I braktisur nga familja, pa asnjë fjalë, Xhuvani lihet në burg

Kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa dhe nëndrejtori i Sektorit të Krimeve të Rënda, Rebani Jaupi, kanë përgëzuar ditën e djeshme policët që arrestuan në flagrancë autorët që kryen masakrën e 4 nëntorit, duke iu premtuar edhe nga një rrogë shtesë. Efektivët e Policisë, të cilët realizuan kapjen në kohë të Kostandin Xhuvanit, si i dyshuari kryesor në vrasjen e katër personave mëngjesin e të martës, duke qenë se u përballën me rrezikun për jetën, do të shpërblehen. Burime pranë Policisë së Kryeqytetit bëjnë të ditur se dy zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit janë paraqitur dje në Komisariatin numër 1 Tiranë, pjesë e të cilit janë dhe dy efektivët që realizuan ndërhyrjen e menjëhershme mëngjesin e 4 nëntorit, duke vënë në pranga Konstandin Xhuvanin dhe dy të tjerë, për t’i përgëzuar dhe motivuar edhe me një pagë shtesë. Duhet theksuar, se pas lajmit forcat blu reaguan brenda 7 minutave, duke kapur autorët e krimit.

 

Gjykata vendosi “arrest me burg” ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e katërfishtë,. Kostadin Xhuvani, nën masa të forta sigurie, u përfaqësua nga një avokat i  shtetit 

 

Kostandin Xhuvani, i dyshuari kryesor i Prokurorisë për vrasjen e katër personave më 4 nëntor,  në një lokal nate kryeqytet, doli dje para gjykatës. Ashtu siç pritej gjykata vendosi masën “arrest me burg” ndaj tij, sikurse dha të njëjtën masë ndaj të arrestuarit tjetër mbi këtë ngjarje, Erald Sida, që akuzohet për moskallëzim krimi dhe ushtrim prostitucioni. Seancat ndaj dy të pandehurve nuk zgjatën më tepër se 20 minuta dhe gjykatësja Enkela Bajo Vlora, nuk e pati të vështirë, si në seanca të tjera ku presioni i familjarëve të personave të pandehur është i lartë, që të pranonte kërkesës e Prokurorit Enklid Gjini, në këtë rast dhe të linte burg dy të akuzuarit.

Braktisa e Xhuvanit!

Kostadin Xhuvani, djali i vetëm i deputetes tashmë të dorëhequr, dhe njëkohësisht aktores së njohur, Luiza Xhuvani, si dhe regjisorit Gjergj Xhuvani, është përballur dje me drejtësinë, pa praninë e dy prindërve, por as të ndonjë familjari tjetër. Kësisoj, i braktisur ai mësoi masën “arrest me burg”, si i dyshuari kryesor mbi vrasjen e katërfishtë që ndodhi mëngjesin e 4 nëntorit. Pas arrestimit të tij dhe para se të dilte para gjykatës, mësohet se vetëm e motra Kostadinit ka këmbëngulur për ta takuar, dhe e shoqëruar nga halla, vendosi ta vizitonte në qeli. Përballë gjykatës, në seancën e djeshme, Kostadini nuk ka tha asnjë fjalë, sipas porosive, që i kishte dhënë avokati i tij.

Me pranga, në gjyq

Xhuvani u paraqit para gjyqit me pranga në duar dhe ashtu u la edhe brenda kafazit ku ulen të akuzuarit, që përballen me Gjykatën e Tiranës. Përfaqësues të medieve që u lejuan vetëm në fillim të seancës së djeshme, i tërhoqën vëmendjen e trupit gjykues, duke e cilësuar këtë një shkelje që i bëhet të pandehurit, jo në përputhje me procedurat ligjore. Gjykatësja më pas vendosi, që Xhuvanit t’i hiqen prangat. Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida, të akuzuar për vrasjen e katërfishtë që ndodhi mëngjesin e 4 nëntorit tek rruga e Elbasanit, mbërritën në ambientet e Gjykatës së Tiranës dje rreth orës 10:30. Nën masa të larta të sigurie, pas seancës, ata u kthyen sërish në paraburgimin 302, ku do të qëndrojnë deri në përfundim të hetimeve nga prokuroria. Më pas ata do të përballen me vendimin, që do të merret nga Gjykata Penale, mbi akuzat që u janë ngritur.

Avokati, nga shteti

Familja Xhuvani, ashtu siç ishte paralajmëruar, nuk pranoi të paguante një avokat për të mbrojtur djalin e tyre të vetëm, Kostadinin. Ky i fundit, para seancës së djeshme, kishte kërkuar që të mbrohej nga avokati, Ardian Leka, i cili e kishte përfaqësuar Xhuvanin në proceset e kaluara gjyqësore. Avokati Leka ndodhej dje pranë gjykatës, por në ambientet e jashtme, më tepër ndoshta nga kurioziteti për të ndjekur ecurinë e procesit gjyqësor. Në këto kushte, gjykata caktoi një avokat tjetër, Violen Çelniku. Avokati i caktuar nga shteti, Violen Çelniku, tha para procesit gjyqësor: – “Nuk kemi asnjë pretendim më shumë se akuza e prokurorit. I kërkova të akuzuarit, që të mos japë asnjë shpjegim në këtë seancë gjyqësore.” Kostadini, ashtu veproi, teksa u përgjigj duke konfirmuar me një “Po”, vetëm kur e pyetën për emrin, si dhe nëse kishte qenë më parë me precedentë penalë.

Xhuvani ishte i dënuar më parë për krimin që kishte kryer në vitin 2011, kur vrau shokun e tij, Alfred Musabelli. Për këtë krim, ai u dënua me 2 vjet, për shkak se akuza ndaj tij ishte “në kushtet e vetëmbrojtjes së pamjaftueshme”, si dhe ngaqë shprehu pendesë.

SHKARKO APP