Ideologjia agresive që solli Luftën e II Botërore

Nga Safet Ramolli -Lufta II Botërore u zhvillua në harkun e 2077 ditëve, (1 shtator 1939-8 maj 1945 S.R), e mjaftueshme për t’u kryer ato akte mizore, për të cilët njerëzimit i skuqet faqja edhe sot. Ishte një përleshje globale, që ngërtheu popullsinë, ekonominë dhe burimet natyrore të 61 shteteve, të cilat përbënin 80 % të popullsisë së globit. Veprimet luftarake u zhvilluan në territorin e 40 shteteve në 3 kontinente (Evropë, Azi dhe Afrikë S.R). Më 8 maj 1945 njerëzimi në mbarë botën mbylli siparin e tragjedisë më të përgjakshme në historinë e tij: 32 milionë njerëz të rënë në fushëbeteja; mbi 20 milion të tjerë të vrarë nga goditjet e avionëve, artilerisë dhe ato bërthamore; më se 24 mijë njerëz vriteshin në ditë; 500 miliardë franga ari zvicerane rezulton dëmi ekonomik, i vlerësuar tashmë duhet të konsiderohet i qindfishuar; 1.226.000 ton pleh u krijua nga djegiet e trupave të njerëzve, etj.etj…

   Shpërthimi i saj nuk është rastësi, por rrjedhojë e një varg rrethanash të komplikuara strategjike, politike, ekonomike, sociale etj. me përmasa globale. Disa nga shkaqet mund të jenë: Përfundimi i Luftës I Botërore dhe padrejtësitë e vendimeve që ajo firmoi; paaftësia e Lidhjes së Kombeve të Bashkuara për të menaxhuar zhvillimet në tërësi; kontradiktat midis shteteve të ndryshme por edhe luftrat me karakter çlirimtar; kriza e thellë e përgjithëshme ekonomike, por sidomos papunësia e madhe në vitet 1931-’35. Iniciuesit kishin si objektiv, të krijonin kushte, të organizonin aleanca, si dhe të ndërmerrnin veprime të dhunëshme, për të realizuar një rindarje territoriale të botës; të krijonin grupime të reja për të vendosur hegjemoninë mbi baza raciste. Nazizmi gjerman, fashizmi italian dhe militarizmi japonez krijuan aleancë politiko-ushtarake, që në histori ka hyrë me emrin “Boshti Berlin-Romë-Tokio”. Me ‘të u bashkuan edhe shtete të tjera, të cilat luajtën rol relativisht të vogël, ndoshta të papërfillshëm. Makinës së fuqishme dhe të egër iu kundërvu fuqia e bashkuar ushtarake e Koalicionit Antifashist Botëror, bërthamën e të cilit e përbënin Sh.B.A, ish-B.S dhe Anglia, si domosdoshmëri emergjente për të fituar lirinë e dhunuar dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit progresiv në demokraci.

 Ideologjia agresive që motivoi veprimet makabre

   Në Itali, Benito Musolini (Duçja) pasi triumfoi në planin ideologjik, duke dalë para turmave me tezën e nacionalizmit dhe premtimin e një bumi ekonomik të paparë deri atëmot, më 1922 në krye të fashistëve marrshon triumfalisht në Romë; pas dy vitesh fiton 65% të votave; më 1928 ozurpoi të gjitha pushtetet. Më 30 shtator 1934 realizon një vizitë në Berlin, dhe për fatin e keq të popujve, ra në emërues të përbashkët në mendime me Hitlerin, çka edhe do të shërbejë si pikë referimi për veprimet barbare në të ardhmen. Më 1935 Italia pushton Etiopinë, më 7 prill 1939 edhe Shqipërinë, në dhjetor 1940 sulmoi Greqinë. Më 14 shtator 1943, në Mynih sërish Musolini takon Hitlerin, njëherësh shpall Republikën Sociale Italiane. I kundërshtuar për këtë veprim paprecedent, ai ekzekutoi në Veronë anëtarët e Këshillit të Lartë Fashist, midis tyre edhe gjeneralin De Boro, ish ministër i punëve të jashtme.

   Edhe në Gjermani ngjarjet evoluan me shpejtësi duke u futur kështu në një rrugë pakrye. Më 1934 Hitleri thuajse kishte shtënë në dorë gjithë pushtetin. Më 15 shtator 1935 në Nurenberg, vendlindja e tij, zhvillon punimet Kongresi i Partisë Naziste, dhe nën okelion “Triumfi i Vullnetit”, mëse 8 milion anëtarë të saj, u deklaruan pro mpirjes së trurit nga “magjia e pasurimit të pasluftës”, u shprehën se “… çfardo urdhëri që të na japësh, O Fyhrer, ne do ta zbatojmë…!” Edhe ajo pak arësye i tymoset tërësisht Hitlerit, prandaj më 30 qershor 1936, sipas mendësisë se bota ndodhet në prag të urisë, dhe se është domosdoshmëri që ajo të tronditet, mendësi e kundërshtuar pasukses edhe nga bashkëshokë të tij, ai kreu masakrën e koduar “Nata e thikave të gjata”, ku ekzekutoi edhe shokun e tij të vjetër Rhon së bashku me 2000 SA. Në orën 05.30 më 1 shtator 1939, urdhëroi që 275 avionë luftarakë dhe 70 divizione ushtarake të vërsulen mbi Poloni, të cilët do të vepronin sipas motivit: “Jini të pamëshirshëm! Të sigurojmë hapësirën tonë jetike!” Pas dy javësh, sipas marrëveshjes me Rusinë për ta ndarë Poloninë, edhe Rusia sulmon nga lindja.

   Japonia ndihej e pakënaqur nga hapsira e tregjeve, që u përcaktuan në përfundim të Luftës  I Botërore, ashtu si i vlonte edhe ekspansioni për të zgjeruar kufijtë territorialë përmes luftës. Më 1931, “Perandoria e Diellit”, u vërsul mbi Mançurinë, për ta shkëputur  nga “Perandoria e Mesit” (Kina S.R). Prirur në veprimet luftarake prej motivit ideologjik të “Tre gjithëçkave”, u dogj, u masakrua dhe u grabit gjithëçka. Në vitin 1939 mëse 20% e territorit të Kinës ishte i pushtuar prej Japonisë.

   Historiografia ka fiskuar si datë fillimi 1 shtator 1939, kur Gjermania nën veprimin ideologjik agresiv të teorisë për të “Siguruar hapsirën e nevojshme jetike”, sulmoi Poloninë. Nën thirrjet histerike “Të jemi të pamëshirshëm nëse duam të ardhmen”, nuk mbeti shtëpi në Varshavë ku të mos shiheshin “kafshimet e predhave të artilerisë”. Realisht lufta e përbindëshme kishte filluar në vitin 1931, kur Japonia pushtoi Mançurinë. Mandej, për të ardhur më 1939 kur u pushtua Shqipëria: u pushtua fillimisht Etiopia më 1935, Spanja pas një viti, Kina më 1937, Austria e Çekosllovakia pas një viti. Viti 1940 vendosi në teatrin e luftimeve disa shtete të Azisë Juglindore, Greqinë, Francën, Hollandën dhe Belgjikën. Vendet Skandinave e Danimarka u pushtuan në vitet 1940-‘41. Në agun e 22 qershorit 1941, edhe pse ekzistonte një marrëveshje mossulmimi, u sulmua në befasi ish-B.S, duke marrë kështu karakterin e një katastrofe të përbotëshme. Si datë e përfundimit është fiksuar 9 maji 1945, një ditë pas kapitullimit të Gjermanisë, por në fakt veprimet luftarake kanë vijuar disa muaj më pas. Më 6 dhe 9 gusht 1945, Sh.B.A, për të mposhtur Japoninë lëshoi dy goditje atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, goditjet e fundit deri tashmë të këtij lloji. Ish-B.S më 9 gusht 1945, sipas marrëveshjes me Sh.B.A dhe Anglinë, i shpall luftë Japonisë.

   Në analizë të kësaj masakre, domosdoshmërisht duhet theksuar fakti që, rruzulli toksor u nda në dy pjesë. Në njërën anë ishin pozicionuar shtetet luftënxitëse me në krye Gjermaninë, Italinë e Japoninë, duke krijuar një lidhje politiko-ushtarake mënxyrrëndjellëse. Në tjetrën u grupuan shtete, popuj e forca përparimtare, nën kryesinë e Sh.B.A, Ish-B.S dhe Anglisë.etj., kolacion i drejtuar nga “Treshja e Madhe” Ruzvelt, Stalin, Çërçill. Në teatrin e stërmadh botëror, ku u luajt drama më tragjike e popujve deri në atëmot dhe më pas, këta tre Burra Shteti, menaxhuan me mënçuri dhe ndjeshmëri të thellë zhvillimet, të cilat si në çdo luftë ishin sa të ashpra aqë edhe gjakderdhëse.

   Gjykohet qartësisht se në koalicion kanë dhënë kontribut me vlerë të paçmuar Ish-B.S me resurse njerëzore, ndërsa Sh.B.A dhe Anglia me armatim, municion dhe pajisje luftarake, por edhe me ushqime e veshmbathje etj., aqë të domosdoshe për veprime luftarake të suksesëshme. Nuk duhet mohuar edhe kontributi i shteteve më të vogla e më pak të fuqishme, por që pos tjerash, gjithësesi, shërbenin edhe si prapavijë e besueshme e Koalicionit. Mes tyre është vlerësuar edhe ndihmesa e popullit shqiptar, i cili ndër të parët në Ballkan dhe Evropë organizoi qëndresën e armatosur kundër pushtuesit, duke krijuar Çetën e Parë Partizane në rrethinat e Tiranës, në fshatin Pezë. Lufta Antifashiste e popullit shqiptar shkoi në një linjë me motivin e përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha për të çliruar vendin. Me gjithë devijimet në ndonjë rast, gjithësesi ajo mbetet një kontribut i çmuar në luftën e përbashkët të popujve për të shpartalluar forcat regresive të bllokut militar Berlin-Romë-Tokio.

   Qartësisht në themel të veprimeve luftarake, ata që e shkaktuan, kishin vendosur një ideologji agresive, prej nga edhe u iniciuan dhe motivuan mjete dhe veprime çfarosëse masive. Më 1931 Japonia, brenda një jave në Mançuri ekzekutoi 50 mijë kinezë, fëmijët u shkuan në bajonetë, ndërsa shumë burra e gra u groposën të gjallë. Këtë veprim, Hitleri, me logjikë të sterrosur, e përshëndet si vijon: “Po, jemi barbarë dhe duam të jemi barbarë. Ky është një titull nderi. Ne jemi nga ata që do të rinovojmë botën, bota e tanishme është në prag të urisë, detyra jonë është ta tronditim…”.

   Pas takimit në Berlin më 14 shtator 1943 Musolini vijoi në Itali një linjë genocidi të ashpër kundër atyre që konsideroheshin kundërshtarë. Në Veronë u ekzekutuan anëtarët e Këshillit të Lartë Fashist, përfshi edhe gjenerali De Boro, ish-ministër i punëve të jashtme. Jeta e njerëzve ishte shndërruar në mallin me më pak vlerë. Hitleri pohon: “… kur dërgoj lulen e gjermanëve në fushën e çeliktë të luftës, përse nuk paskam të drejtë të çfaros me miliona njerëz, që i përkasin një race inferiore dhe që riprodhohen si minjtë?!!” Më tej ai vijon: “Të gjithë çifutët e Evropës duhet të internohen. Ata që janë të vlefshëm do të kthehen në skllevër, kurse të tjerët do të zhduken…”. (Vini re, se çfarë pohimi absurd dhe pa asnjë ndjesi njerëzore, “… të tjerët do të zhduken”, e pohon me plotgojë dhe me krenari).

   Geringu, i cilësuar si më i rrezikshëm edhe se vetë Hitleri, me cinizëm të pashoq deklaronte edhe sa vijon: “Çdo plumb që del nga gryka e revolverit të agjentëve më përket mua, dhe nëqoftëse kësaj i thonë të vrasësh, unë jam vrasësi…”. Kejtel dhe Jodej përgjatë luftës akuzohen si përgjegjës të veprimeve ushtarake gjermane. Por pyetjes se, çfarë preferojnë: muzikën apo dancin, ata iu përgjigjën njëzëri: “Ne duam luftën!!!” Ka edhe mjaft pohime të tjera, por aqsa veçuam më lart, mund të argumentojmë pjesërisht ideologjinë që frymëzoi këto krime makabre.

 Gjyqi i masakrës makabre

Akti i kapitullimit të bllokut agresiv të Luftës II Botërore u nënëshkrua në lagjen Karlshorts dhe në Shkollën e Inginierëve të Luftës në qytetin e Berlinit më 8 maj 1945. Muarën pjesë delegacionet e Koalicionit Antifashist Botëror (Sh.B.A, Ish-B.S, Anglia dhe Franca S.R) si dhe të palës së mposhtur, e përfaqësuar nga Gjermania. Midis palëve në bisedime u nënëshkrua Akti i Kapitullimit pakushte të nazifashizmit, një ceremoni që zgjati vetëm 45’. Pala triumfuese u përfaqësua me delegacione të kryesuara si më poshtë: G. K. Zhukovi, mareshall, përfaqësues i Ish-B.S; Artur. V. Tedev dhe Spats, përkatësisht kryemarshall i aviacionit dhe gjeneral-kolonel, përfaqësuesë të Sh.B.A; Harold Beran, admiral, përfaqësues i Anglisë; dhe Bellater de Tasinji, admiral, përfaqësues i Francës. Pala e mposhtur u përfaqësua nga Kejtel, gjeneral-feldmarshall; Shtumpf, gjeneral, dhe Fridelburg, admiral, që të tre përfaqësuesë të Gjermanisë.

   Gjyqi filloi në Berlin më 17 tetor, për të vijuar në Nurenberg më 20 tetor, qytet i përzgjedhur si vendlindja e nazizmit si ideologji, por edhe ku Hitleri kishte mbajtur fjalime pompoze kundër inferioritetit të racave të tjera jo gjermane, njëherësh qytet që kishte shërbyer si shtrat i paradave të mëdha të Hitlerit.

   Gjyqi u udhëhoq nga 4 kryeprokurorë, nga mjaft prokurorë, gjykatës, avokatë, dëshmitarë, dhe prej një togu dokumentash, të cilët sollën fakte rrënqethëse për veprat e kryera nga nazistët. Akuza ishte formuluar në tre pjesë: ajo për kriminelët e akuzuar për përgatitjen e luftës; e dyta për ata që ideuan dhe udhëhoqën krimet gjatë luftës; dhe e fundit, për ideatorët e krimeve kundër njerëzimit përmes kampeve të eksperimentimeve makabre.

   Gjykimi u zhvillua në katër gjuhë: anglisht, rusisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Në krye të listës së kriminelëve ishte Herman Gering, si shkaktari kryesor për krijimin e fushave (kampeve) të përqëndrimit në të cilat u ekzekutuan 6.2 milion njerëz në Mojdanek, Aushvic, Irov, etj. U gjykuan për krime të ndryshme admiralët Roederi e Doetnizi; gjeneralët Shtrejshnër, Spes, Krup, Ley, Frusk, Kej, Von Pepër, Shaht, e të tjerë. Meqënëse u gjykuan 22 vetë ky gjyq u emërtua “Gjyqi i të 22-tëve” ose “Gjyqi i Shekullit”. Prej të gjykuarve më i rrezikshëm u cilësua Geringu, duke ja kaluar edhe vetë Hitlerit. Ai më 1933 krijoi Gestapon si dhe Kampet e Përqëndrimit në Dakao dhe Buhenvald.

   Në gjykim u veprua sipas kësaj rradhe: u gjykua Qeveria e Rajshtagut; Grupi i Kryetarëve Politikë të Partive Naziste (Gestapo dhe Seksionet SA); Shtabi Madhor i Përgjithshëm, dhe Komanda e Ushtrisë Gjermane.

   Në akt-akuzë çështja shqiptare kualifikohej si vijon: Pati 12 mijë viktima njerëz; 20 mijë shtëpi u shkatërruan; 90 mijë kafshë të trasha dhe 150 mijë të imta u asgjësuan; 25 mijë kv. drithëra u dëmtuan, si dhe shumë të holla të vjedhura në bankat dhe nga plaçkitjet.

   Dëmet e shkaktuara vendeve të tjera u çmuan si vijon: Franca me 18 miliardë dollarë; Rusia me 138 miliardë; Hollanda me 7,4 miliardë; Anglia me 70 miliardë; disa nga shtetet e tjera me 150 miliardë, dhe vetë Gjermania me 113 miliardë dollarë. Po ashtu u vlerësuan edhe shpenzimet e Aleatëve për përgatitjen e sulmit kundër Gjermanisë në shumën 295 miliardë dollarë, nga të cilët Sh.B.A me 38 miliardë, Anglia me 90 miliardë, Rusia me 148 miliardë dollarë, e të tjera.

   Më 2 mars 1946 u mbyll akuza. U zhvilluan 138 seanca gjyqësore, në të cilat u regjistruan 1,6 milion fjalë; u dëgjuan 30 dëshmitarë, midis të cilëve edhe një shqiptar me emrin Ali Kuçi, i internuar në Kampin e Përqëndrimit në Dakau, i mbijetuari midis 2400 të internuarve; u projektuan 6 filma si dhe 2100 fotografi dhe dokumenta si provë.

   Ky gjyq hedh dritë qartë për një vepër kriminale çnjerëzore të paparë ndonjëherë më parë në rrjedhën e shoqërisë njerëzore, dhe të papërfytyruar nga mendimi njerëzor.

   Shumë vite më pas kësaj ngjarjeje, si Gjermania edhe Japonia, kanë reflektuar pozitivisht. Një politikan gjerman ka deklaruar kohë më parë se, drejtuesit e mëvonshëm gjermanë ndihen të keqardhur dhe se “u skuqet faqja” për veprimet e gabuara të paraardhësve të tyre. Ditët e fundit (2-3 maj 2015) presidenti i Gjermanisë i njohu borxhet e Luftës II Botërore, Greqisë e cila është në gjëndje të vështirë ekonomike. Edhe drejtuesit më të lartë të Japonisë janë artikuluar se ndihen të keqardhur për pozicionin e Japonisë në këtë luftë botërore. Këto dhe të tjera tregojnë se bota e qytetëruar ecën progresivisht, me shikim nga përparimtarja, nga bashkëpunimi me popujt pa dallime raciale apo sociale. Edhe Turqia herëpas-here është shprehur se njeh detyrimet ndaj popujve si pjesë e Perandorisë Turke.

 Apeli i Luftës II Botërore

Lufta II Botërore, për nga mënyra se si u hodhën njerëzit në kraterin e vullkanit të vdekjes së sigurtë, për nga pohimet e drejtuesve të shteteve shkaktare; për nga viktimat dhe humbjet që u shkaktuan, është epitetuar me frazeologjizma të frikëshme, ndjellakeqe dhe të dhembshme. Shumica e analistëve politikë e epitetojnë si “Ngjarja më makabre në histori”. Analistët amerikanë e kanë vlerësuar me togfjalëshin “Luftë e çuditëshme”, “Luftë mizore”, ndërkohë shumica e analistëve e kanë epitetuar “Mirazh i shkretëtirës”, ndoshta ky epiteti më i gjetur për këtë masakër makabre.

   Duke qënë kështu, ajo i ka bërë dhe i bën thirrje njerëzimit, që të pohohet qartë dhe prerazi: “Kurrë më luftë!”, “Kurrë më vdekje!”, “Kurrë më gjakderdhje!”, “Jo më Aushvic!”. Njëherësh t’i bëjë apel paqes dhe vetëm paqes, arësyes dhe logjikës humane dhe jo mendësive të “kokave të nxehta” të tipit Hitler, Musolin, por edhe Pol Pot, Sllobodan Millosheviç, Bin Landen, Sadam Husein, Kadaf, Assad etj. etj. Janë këto “koka të nxehta”, që edhe pas përfundimit të Luftës II Botërore, i kanë shkaktuar njerëzimit shumë ndërprerje të jetëve njerëzore të pafajshme. Vetëm në vitet 1998-1999 makina ushtarake serbe i shkaktoi popullsisë shqiptare në Kosovë mëse 12 mijë të zhdukur, ashtu si mëse 6 mijë të tjerë u mbajtën peng në burgjet serbe. Gjakderdhja në Afganistan, në Lindjen e Mesme, në Irak. Në këtë të fundit, muajit viteve 2002-2008, kanë humbur jetën më se 95.000 njerëz; në prill 2007 humbën jetën 130 ushtarë amerikanë, pa folur për dhjetra irakenë, që gjejnë vdekjen çdo ditë shkaktuar nga autobombat apo kamikazët e ndryshëm. Në zhvillimet demokratizuese në disa vende arabe (Tunizi, Egjypt, Libi, Jemen, Siri) gjatë viteve 2010-2015 në revoltat popullore kundër regjimeve diktatoriale shumëvjeçare, janë ndërprerë mjaft jetë njerëzore të pafajshme. Në Egjypt është folur për 846 jetë të ndërprera; në Libi për 33 mijë viktima. Vetëm në Siri (mars 2011 – prill 2015) artikulohet shifra prej 200 mijë jetë të ndërprera; kohët e fundit mjaft viktima shkakton i ashtuquajturi ISIS (Shteti Islamik), i cili ka sjellë viktima jo vetëm në Siri por edhe në vendet fqinjë, përfshi edhe vrasjen e 16 gazetarëve në revistën humoristike në Francë. Këto dhe gjakderdhje në rajone të ndryshme, përbën ende gjak, që kullon akoma.

SHKARKO APP