Ilir Meta: Viti 2015 do jetë përcaktues për Reformën në Drejtësi
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehet se viti 2015 do të jetë përcaktues për të konfiguruar dhe realizuar Reformën në Drejtësi. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Meta komenton dhe zhvillimet politike në vend, si dhe qëndrimet e opozitës. “Ilir Meta: Për z. Berisha kur disa deputetë i duhen për të kaluar në krahun e tij, sikurse ndodhi para zgjedhjeve të 23 qershorit, bëjnë një akt heroik kombëtar dhe tregojnë një patriotizëm të pashembullt, ndërsa kur ata gjykojnë në vullnetin e tyre të marrin një vendim tjetër, sigurisht që meritojnë akuzat më të rënda”,- shprehet Meta.
Reforma në drejtësi ka mbetur pak më mbrapa apo jo, nuk ka kaq shumë zhvillime sa ekonomia. Komisioni i Ligjeve është duke hartuar, duke dialoguar një paktë reformash, Ministria e Drejtësisë po ashtu. Megjithatë gjendja në sistemin e drejtësisë nuk është e kënaqshme. Perceptimet e qytetarëve janë shumë negative, edhe për korrupsionin, jo vetëm në administratën shtetërore, por në vetë sistemin e drejtësisë. Si do të shëndoshet sistemi në drejtësi, e cila kërkon edhe një bashkëpunim me opozitën për të cilat janë reforma të thella, ku duhet edhe mirëkuptimi i saj?
Viti që po mbyllim ka patur në fokus dy reforma kryesore, njëra prej të cilave është realizuar që ka qenë reforma administrative-territoriale, një çështje e mbartur prej gati 23 vitesh për të mos thënë që nga koha e ndërrimit të sistemit komunist, ku strukturat e vjetra u shndërruan në komuna dhe në bashki. Natyrisht, ka qenë një reformë që na mori mjaft kohë për një arsye se për një kohë të gjatë ishim të detyruar që të prisnim pjesëmarrjen e opozitës dhe bashkëpunimin dhe konsensusin e saj, dhe për këtë kemi bërë të gjitha përpjekjet. Kemi shteruar çdo mundësi nga ana e mazhorancës dhe gjashtë muajt e parë kanë qenë të përqendruar tek kjo reformë, e cila kishte një afat kohor për arsye se kemi të bëjmë me afatin e përcaktuar në zgjedhjet vendore që tashmë është 21 qershori i vitit që po hyjmë. Reforma e dytë që ne anonçuam dhe që në ishim të angazhuar është reforma në fushën e drejtësisë, e cila mund të themi që ka filluar pavarësisht se ende Komisioni i Posaçëm për Reformën në fushën e Drejtësisë vetëm ka zhvilluar një mbledhje të parë, dhe normalisht pritet edhe pjesëmarrja e opozitës për të qenë një komision, jo vetëm gjithëpërfshirës, por edhe funksional. Por them se ka funksionuar për arsye të debatit që është hapur, për tryezat e organizuara nga Presidenti i Republikës, nga Ministria e Drejtësisë, nga shumë institucione ndërkombëtare, dhe unë besoj se viti që ne do të hyjmë, do të jetë një vit përcaktues për të konfiguruar dhe realizuar Reformën në Drejtësi, si reforma më e rëndësishme, si reforma e reformave, sepse ka të bëjë vetëm me forcimin dhe sundimin e ligjit, por ka të bëjë edhe me kontributin për të zgjidhur shumë probleme, që nga problemi i pronave deri tek problemet e tjera të ekonomisë. Por njëkohësisht është një reformë shumë e rëndësishme edhe për të kontribuar në rritjen e përgjegjshmërisë së gjithë sistemit të drejtësisë dhe të llogaridhënies. Natyrisht duke konsoliduar, jo duke e dëmtuar pavarësinë, autonominë, e këtyre institucioneve. Kështu që unë besoj se piketat tashmë janë hedhur. Bashkëpunimi mendoj se ka filluar edhe pse deri diku më shumë në distancë, të gjithë janë të ndërgjegjshëm se duhet të ecim më shpejt dhe në mënyrë të sigurt në këtë reformë dhe mazhoranca ka vullnetin maksimal për të bashkëpunuar shumë ngushtë jo vetëm me opozitën, por edhe me Presidentin e Republikës, bashkëpunim që unë do ta konsideroja tashmë të vendosur dhe me gjithë aktorët e tjerë në fushën e drejtësisë dhe të gjyqësorit, pasi ka shumë çështje që duhen zgjidhur, që janë të mbartura prej kohës, që janë të reflektuara edhe në progres-raportet e Komisionit Evropian, sidomos në dy vitet e fundit. Dhe ne për këtë qëllim do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me EURALIUS-in, OPDAT-in dhe me partnerët tanë, të cilët njëkohësisht kërkojnë një forcim të mëtejshëm të sundimit të ligjit në vendin tonë, si vend anëtar i NATO-s, por njëkohësisht si një vend që synon në një të ardhme të afërm të hapë negociatat me Bashkimin Evropian dhe dihet që reforma në fushën e drejtësisë është një prioritet kryesor dhe kyç në këtë drejtim.
Doja të flisnim në këtë moment për marrëveshjen e fundit, ose rezolutën që ju lexuat në Parlament dhe që u miratua me maksimumin e votave, 126 vota, marrëveshja për bashkëpunimin midis pozitës dhe opozitës. A nuk duket se kjo e kushtëzon pozitën që të ecë përpara në reforma duke pritur pafund mirëkuptimin e opozitës?
Kjo është edhe dilema e ecjes përpara me reformat në vendin tonë, siç ishte rasti i reformës administrative-territoriale, shumë e rëndësishme, sepse prek të gjithë territorin e vendit, të gjithë qytetarët dhe shërbimet ndaj tyre apo zhvillimin ekonomik dhe social apo reforma në drejtësi që edhe kjo prek të gjithë qytetarët, jo thjesht institucionet e drejtësisë dhe të gjyqësorit. Dhe natyrisht që për këto reforma kërkohet bashkëpunim dhe me opozitën.
Si do të zbatohet kjo marrëveshje?
Dilema është midis përpjekjes dhe nevojës së ngutshme për t’i realizuar këto reforma të vonuara në kohë edhe për shkak të konfliktualitetit politik në të kaluarën apo dhe për shkak se mazhorancat në të kaluarën nuk kanë patur një shumicë të cilësuar në Parlament. Dhe së dyti, nevoja për të realizuar me konsensus, në mënyrë që jo vetëm të kemi numrat e nevojshëm për ndryshimet ligjore, legjislative, por njëkohësisht të kemi dhe një konsensus të përgjithshëm në implementimin e këtyre reformave. Në rastin konkret, unë besoj se marrëveshja është tepër e qartë, që do të thotë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për çdo reformë, e cila kërkon një shumicë të kualifikuar, që ajo të bëhet me konsensus dhe përpjekjet në këtë rast nuk do të mungojnë. Por natyrisht që në fund fare, reformat do të bëhen, sepse është një domosdoshmëri dhe besoj se edhe në pikën e parë të marrëveshjes bëhet e qartë mënyra se si do të ecet në këtë drejtim. Është e rëndësishme për Partinë Demokratike të reflektojë njëkohësisht dhe të tregojë një frymë më të përgjegjshme të bashkëpunimit. Pra për reforma që ajo vetë i ka kërkuar në të kaluarën, por nuk ka patur mundësinë. Ndërsa lidhur me çështjen e trafikimit të deputetëve që nxjerr herë pas here z. Berisha për të konsideruar validitetin e 84 votave, natyrisht që për z. Berisha kur disa deputetë i duhen për të kaluar në krahun e tij, sikurse ndodhi para zgjedhjeve të 23 qershorit, bëjnë një akt heroik kombëtar dhe tregojnë një patriotizëm të pashembullt, ndërsa kur ata gjykojnë në vullnetin e tyre të marrin një vendim tjetër, sigurisht që meritojnë akuzat më të rënda. Unë besoj se Kushtetuta është e qartë dhe ne jemi shprehur të vendosur për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Dhe në këtë drejtim, mbetet që bashkëpunimi midis mazhorancës dhe opozitës t’i nënshtrohet imperativit që ka vendi për të realizuar këto reforma me konsensus dhe me standarde, sepse kjo është shumë e rëndësishme , sepse mund të bëhen reforma me konsensus të cilat mund të ulin standardet e demokracisë në vend dhe në të kaluarën kemi patur edhe marrëveshje që në vlerësimin tim nuk i kanë shërbyer vendit, edhe pse janë bërë me konsensus të madh. Kryesorja për mua është realizimi i standardeve më të larta në reformën e drejtësisë dhe në reformat e tjera të cilat kërkojnë një shumicë të kualifikuar dhe bërja e tyre në mënyrë më transparente, jo vetëm me opozitën, pot edhe me opinionin publik dhe me partnerët ndërkombëtarë. Mendoj se legjitimitetin më të madh të një reforme ia japin transparenca, gjithëpërfshirja,dhe këtu nuk kam parasysh vetëm opozitën. Padyshim që ai është faktori më i parë që duhet të jetë i përshirë dhe të kontribuojë , por kam parasysh opinionin publik, grupet e interesit, partnerët ndërkombëtarë dhe më pas mendoj që është çështja e 84 votave apo e 90 e ca votave. Pra qytetarët shqiptarë kërkojnë konsensus mendoj. Patjetër sepse janë të lodhur nga konfliktualiteti dhe nga një sherrnajë, absurde e cila nuk prodhon rezultate. Por qytetarët shqiptarë jam i bindur që në fund fare do të vlerësojnë qëllimin e një reforme. Jo vetëm aq, por edhe standardet që ajo do të sjellë. Në këtë drejtim duhen shteruar të gjitha përpjekjet për reformat kyçe sidomos në fushën e drejtësisë dhe në fusha të tjera ku mund të ketë dallime të rëndësishme për mënyrën se si duhen realizuar. Duhen shteruar të gjitha mundësitë për një transparencë maksimale, për të bindur opinionin publik, për të bindur qytetarët për cilësinë e këtyre reformave.
Prova e parë e kësaj marrëveshje midis pozitës dhe opozitës janë bisedimet që do të fillojnë vitin tjetër lidhur me zgjedhjet. Kodi Zgjedhor duhet të ndryshojë, ndërkohë që opozita nuk pranon hartën e re të ndarjes territoriale, ka thënë që ajo është një hartë e manipuluar në mënyrë që mazhoranca të fitojë sa më shumë njësi të pushtetit vendor dhe ndërkohë edhe KQZ-ja është e copëtuar. Pra provat e mirëkuptimit, të harmonisë ose të sherrnajës janë në pragun e vitit tjetër. Si do ta arrini mirëkuptimin me opozitën, por edhe kryerjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta të pushtetit vendor në kushtet kur opozita kundërshton kaq shumë fushën e lojës, pra hartën e re territoriale?
Natyrisht që nuk është e lehtë të merremi vesh për çdo gjë me opozitën, sepse në rast se kjo gjë do të ndodhte, atëherë do të kishim një fatkeqësi të madhe, nuk do të kishim opozitë, gjë që nuk është e shëndetshme për demokracinë. Por ne kemi rënë dakord tashmë edhe përmes një rezolute, që u miratua në Parlament me konsensus të të dyja palëve, se do të respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë drejtim opozita ka ndërmarrë iniciativat e saj për të kontestuar këtë ndarje dhe është një e drejtë e saj. Por ne, e theksoj, do të respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe meqenëse ju po më përmendni mënyrën se si është ndarë Shqipëria sipas opozitës, mendoj se është shumë spekulative mënyra se si paraqitet padrejtësia, që i është bërë opozitës për arsye se nuk ka ndodhur në Shqipëri ndoshta ndonjëherë që për një reformë kaq të rëndësishme, një mazhorancë, që ka më shumë se 84 vota, t’i ofrojë opozitës një rol të barabartë në këtë reformë, siç ishte rasti i barazisë në komisionin parlamentar për reformën administrative-territoriale me 8 anëtarë nga mazhoranca, 8 nga opozita dhe dy bashkëkryetarë, një nga mazhoranca dhe një nga opozita. E kemi pritur për tre muaj opozitën dhe nuk ka ardhur, kanë thënë se kemi patur një hartë të parapërgatitur. U kemi dhënë pesë variante publike të bëra këto dhe në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë, evropianë dhe amerikanë. U kemi kërkuar të zgjedhin një nga këto pesë variante, nuk kanë zgjedhur asnjë, por kanë thënë se ata vetë do të japin një variant dhe kanë bërë një kuvend publik të Partisë Demokratike, ku kanë ftuar edhe përfaqësuesit e mazhorancës. Përfaqësuesit e mazhorancës, z. Fino si bashkëkryetar i komisionit dhe z. Vasili si anëtarë i komisionit kanë shkuar, kanë marrë pjesë për të respektuar opozitën dhe për të dëgjuar variantin e saj. Kanë dhënë edhe ata pikëpamjet e tyre, por asnjëherë nuk kemi pasur asnjë variant të ardhur nga opozita në Parlament dhe në këtë komision të posaçëm për të miratuar një ndarje administrative-territoriale, e cila të kishte në thelb edhe propozimin e tyre. Në rast se ekziston një variant i tillë publik unë do të isha shumë i lumtur, por për fat të keq opozita ka pasur vetëm një variant: zero reformë. Ndoshta duke mos përballuar presionin e kryetarëve të komunave apo të bashkive, të cilët natyrisht nuk janë shumë të lumtur, sepse një pjesë e këtyre komunave do të shkrihen, por Shqipëria nuk mund të vazhdojë më me këtë situatë ku kemi kryetarë komunash, të cilët nuk jetojnë në komunat e tyre, por jetojnë në Tiranë apo në zona bregdetare dhe firmosin nga aty për problemet e komunave. Ndërkohë, edhe shumica e banorëve nuk jetojnë në komunat e tyre, por jetojnë në Tiranë, Durrës apo në zona të tjera të Shqipërisë, dhe shkojnë vetëm një herë në katër vjet për të votuar për kryetarin e komunës me furgonë atj. Ndërkohë që problemet e menaxhimit të ujësjellësve në Shqipëri janë shumë të rënda, janë njësoj si problemi i energjisë elektrike dhe kjo do të jetë një tjetër reformë shumë të rëndësishme. Një nga arsyet është fragmentimi i jashtëzakonshëm i pushtetit vendor, problemet e menaxhimit të mbetjeve urbane janë të jashtëzakonshme dhe ndikojnë në cilësinë e jetës së qytetarëve. Problemet e administrimit të territorit, që ndeshim çdo ditë janë mjaft madhore, ndërkohë që shërbimet që u ofrohen qytetarëve për shkak të kapaciteteve inekzistente të shumë prej këtyre komunave apo bashkive, janë të papërfillshme. Kështu që kjo ishte dhe mbetet një reformë madhore dhe ne shpresojmë që PD-ja t’i qëndrojë angazhimit të saj për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Z. Meta, me gjithë këto kundërshtime të mëdha të opozitës, nga përvoja juaj e gjatë në proceset zgjedhore, a mendoni se nga janari deri në qershor është një kohë e mjaftueshme që të bëhen të gjitha përgatitjet për zgjedhjet? Pra, të bëhet KQZ-ja, të bëhet Kodi Zgjedhor, të merret mirëkuptimi i opozitës për hartën territoriale…
KQZ-ja është bërë, sepse Shqipëria nuk është pa KQZ. Natyrisht që mungesat duhet të plotësohen dhe shpresoj të përmbushen sa më shpejt, por Shqipëria e kishte këtë KQZ edhe në zgjedhjet e përgjithshme pavarësisht kontestimit që ne patëm dhe natyrisht që ajo e bëri punën e saj. Pra nuk është ky problemi besoj.
Marrë me shkurtime nga “Zëri i Amerikës”