Ide për Republikën Federale Europiane…

Sikur të mëtoj disa nga mangësitë e Bashkimit Europian, për të cilat konsiderohet si ‘tabu’ guximi për t’i përmendur, mund të has në antipatinë e politikanë nacionalistë dhe të liderëve të tillë, por mbase edhe në mirëkuptimin e tyre të heshtur…

Nga Vladimir Lulaj

Problem kryesor në Republikën e përkohëshme parlamentare të Shqipërisë mbetet mungesa e Shtetit Juridik, jollogaridhënia e institucioneve strategjike përpara pushteteve të pavarur shtetërorë, mungesa e sovranitetit të ligjit dhe mentaliteti i kufizuar i pushteteve të përkohshëm politikë destruktive; të cilët komandohen nga disa individë neodiktatorë, që nuk i japin llogari askujt, përveç egocentrizmit të tyre narcist.

Pra rrudhtazi themi se e gjithë klasa politike shqiptare ka 27 vjet që teorikisht flet ‘dokra’ për sistemin e ri demokratik, por de facto mendon dhe vepron sipas koncepeve të ‘Partisë – Shtet’; sepse aktorët e saj kanë kulturë politike amorfe, të pa sistemuar nga dijet filozofike të Shtetit ligjor; eventualitete këto që mund të studiohen vetëm në akademitë politike shtetërore të rangut kombëtar.

   ***

Autori i këtij shkrimi mendon se ‘kllasa’ politike e Shqipërisë ka dështuar në të gjitha pikëpamjet strategjike të sendërtimit dhe funksionimit ligjor të shtetit demokratik; madje, së fundi, në një kohë kur kjo ‘kllasë’ deklaron se e ardhmja e Shqipërisë realizohet duke iu nënshtruar haptazi strategjisë pragmatiste të ‘sovranitetit të kufizuarit’; synon të mbijetojë përballë presionit të Konfederatës së Bashkimit Europian, duke përdorur si frazeologji mbrojtëse pikërisht tautologjinë boshe, krejt shterpe dhe pa të ardhme, të ‘mbrojtjes së sovranitetit të interesave kombëtare nacionale’..

Kundërthënie të tilla mëtojnë se Republikës së Shqipërisë i mungon fryma e lidërshipit kolektiv nacional – federativ dhe vizioni i shtetarëve aktualë është tepër i vjetëruar, aspak modern dhe shumë démodé krahasuar me objektivat immediate, perspektive, si dhe të ardhmen evropiane të popullit shqiptar brenda bashkësisë së Kombit të Përbashkët Europian, me një strategji dhe shtet të unifikuar europian.

   ***

Shpesh të dërguarit zyrtarë të Bashkimit Europian flasin për detyrimet që ka shteti ende nacionalist i Republikës parlamentaro – partiake të Shqipërisë kundrejt  Bashkimit Europian; por asnjëherë nuk e shtrojnë problemin ndryshe: se si duhet t’a trajtojnë ata, me shumë racionalitet, seriozitet, me vendosmëri parimore dhe pa zvarritje, për t’i dhënë zgjidhje efektive, perfundimtare dhe permanente cështjes së sovranitetit të kufizuar të Shqipërisë, që prej kohësh i  është ‘përulur’ sovranitetit vendimarrës të Unionit Europian.

Bazuar te konceptet filozofike hegeliane, mbi sendërtimin dhe funksionimin e

shtetit ligjor modern, mund t’i parashtroj rrudhtazi kritikat e mia ndaj mefshtësisë organizative dhe pasivitetit të dukshëm lidhur me centralizmin e munguar në pikëpamje të funksionimit të Bashkimit Europian; e cila konstatohet të jetë thjesh një konfederatë shtetesh nacionale, shumica e të cilave ‘kujton me krenari’ historinë e vet nacionaliste, pa menduar se ka ardhur koha për të bërë catharsis lidhur me ‘historinë e turpëshme’; kur ushtritë e shteteve të fuqishëm, me violencë e dhunë pushtonin, vrisnin dhe sundonin popujt e vegjël, ose më pak të fortë.

   ***

Sikur të mëtoj disa nga mangësitë e Bashkimit Europian, për të cilat konsiderohet si ‘tabu’ guximi për t’i përmendur, mund të has në antipatinë e politikanë nacionalistë dhe të liderëve të tillë, por mbase edhe në mirëkuptimin e tyre të heshtur.

Të gjithë e dinë se Bashkimi Europian de facto është një Konfederatë Shtetesh Nacionale dhe jo Federatë e unifikuar Europiane. Bashkimit Europian  i mungon Ushtria e Bashkuar e Bashkimit Europian; i mungojnë tre pushtetet e pavarur shtetërorë me juiridiksion tokësor, de jure dhe de facto, në gjithë hapësirën ajrore, detare dhe tokësore të Shtetit ende të munguar Federal Europian; i mungon Inteligjenca e Shërbimit Federal të BE; i mungon Kushtetuta e Kombit Europian dhe Gjykata e Saj Kushtetuese; i mungon Policia e unifikuar Shtetërore e Federatës Europiane; i mungon Banka Kombëtare e Federatës Europiane; i mungon flamuri dhe hymni i kombeve të bashkuara të Federatës Europiane, që duhet të ketë aq yje sa ka nacionalitete Kombi i Bashkuar Europian;  i mungon Qeveria Federale e Bashkimit Europian; i mungon Presidenti dhe institucioni presidencial i zgjedhur drejtpërsëdrejti nga Populli; i mungon Kongresi Zgjedhor i Federatës së Shtetit Europian dhe Senati i Bashkimit Europian; ka shumë mbretërira, ose atavizma, që duhen respektuar si asete historike dhe kulturore me përmbajtje diversive vetëm në pikëpamje të së shkuarës, që s’mund të vendosin pengje, as të hedhin‘vickla nacionaliste pragmatiste’ si  qeveritarët e Hungarisë, ose kushte për të ardhmen e përbashkët të Kombit të Bashkuar Europian; ku historitë e shteteve me prejardhje nacionaliste mbretërore nuk duhet të bëhen pengesë për sendërtimin dhe funksionimin e Shtetit Ligjor të Federatës Europiane.

   ***

Historia e “brex’-it vërtetoi se politikëbërësit e Britanisë së Madhe, ose liderët e mbretërisë së Anglisë nuk mbartnin vision , vullnet dhe as dëshirë për të ‘harruar’ historinë e ‘lavdisë së dikurëshme të perandorisë së vet’; ndaj konservuan sistemin e vjetër monarkik, duke shpërfaqur kësisoj mentalitet ‘racist’ dhe ‘superioritet historik’ kundrejt Konfederatës së brishtë Europiane; por jam i sigurtë se, disa dekada më pas, kur Federata Europiane të jetë forcuar dhe unifikuar si Kombi i ri strategjik, konkretisht të jetë bërë një nga tre superfuqitë ekonomike dhe ushtarake të Botës, jo vetëm shteti nacionalist anglez, por mbase edhe shteti i Republikës Federale të Rusisë, do t’i bëjnë krejt ndryshe llogaritë eventuale. Dhe atëhere,  kur e ardhmja e Kombit Europian të jetë një histori e madhe moderne suksesi, nipërit dhe mbesat e Konfederatës së sotme të Kombit Europian mund të zhvillojnë një referendum paneuropian për të vendosur lidhur me pranimin ose jo në Bashkimin e madh Europian të atij shteti, tashmë ‘racist’, që, përballë një konfederate europiane ‘plot halle nacionale’, quhet Britani e Madhe..

   ***

Federata Europiane nuk mund të krijohet, mbijetojë, lulëzojë, begatojë dhe sigurojë të ardhmen e popujve europiane pa krijuar një vizionin, kohezion dhe mentalitet strategjik të unifikuar nga Shteti Kombëtar i Kombeve të Unifikuar Europianë. Detyrat immediate dhe perspektive të Shtetit Federal Europian nuk kanë lidhje sentimentale me historinë ‘epike dhe lavdinë’ e dikurëshme të mbretërive dhe nacionaliteteve ‘superiore’, që konsideronin si ‘armik’ popujt fqinjë dhe përdornin forcën dhe dhunën ushtarake për t’i sunduar, shfrytëzuar dhe skllavëruar.

Historia e shkuar dhe sotme, me dy luftëra botërore dhe dhjetra luftëra lokale brenda harkut të një shekulli të vetëm, nuk përbën përvojë konstruktive, ose modelin e duhur, që duhet ndjekur për ndërtimin e së ardhmes sociale të Planetit; sepse grimcat e përjetëshme të Zotit, Natyra Universale e Gjithësisë, ose Krijuesi Mitik dhe i Mistershëm i Jetëve Diversive,  nuk i krijuan kryeveprat e qënieve të ndërgjegjëshme, Popujt, për të pushtuar, sunduar, shfrytëzuar dhe asgjësuar njeri – tjetrin.

Historia e shkuar e Popujve të Kontinentit Europian, aspak e lavdishme në pikëpamje filozofike, dialektikisht nuk mund t’i marrë mendjen intelektit të shtetit të organizuar dhe funksional të Republikës Federale Juridike Europiane; sepse e Sotmja e studion të shkuarën ‘e lavdishme nacionale’ për të dominuar gabimet e historisë sociale.

   ***

Historia rrjedh pandërprerë si një lum’ i gjerë; që, pasi ka përftuar dhe qetësuar brenda shtratit të vet përrenjtë e cekët dhe të rrëmbyer ‘nacionalë’, vazhdimisht dhe pa ndalim bashkon rrjedhën me  një ‘oqeani të madh, të bukur, vigan, të gjatë, të gjerë, të urtë dhe të thellë’; i cili merr frymë qetësisht si njerëzisht e zakonshëm dhe paqësorë në jetë, pa u grindur me ‘oqeanët e tjerë’, që ka Toka; sepse oqeanët kanë për kufi  të përbashkët për miliarda vjet qiellin e pafund, ndaj nuk mund t’a pushtojnë dhe sundojnë njeri tjerin..

SHKARKO APP