Injorimi i abuzimeve seksuale në Afganistan

The New York Times

Incidentet e sulmeve seksuale ndaj fëmijëve të përshkruara nga anëtarët e shërbimeve amerikane që kanë shërbyer në Afganistan janë të pështira. Djaloshë që ulërinin natën teksa policia afgane i sulmonte. Tre ose katër burra afganë u gjetën të lidhur në dyshemenë e një dhome në një bazë ushtarake me disa fëmijë mes tyre, çka dyshohet se u bë për lojëra seksuale.

Jo më pak fyese është që ushtarët dhe marinsat amerikanë që donin të ndërhynin nuk e bënë një gjë të tillë. Sipas një dëshmie për The Times nga Joseph Goldstein, ata u urdhëruan nga eprorët e tyre për t’i injoruar sjelljet abuzive të aleatëve të tyre afganë dhe “ta kthenin kokën nga ana tjetër sepse është kultura e tyre”.

Sjellja indulgjente dhe madje edhe bashkëpunuese e Pentagonit përballë pedofilëve ndër milicët afganë të cilët ajo i themeloi dhe i trajnoi është e pambrojtshme, bie ndesh me vlerat amerikane dhe me të drejtën ndërkombëtare për të cilën Uashingtoni ka marrë udhëheqjen për ta promovuar.

Abuzimi seksual i fëmijëve ka qenë prej kohësh një problem në Afganistan. Ai është kryesisht i theksuar ndërmjet komandove të armatosura që kontrollojnë rajonet rurale dhe kanë ndikim mbi popullatën vendase. Praktika njihet si “bacha bazi”, ose lojë djemsh; burra të plotfuqishëm afganë shpesh rrethohen me adoleshentë si shenjë statusi social.

Duke iu dhënë udhëzime ushtarëve dhe marinsave amerikanë që të mos ndërhyjnë, edhe nëse incidentet ndodhnin në bazat amerikane, Pentagoni ka zgjedhur – në mënyrë të qortueshme – që të sakrifikojë fëmijët e e pambrojtur në mënyrë që të ruajë marrëdhëniet e mira me policët dhe milicët afganë për të cilët ka nevojë për të luftuar talebanët.

Disa anëtarë të shërbimeve amerikane që e kanë kundërshtuar këtë politikë janë ndëshkuar ose iu është shkatërruar karriera për shkak se e kanë luftuar një gjë të tillë. Në njërin rast, Dan Quinn, asokohe një kapiten i forcave speciale, rrahu një komandant të milicëve afganë më 2011-n pasi mbante një djalosh të lidhur në shtratin e tij si një skllav seksi. Ushtria më pas e hoqi kapitenin Quinn nga komanda dhe që atëhere ai u largua nga ushtria. Tani ushtria po përpiqet të tërheqë edhe Rreshterin e Klasit të Parë Charles Martland, një anëtar i forcave speciale që iu bashkua kapitenit Quinn gjatë rrahjes.

Mbrojtja që i bën ushtria amerikane kësaj politike është qesharake. Në një e-mail, zëdhënësi i komandës Amerikane në Afganistan, Koloneli Brian Tribus, argumentoi se dyshimet për abuzimin me fëmijët të kryera nga ushtarët apo policët afganë “janë një çështje e e brendshme e drejtësisë penale afgane”.

Por përpjekja për t’i nxjerrë predatorët seksualë afganë përpara drejtësisë nuk është inkurajuse. Më 2010-n, dy oficerë të marinës i bindën autoritetet afgane që të arrestonin një komandant të policisë pas disa abuzimesh të vazhdueshme, që përfshinin korrupsionin, mbështetjen për talebanët dhe pengmarrjen e fëmijëve. Por pas dy vjetësh, ai u kthye me një tjetër njësi në Provincën e Helmandit.

Koloneli Tribus tha gjithashtu se nuk ka patur “ndonjë kërkesë të shprehur që ushtarët amerikanë në Afganistan” t’i raportojnë abuzimet me përjashtim të rasteve kur përdhunimet përdoren si një armë lufte. Ai e ka gabim në disa drejtime, thonë ekspertët ligjorë. Abuzimet seksuale shkelin Konventën e Gjenevës, e cila e ndalon dhunën, trajtimin çnjerëzor dhe “nëpërkëmbjen e dinjitetit personal” ndja njerëzve që mbahen të burgosur. Të drejtat ndërkombëtare të njeriut e ndalojnë përdhunimin.

Konventa e Gjenevës dhe ligji federal përcaktojnë gjithashtu një detyrim ndaj Shteteve të bashkuara që t’i hetojnë dhe ndëshkojnë shkeljet e ligjeve të luftës që janë nën juridiksionin e saj, përfshi bazat ushtarake në Afganistan. “Këtu nuk ka zona gri”, tha John Sifton i Human Rights Watch.

Katërmbëdhjetë vite të gjata lufte dhe miliarda dollarë të investuar kanë dëshmuar se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta ndryshojnë Afganistanin. Por as që mund të vihet në dyshim se ushtarët amerikanë nuk mund të lejojnë praktika të tilla në bazat e tyre apo t’iu japin afganëve të cilitdo lloj rangu përshtypjen se këto praktika falen. Dhe nuk mundet që anëtarët e shërbimeve si Kapiteni Quinn dhe Rreshteri Martland të penalizohen për shkak se kanë refuzuar të bëjnë një sy qorr kur një djalosh mbahet si skallv seksi.

Përshtati: Syri.net

SHKARKO APP