INSTAT përgënjeshtron qeverinë, rishikon me ulje rritjen ekonomike
Në vlerësimin final për rritjen ekonomike të vitit 2014, INSTAT raportoi dje, se rritja është zgjeruar me 1.77 %, kurse për 2015-ën, sipas vlerësimit gjysmë final, ekonomia u rrit me 2.23 %.
“Në vitin 2015 ekonomia shqiptare shënoi një rritje në terma realë prej +2,23 %, krahasuar me vitin 2014, pas një rritje prej +1,77 % në vitin 2014 krahasuar me vitin 2013”, thuhet në raportin e Institutit të Statistikave.
Por, të dyja këto shifra janë në të ulëta se ato që kishte parashikuar qeveria në programin buxhetor për periudhën 2017-2019. Për 2014-ën rritja ekonomike ishte parashikuar 1.8%, ndërsa për 2015-ën 2.6%.
Sipas INSTAT: PBB me çmime korente në vitin 2015 u vlerësua 1.427.799 milion lekë (10,2 miliardë Euro) dhe 1.395.305 milionë lekë (10,0 miliardë Euro) për vitin 2014.
Ndërsa në programin buxhetor parashikohej që Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmime korente për vitin 2015 të arrihej në 10.3 miliardë euro, kurse për 2014-ën në 10 miliardë euro.
Nga rishikimet që i ka bërë INSTAT rritjes ekonomike rezulton për këto dy vite rezulton se ajo është 100 milionë euro më pak nga sa parashikohej në programin buxhetor.
Sipas PBB-së me metodën e prodhimit, kontributin kryesor në rritjen ekonomike e dhanë degët si: “Ndërtimi” me +0,57 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me +0,44 pikë përqindje, “Industria” me +0,29 pikë përqindje, “Tregti, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor” me +0,28 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe shërbimet e tjera” me +0,16 pikë përqindje, “Bujqësia, pyjet dhe peshkimi” me +0,16 pikë përqindje dhe “Aktivitete financiare dhe sigurimi” me +0,13 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuuan me -0,06 pikë përqindje, thuhet në raport.
INSTAT raporton se: Përsa i përket strukturës së PBB sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2015 vazhdojnë ta zënë Shërbimet me 46,5 % të PBB, të cilat u rritën me 2,77 % në terma realë. Industria dhe Ndërtimi përbëjnë 21,2 % të Produktit të Brendshëm Bruto. Industria në terma realë u rrit me 2,26 %, kurse Ndërtimi me 6,64%. Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 20,1 % të PBB dhe janë rritur me 0,79 % në terma realë. Deflatori i PBB-së për vitin 2015 ishte +0,1 %.
Sipas PBB–së me metodën e shpenzimeve, Konsumi final, komponenti me peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi prej 92,38 %, u rrit me 2,49 % në terma nominalë dhe 0,89 % në terma realë. Në strukturën e Konsumit Final është konsumi final i popullatës ai që zë peshën më të madhe, prej 80,54 %, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 11,16 % dhe konsumi i institucioneve jo-fitimprurëse në shërbim të familjeve (IJFSHF) me 0,68 %. Në vitin 2015, Formimi bruto i kapitalit fiks i cili përbën 24,64 % të PBB-së, u rrit me 4,37 % në terma nominalë dhe 4,03 % në terma realë, krahasuar me vitin 2014. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 0,65 % në terma nominalë dhe pësuan një rritje e lehtë me 0,97 % në terma realë, ndërkohë që Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 3,00 % në terma nominalë dhe u ulën me 2,88 % në terma realë, krahasuar me vitin 2014.