u lidh me profesor Hysenin, falë dashurisë së tyre, që përkoi edhe me një amanet të gjyshit të saj me ndjenja patriotike, që kishte dëshirë që një nga fisi i tij të lidhte jetën me një libohovit, në respekt të veprës së Avni Rystemit, që krahina e Lumës e kërkoi dhe e zgjodhi deputet. S’ka histori, pa trashëgimi. Kjo ja lehtëson dhimbjen dhe e mbush me krenari familjen e Mjeshtrit të Madh, Hysen Çobanit.

 

SHKARKO APP