Integrimi i Shqipërisë, tani me Letoninë presidente të BE-së
Nga Eglantina Nasi
Viti 2014 u mbyll me Presidencën e Italisë në krye të Bashkimit Evropian, ndërsa viti i ri 2015 u hap me Presidencën e re letoneze. Duke përcaktuar në këtë mënyrë raporte të reja edhe për vetë procesin e integrimit evropian si të tillë për Shqipërinë gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti. Kujtojmë sakaq, se viti 2014 ka qenë mjaft i mbarë për vendin tonë në aspektin e saj integrues drejt strukturave evropiane dhe kjo për vetë faktin, pasi përgjatë tij, ai arriti të përfitojë edhe statusin e vendit kandidat. Një pozicion ky i kërkuar dhe i pretenduar prej Shqipërisë prej vitesh dhe madje i refuzuar disa herë, por që me vitin e kaluar, ai arriti të kthehet në një ëndërr të realizuar, duke përmbushur kështu edhe një premtim të bërë nga qeverisja e së majtës në lidhje me politikën e saj të jashtme. E duket se me një status të tillë, pra atë të kandidatit, vendi ynë do të kalojë disa kohë, ndoshta edhe vite brenda strukturave të BE-së. Dhe kjo, për vetë procesin e integrimit si të tillë që parashikon një kohë të konsiderueshme tani mbi realizimin dhe përmbushjen e reformave të duhura për të qenë një vend anëtar me të drejta në plota në Brukselin zyrtar. Në këtë këndvështrim, duket sikur Presidenca e re letoneze e BE-së nuk ka për të ofruar ndonjë risi të veçantë ndaj Shqipërisë, përveçse vazhdimësisë së përmbushjes së këtyre reformave. Kjo ndoshta edhe për faktin pasi profili i kësaj presidence duket të jetë më shumë i fokusuar në ripërcaktimin e marrëdhënieve të e BE-së me ish-republikat sovjetike si Armeninë, Azerbajxhanin, Bjellorusinë, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën. E thënë ndryshe, ajo do ta ketë më shumë mendjen tek rregullimi i raporteve të vendeve në kufirin aziatik me Evropën, sesa të atyre evropiane me këtë të fundit. Ku këtu përfshihen edhe raportet e Rusisë dhe Ukrainës, përballë Bashkimit Evropian. Vetë Letonia si një vend i njohur i Balltikut dhe me peshë në këtë rajon, natyrshëm që presidencën e saj do ta ketë të fokusuar në zhvillimet që përjetohen brenda tij, ku njëri prej tyre padyshim që është edhe ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë. Kësisoj, i bie që Shqipëria të mos jetë në fokusin kryesor të vëmendjes së saj, si presidente e BE-së, siç ka qenë përshembull në rastin e presidencës italiane gjatë vitit të kaluar. Kujtojmë sakaq se Presidenca pritet t’i kushtojë Letonisë 70 milionë euro dhe do të kulmojë me Samitin e Partneritetit Lindor në Rigë më 21-22 maj.
Kush është Letonia?
Republika e Letonisë është shtet në pjesën veriore të Evropës, pranë Detit Baltik. Letonia ndan kufirin e saj tokësor në veri me Estoninë, në lindje me Rusinë dhe Bjellorusinë, ndërsa pjesa jugore e kufirit ndahet me Lituaninë. Kryeqyteti i këtij shteti, Riga është një ndër qytete më të njohura baltike. Numrin më të madh të popullsisë së Letonisë e përbëjnë letonezët, 59.4%. Rol të rëndësishëm kan luajtur edhe rusët, të cilët marrin pjesë me 27.6%. Popuj të tjerë që jetojnë në këtë shtet janë bjellorusët, lituanezët, ukrainasit, polakët dhe të tjerët. Për shkak të pranisë së gjermanëve gjatë së kaluarës, letonët në pikëpamje fetare deklarohen si protestantë.
PROJEKTI
Prioritetet e reja të presidencës
letoneze të Bashkimit Evropian
Gjatë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, Letonia do të fokusohet në tre prioritete kryesore: Europë konkurruese, Europë dixhitale dhe Europë e angazhuar.
Europa Konkurruese
Europa ka nevojë të rritë kapacitetin e saj sipërmarrës, duke nxitur investime në produktet dhe shërbimet e reja e konkurruese. Vetëm në sajë të zhvillimit të sektorëve të industrisë dhe të shërbimeve, Europa mund të lehtësojë krijimin e vendeve të punës, dhe në këtë mënyrë të nxisë kohezionin social. Bazuar në përvojën e vetë Letonisë, kjo mund të arrihet përmes reformave efikase strukturore dhe masave investuese që stimulojnë zhvillimin. Detyrat kryesore të Presidencës letoneze: Të punojë me planin e investimeve për Europën; të vazhdojë punën në përforcimin e Tregut të Përbashkët; të nxisë diskutimet dhe të fillojë punën mbi Bashkimin e Energjisë; të promovojë konkurrencën industriale.
Çështjet kyesore në axhendë:
* Plani i Investimeve – me qëllim zbërthimin e investimeve publike dhe private në ekonominë reale;
* Forcimi i Tregut të Përbashkët – Progres në propozimet e mbetura të Aktit II të Tregut të vetëm dhe nisja e diskutimeve mbi Strategjinë e pritshme të Tregut të Brendshëm për mallra dhe shërbime;
* Rritja e aftësisë konkurruese të industrisë dhe sektorëve që lidhen me shërbimet- rregullimi më i mirë do të jetë parimi drejtues;
* Krijimin e një Unioni të Energjisë – politika energjetike të ndërtuara mbi solidaritetin, besimin dhe sigurinë, fokusi në infrastrukturë, qeverisje më të mirë, sigurinë e energjisë dhe diplomacinë energjitike.
Europa dixhitale
Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë së informacionit po siguron mundësi të cilat kanë potencial për një rritje të zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për BE-në. Ato gjithashtu përmbajnë edhe sfida të cilat kanë nevojë të jenë në përputhje të plotë me përmasat e këtyre mundësive.
Detyrat kryesore të Presidencës së Lituanisë: të avancojë mbrojtjen e të dhënave, të punojë në paketën e Tregut të Telekomunikacionit, të fillojë diskutime për Strategjinë e Tregut të Përbashkët Dixhital.
Çështjet kryesore në axhendë:
* Ndërtimi i një strukture të fortë dhe gjithnjë e më koherente për mbrojtjen e të dhënave- lipset një përputhshmëri me Direktivën dhe Rregulloren për Mbrojten e Përgjithshme të të Dhënave.
* Rritje e sigurisë kibernetike- implementimi i Stategjisë së Sigurisë Kibernetike Europiane; mbyllja e negociatave për Direktivën e Sigurimit të Rrjetit dhe Informacionit.
* Lehtësimi i bisedimeve fillestare rreth strategjisë së tregut të vetëm dixhital- eleminimi i barrierave online, krijimi i besimit dhe garancisë, garantimi i aksesit si dhe krijimi i ekonomisë dixhitale.
* Arritja e një kompromisi gjithëpërfshirës në paketën e tregut të Telekomunikimit- gjetja e një balance të duhur mes shërbimeve të cilësisë së lartë dhe çmimit të arsyeshëm për konsumatorët.
Europa e angazhuar
Bashkimi Europian ka përgjegjësinë të ndërmarrë një rol të plotë dhe aktiv në hapësirën globale. Me konfliktet e fundit, situata e fqinjëve është më sfiduese se kurrë.
Detyrat kryesore të Presidencës Letoneze- të lehtësojë rishikimin e Politikës së Fqinjësisë, të vijojë më tej me bashkëpunimin transatlantik; të fokusohet në qëllimet e zhvillimit të Europës pas vitit 2015.
Çështjet kryesore në axhendë:
* Politika e Fqinjësisë Europiane me dimension jugor dhe lindor – prioritet marrëdhënies së Europës me jashtë, t’i kushtohet një vëmendje të vecantë Partneritetit Lindor.
* Forcimi i partneritetit transatlantik -përfundimi i negociatave për Partneritetin e Tregtisë dhe Investimit Transatlantik (TTIP), marrëveshja para fundvitit 2015, avancimi i Marrëveshjes së Tregtisë dhe Ekonomisë gjithpërfshirëse BE-Kanada (CETA) dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë BE-Japoni.
* Strategjia e BE-së dhe Azisë Qendrore- rritje e bisedimeve rreth sigurisë, kufizimit të menaxhimit të kufijve, furnizimit me energji, dhe shkëmbimeve arsimore.
* Synimet rreth zhvillimit europian për periudhën pas 2015- përqëndrimi në zhvillimin e qendrueshëm, me një vëmendje të veçantë në çështjet e barazisë gjinore dhe punësimit të gruas.