Infermierja poston foton me shenja në fytyrë: Mos e çoni dëm mundimin tonë
Italia është vendi i dytë në botë më i prekur nga koronavirusi. Numri i viktimave ka shkuar mbi 600 ndërsa të infektuar janë pothuajse 9 mijë persona.
Situata është emergjente, çka ka sjellë edhe izolimin e vendit fqinj.
Autoritetet italiane i bëjnë thirrje çdo qytetari që të vetëkarantinohen në shtëpitë e tyre në qoftë se ndiejnë simptoma të virusit.
Por më të lodhur nga e gjithë kjo situatë e rëndë në Itali janë mjekët dhe infermirët të cilët janë në çdo moment të ekspozuar ndaj rrezikut.
Një infermiere italiane ka tërhequr vëmendjen e te gjithëve me një foto të postuar në Instagram. Nga fotoja duken qartë shenjat e maskës dhe lodhja e saj në fytyrë nga situata e krijuar.
Përmes postimit ajo i bënt thirrje çdo qytetari që të qëndrojë në shtëpi dhe të kujdesen për njëri-tjetrin, duke mos e çuar dëm lodhjen e tyre.
Postimi i plotë i infermieres:
Jam shumë e lodhur fizikisht sepse masat e mbrojtjes mund të të lëndojnë, këmisha që vesh më bën të djersij pa fund dhe kur e vesh nuk e heq më për më shumë se 6 orë dhe nuk mund të shkoj në banjo apo të pi ujë. Ajo që i kërkoj gjithkujt që e lexon këtë postim është të mos e çoni dëm mundimin tonë, të jini altruistë, qëndroni në shtëpi se kështu do mbroni ata që janë më të dobët. Ne të rinjtë nuk kemi imunitet ndaj këtij virusi, edhe ne mund të sëmuremi, apo edhe më keq mund ta përçojmë sëmundjen tek të tjerët. Nuk e kam luksin të kthehem në shtëpi për izolim sepse duhet të jem në punë për të bërë atë që më takon. Bëni edhe ju pjesën tuaj, ua kërkoj si nder.