I flet Majkos, të dëgjoj Luli!
Nga Mero Baze – Ndërsa kryetari formal i Partisë Demokratike është nisur për në Uashington, me një delegacion pjesërisht të imponuar nga Berisha, për të qenë i sigurt rreth asaj çfarë do t’i kërkohet, Sali Berisha ka nisur një fushatë në Tiranë, për padobinë e reformës në drejtësi, injorimin e saj dhe përpjekje për ta lexuar si diversion të Ramës kundër Metës, deklaratën e Majkos për zgjedhje të reja.
Sikur të ishte dakord me Majkon për zgjedhje të parakohshme, nëse dështon reforma, gjysma e së keqes. Por, problemi i tij është se nuk do as zgjedhje, as reformën.
Ndërsa deklarata e Majkos është parimore dhe i adresohet dështimit të reformës, nëse Berisha voton kundër, Berisha nga ana e tij është duke folur 24 orët e fundit për të mos votuar fare reformën në drejtësi, por vetëm Byronë Kombëtare të Hetimit, dhe pastaj rendit një sërë kushtesh se si qeveria duhet t’i dorëzojë atij pushtetin në tavolinë.
Duke qenë i vjetër në politikë, e di mirë se asgjë nga ato që thotë nuk kanë për t’u bërë, por retorika e tij e shtuar e 24 orëve të fundit, për panevojën e reformës në drejtësi, ka të bëjë pikërisht me udhëtimin e Bashës në Uashington. Sipas axhendës që ka Basha, ai do të takohet në Departamentin e Shtetit me zyrtarët më të rëndësishëm që mbulojnë Shqipërinë dhe rajonin, dhe do t’i kërkohet në mënyrë të qartë të votojë reofmrën në drejtësi dhe të ndajë retorikën politike të Berishës nga aksioni opozitar, lidhur me reformën në drejtësi.
Problemi i Berishës është të krijojë një kakofoni zërash e kushtesh nga opozita, të lodhshëm dhe dëshpërues kundër reformës, duke shpresuar se kështu ja lehtëson vizitën Bashës në Uashington, duke u thënë atyre, siç u thotë rëndom dhe në zyrë të tij, që “nuk kam çfarë t’i bëj Berishës”.
Brenda 24 orëve Berisha po flet për injorim të reformës në drejtësi, heqje të saj nga axhenda, miratim të Byrosë së Hetimit, por dhe këtë, sipas një versioni që e do ai, pastaj dorëheqje të Edi Ramës, pastaj zgjedhje, dhe mundësisht Rama dhe PS të mos hyjë as në zgjedhje, që ai të vijë në pushtet. Edhe pse është qesharak në gjithë ato që thotë, ai nuk ka hall as të komentojë çfarë thotë Majko, as të bëjë diversionin Rama- Meta, as të miratojë Byronë e Hetimit, por thjesht të lehtësojë pozitën e Bashës në Uashington, që të mos i thonë “O me ne, o me Berishën”. Duke u përpjekur të krijojë një klimë pasigurie dhe injorimi të reformës, ai mendon se Uashingtoni jeton dhe fillon ditën e punës me deklartatat e tij dhe Palokës, dhe kështu “duhet të jenë sqaruar” që ky nuk e do reformën dhe nuk kanë për t’ia kërkuar as Bashës.
Nga ana tjetër, sokëllima e e tij për “t’i folur Majkos që të dëgjoj Luli”, ka të bëjë dhe me pasguritë që ai ka tek Basha në biseda me të huajt dhe sidomos gjatë kësaj vizite, ku ka frikë se ai do të dorëzohet në prani të tyre dhe do t’u thotë “Po” për reformën. Dhe i turbulluar nga e gjithë kjo situatë, nga afrimi i orës për të thënë “Po” ose “Jo” për reformën, i lënë në baltë nga qëndrimi zyrtar i Metës, që po vazhdon të bëjë thirrje për votimin e reformës, dhe mbi të gjitha i brejtur nga makthi se mos Basha i thotë “nuk i kundërshtoja dot, u dhashë fjalën”, ai ka ngelur si një tellall rrugësh që bërtet me zë të lartë, për t’i nxerrë frikën vetes nga ajo që mund të ndodhë. Dhe s’di çfarë të kërkojë, pasi dhe zgjedhjet dhe reforma e vrasin të dyja njësoj.
TEMA