ILDKP ‘në dorë’ të shumicës, Kushtetuesja rrëzon ankesën
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje Partinë Demokratike, duke mos ia pranuar asaj kërkesën për shpalljen si të papajtueshme me ligjin themeltar të shtetit, ndryshimet në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive”. Kujtojmë se kjo forcë politike paraqiti pranë organit të lartë gjyqësor ankimimin e saj ldhur me ndryshimet e propozuara nga mazhoranca mbi Inspektoriatin e të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, të cilat i hoqën konkretisht kompetencën Presidentit, për të propozuar emrin e kreut të tij, duke ia kaluar atë Parlamentit. Dhe duke i cilësuar të tilla ndryshime si antikushtetuese e revansh i radhës i qeverisë drejt shtetit oligarkik, duke kapur dhe nështruar politikisht çdo institucion. “Me shkarkimin e kreut te ILDKP-së, Rama dhe Meta po kërkojnë me çdo kusht të marrin nën kontroll këtë institucion të pavarur në mënyrë që të fshehin pasuritë e paligjshme dhe aferat korruptive të tyre dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Mazhoranca po shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e parlamentit për t`ia arritur këtij qëllimi”, kujtojmë të ketë pohuar deputeti Oerd Bylykbashi lidhur me këtë çështje. Duke shtuar sakaq, se duke ditur që Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk lënë hapësirë për këto sulme ndaj një institucioni të pavarur, kjo mazhorancë sipas tij, ka orkestruar një sulm me fletë-rrufe nga kolektivi i punonjësve dhe ka ngritur një grup kontrolli të paligjshëm që nuk e njeh as Kushtetuta dhe as Rregullorja e Parlamentit. Por nga ana tjetër, risjellim ndërmend edhe faktin se kundër ndryshimeve në ligjin ekzistues “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive”, nuk ishte vetëm opozita, por edhe vetë Presidenti Bujar Nishani, i cili e refuzoi atë me dekret të posaçëm dhe duke e cilësuar si jokushtetues edhe cënues për kompetencat e tij. Por në atë kohë nismëtarët, e mbrojtën duke theksuar se Presidenti kur thotë që përzgjedhja e Inspektorit të Përgjithshëm vetëm nga Kuvendi mund ta politizojë atë, çfarë duhet të thuhet për kreun e shtetit kur ai zgjidhet nga Kuvendi dhe vetëm me 71 vota.
Si ndryshoi ligji për Kryeinspektorin?
– Inspektori i Përgjithshëm, zgjidhet me shumicën e gjithë anëtarëve të Kuvendit për një mandat 5-vjeçar, me te drejtë rizgjedhje.
– Kuvendi i Shqipërisë, jo më vonë se tre muaj, përpara përfundimit të mandatit të përcaktuar në këtë ligj publikon shpalljen për vendin vakant të Inspektorit të Përgjithshëm.
– Në rastet e mbarimit të mandatit, shpallja për vendin vakant të Inspektorit të Përgjithshëm bëhet kryesisht nga Kuvendi, brenda 10 ditëve nga krijimi i vakancës.
– Inspektori i Përgjithshëm bën deklarimin e parë të pasurisë brenda 30 ditëve nga zgjedhja e tij dhe çdo vit, sipas nenit 4 të këtij ligji, pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Presidenti Bujar Nishani e rrëzoi para pak kohësh ligjin e miratuar në Parlament vetëm me votat e maxhorancës për Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive. Duke mos qenë dakord pikërisht me nismën e një grupi deputetësh të mazhorancës e cila prekte pikërisht nenin që përcakton mënyrën se si propozohet kandidati për Kryeinspektor, duke ia hequr këtë të drejtë atij dhe duke ia dhënë Parlamentit. Në dekretin e tij të posaçëm për kthimin mbrapsht të këtij ligji, kreu i shtetit vlerësoi se këto dispozita të miratuara vetëm me votat e mazhorancës shkelin parimin kushtetues të kontrollit dhe balancës së pushteteve. Dhe se sipas tij, cënohet përcaktimi kushtetues, që kompetencat e kreut të shtetit caktohen me ligj. Në këtë pikë Nishani i referohet nenit 94 të Kushtetutës, në të cilin thuhet se “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera, përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”.
MAZHORANCA
“Ndryshimi i dispozitës së nenit që parashikon mënyrën e përzgjedhjes së inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së, konfirmohet me interpretimin që përmban vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr.2 12/2002, ku argumentohet se ‘Për funksionet kushtetuese të organeve, atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta, nuk mund ta bëjë ligji’”, thuhet sipas raportit të Komisionit të Ligjeve për shqyrtimin e këtij ligji.