INSTAT: Prodhimi u rrit nga ndërtimi dhe Call Center-at

Instituti i Statistikave njoftoi se ekonomia shqiptare u rrit me 2.98 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2015, krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë. Në dy tremujorët paraardhës, atë të parin dhe të dytin Prodhimi Kombëtar ishte rritur respektivisht me 2.24 dhe 2.96 për qind. Kjo bën që në total, për nëntëmujorin e 2015-ës rritja ekonomike të jetë 2.74 për qind.

Nga erdhi rritja
Të dhënat e Instat tregojnë se në tremujorin e tretë sektorët kyç që udhëhoqën rritjen ekonomike ishin ndërtimi dhe aktivitetet profesionale dhe ato administrative. Sipas Instat, i vetëm sektori ndërtimi ka dhënë gati gjysmën e rritjes ekonomike, përkatësisht 1.45 për qind në shtesën totale të prodhimit. Burime nga Instat thanë se kjo rritje rritja në sektorin e ndërtimit është e lidhur me investimet publike, veçanërisht ato në ndërtimin e qëndrave urbane, një projekt që qeveria po realizon përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.

Në vendin e dytë, sektori që ka gjeneruar rritjen më të madhe ekonomike për tremujorin e tretë janë aktivitetet profesionale dhe ato administrative që ndryshe njihen si shërbimet mbështetëse të biznesit, të cilat kontribuan me 0.53 për qind në rritjen totale të Prodhimit Kombëtar . Në këtë degë, hyjnë Call Center-at, studiot ligjore, agjencitë e udhëtimit dhe studiot e arkitekturore, të cilat sipas Instat kanë kanë gjeneruar rritje të fortë ekonomike.

Bie bujqësia
Sektori i bujqësisë një nga degët që qeveria e ka përcaktuar si prioritet u rrudh për të katërtin tremujor me radhë. Sipas Instat në tremujorin e tretë prodhimi bujqësor ra me 1.4 për qind krahasuar me një vit më parë. Kjo ka bërë që efekti i bujqësisë në rritjen ekonomike të jetë negativ, përkatësisht -0.28 për qind.

Ndërkaq degët e tjera të rëndësishme si Industria apo Tregtia kanë patur rritje të papërfillshme ekonomike në tremujorin e tretë respektivisht 0.14 dhe 0.25 për qind krahasuar me një vit më parë.

SHKARKO APP