INSTAT: Partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë janë Italia, Turqia, Kina dhe Greqia

Instituti i Statistikave i Shqipërisë (INSTAT) ka publikuar të dhënat zyrtare rreth tregtisë së jashtme të Shqipërisë për muajin dhjetor 2014, ku rezulton se eksportet e mallrave arritën vlerën 19 miliardë lekë, duke u ulur me 10,5 përqind në krahasim me dhjetor 2013 dhe 10,4 përqind në krahasim me nëntor 2014.

Sipas INSTAT, rënie më të madhe vjetore kanë patur eksportet e grupeve: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 29,6 përqind, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 26,1 përqind dhe “Prodhime druri dhe letre” me 19,9 përqind. Rritje më të madhe vjetore patën eksportet e grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 89,7 përqind, “Produkte kimike dhe plastike” me 30,9 përqind dhe “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 28,7 përqnind.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 65,1 përqind të të gjithë tregtisë. Ndërkohë partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (35,9 përqind), Turqia (7,0 përqind), Kina (6,8 përqind) dhe Greqia (6,5 përqind). Në muajin dhjetor 2014 importet e mallrave arritën vlerën 54 miliardë lekë, duke u ulur me 8,8 përqind në krahasim me dhjetor 2013 dhe duke u rritur me 12,0 përqind në krahasim me nëntor 2014. Rënie më të madhe vjetore kanë patur importet e grupeve: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 29,9 përqind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 20,5 përqind dhe “Ushqime, pije, duhan” me 10,9 përqind. Rritje më të madhe vjetore patën importet e grupit “Prodhime druri dhe letre” me 21,7 përqind, “Produkte kimike dhe plastike” 17,7 përqind dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” 9,8 përqind.

Ndërkohë që defiçiti tregtar i këtij muaji është 35 miliardë lekë, duke u ulur me 7,9 përqind krahasuar me dhjetor 2013 dhe duke u rritur me 29,8 përqind në krahasim me nëntor 2014.

SHKARKO APP