“Indipendent”: Shqipëria, jo rrezik sigurie për turistët
Ka vende të cilat paraqiten si të rrezikshme për turistët që udhëtojnë. Tani kjo është zyrtare. Mirëpo, për fat të mirë, Shqipëria nuk është një ndër to… Në hartën që së fundmi ka përpiluar gazeta prestigjioze The Independent” për vendet e rrezikshme për turistët që udhëtojnë, në Europë, Shqipëria renditet te një “zonë e mesme”, sipas së cilës tregohet se nuk përbën rrezik.
Të dhënat janë marrë nga Zyra e Jashtme Britanike. Për Shqipërinë, kjo zyrë bëri të ditur se më shumë se 80 mijë britanikë vizitojnë çdo vit vendin ballkanik, pjesa më e madhe e vizitave janë “pa trazira”. Sipas tyre, siguria publike në përgjithësi është e mirë, sidomos në kryeqytet, Tiranë.
“Krimi dhe dhuna mund të ndodhë në disa zona, por të huajt nuk janë targeti i tyre”, – thekson Zyra e Jashtme Britanike.
Ndërkaq, agjencitë britanike paraqesin paketa turistike për Shqipërinë. Nuk është hera e parë që Shqipëria, jo vetëm po bëhet “e dukshme” në sytë e mediave të huaja, tanimë edhe të agjencive të huaja të udhëtimeve.
Britanikët e njohur të Travelsphere ofrojnë një tur “Kroaci-Mali i Zi dhe Shqipëri”, për të cilin tregojnë me detaje guidën që mund të ndiqet për 8 ditë me radhë në këto shtete. E renditur së fundmi në listën e udhëtimeve të sugjeruara për 2016, nën sloganin “Përjeto më tepër”, turi i tre shteteve Ballkanike kushton 879 pound, për 8 ditë dhe sugjerohet më tepër për periudhën prill-tetor. Pjesë e itinerarit për vendin tonë, kësaj here është Shkodra, që ofron njëdestinacion kulturor për të interesuarit.