INUK dhe reagimet e reja qytetare

Nga Dallëndyshe Bici*

Çfarë ka ndryshuar në sjelljen e qytetarëve shqiptarë kundrejt Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (prej muajit Shkurt, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit) në këta pesë muaj që unë jam në drejtim të tij? Disa reagime që për mua janë thelbësore. Jo vetëm që dua t’i ndaj publikisht perceptimet e mia, por dëshiroj që pse jo, të jenë edhe pjesë e debatit me qëllimin e vetëm, shërbimin ndaj shumicës së qytetarëve tanë. Unë nuk i shoh qytetarët të ndarë prej punës sonë. Madje në gjykimin tim, ata janë peshorja ku ne masim sasinë e punës sonë, por edhe kontrollori i cilësisë së kësaj pune.

Reagimi i parë që unë do të veçoja është rritja e kërkesës për praninë e INUK në gjithë Shqipërinë. Pa përjashtim. Në të gjitha mjetet e komunikimit që kemi me qytetarët, ka me qindra lutje, kërkesa e pyetje që në thelb kanë pak fjalë: Kur do të vini? E pas kësaj pyetjeje shtojnë qytetin, a vendbanimin e tyre. Ky është Besim. Në vetëm pak muaj, duke pasur dëshirë, vendosmëri dhe mbështetje, kemi kthyer besimin e njerëzve se vendi ku ata kanë zgjedhur për të jetuar, do të qeveriset me të njëjtat rregulla e ligje për të gjithë. Nuk besoj se qytetarët na kërkojnë në çdo cep të Shqipërisë për të parë ngjyrën e fadromave të INUK, apo veshjet me logon sipër të punonjësve. Na kërkojnë, sepse dikush tjetër ka lënë pa bërë punën për të cilën është zgjedhur, dhe gjithashtu na preferojnë për seriozitetin me të cilin ne punojmë. Këtu nuk ka vend për modesti, e as për mendjemadhësi. Është thjesht një e vërtetë që duhet të ndryshojë. INUK vërtet sot ka besimin e mijëra qytetarëve, por ka edhe struktura të tjera, gati të harruara, që paguhen nga buxheti i shtetit, por që edhe pas katër vitesh nuk i shërbejnë atij. E kur nuk i shërbejnë shtetit, nuk i shërbejnë as qytetarëve. Jam e sigurt se këta të fundit, përveçse nuk u besojnë, edhe i kanë harruar se ekzistojnë si struktura. Ashtu si jam e sigurt se pikërisht këto lloj strukturash kërkojnë pikërisht harresën, t’i lenë rehat “në pellgun e tyre”, njësoj si shushunjat. Ndoshta po vjen koha që vetë qytetarët t’i bonifikojnë këto pellgje. Atëherë edhe INUK do të shkojë shumë më shpejt në çdo cep të Shqipërisë.

Një tjetër ndryshim është mënyra e reagimit të qytetarëve “të prekur” nga operacionet e INUK në vend. Në muajin e parë të punës sime në drejtim të këtij institucioni, mund të them se ashpërsia e ardhur drejt nesh ka qenë maksimale. Fjalë, kërcënime, reagime fizike, përplasje, presione, ndërhyrje, telefonata, mesazhe në çdo orë të ditës dhe natës. Pa mbarim. Një ferr i vërtetë, që kërkonte nerva çeliku. Nuk është se janë zhdukur, por ka një ndryshim të madh, shumë të madh. Zërat janë bërë shumë më të butë. Kërkojnë më shumë mirëkuptim. Nuk ka më ulërima, e kërcënime. Ka më shumë ligjshmëri. Qytetarët nuk përpiqen t’i zgjidhin pretendimet e tyre me fjalën e forcës, por me vendimet e gjykatës. Kjo për mua do të thotë shumë. Do të thotë se tashmë është kuptuar Vendosmëria për të bërë detyrën, punën për të cilën paguhesh nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Këtë e kanë kuptuar edhe ata që i “kanë gjetur anën” çdo qeverie e institucioni, duke e shtrirë paligjshmërinë e tyre, përfitimet nga paligjshmëria, në javë, muaj e në vite. E, e gjitha kjo ka pasur një kurriz ku rëndonte; mbi shumicën e qytetarëve. Kjo barrë e rëndë ka nisur të lirohet. Jemi të vendosur që qytetarëve t’u lirohen jo vetëm hapësirat e zëna nga “më të fortët” e pallatit, rrugës, lagjes, qytetit, të preferuarit e pushtetit, por t’u lirohet edhe guximi për të denoncuar, fshehur prej kohësh pas maskës “ç’më duhet mua”. Na duhet të gjithëve. Sepse është vendi ynë.

Dhe kjo ka filluar të kuptohet dhe të ndihet. Sepse krahasimisht, numri i denoncimeve, pas çdo operacioni ditor të INUK, vetëm shtohen. Çdo ditë ka denoncime të reja. Me të dhëna të sakta. Ajo që mua më bën përshtypje, më jep kënaqësi dhe më shton dëshirën e vullnetin për punën, është mosha e këtyre denoncuesve. Shumica e tyre janë të rinj. Ata përdorin teknologjinë për denoncimet e tyre, rrjetin tonë të facebook, web-in, komunikimet e ndryshme nëpërmjet telefonit. Dhe të gjithë pa përjashtim shprehin një dëshirë; ta shohin vendbanimin e tyre të pastër, jo vetëm nga përditshmëria e jetës, por edhe nga arroganca e ndërtimeve dhe ndërhyrjeve pa pyetur për kënd. E, kur janë të rinjtë që e kërkojnë, nuk është vetëm punë, por Detyrim. Është detyrë e jona, e institucioneve që ata kanë zgjedhur, për t’ua kthyer në të banueshme, pjesën që u ka takuar në Shqipëri, e që nuk duan ta ndërrojnë, por që dikush, apo disa, menduan “ta pushtojnë” e ta shfrytëzojnë për vete. Këta që rëndom dhe për të kaluar radhën, quhen “e ardhmja”, por edhe ata që nuk i besojnë teknologjisë duke zgjedhur t’i bëjnë denoncimet në zyrat tona, janë detyrimi ynë i madh për t’i çuar deri në fund ndërmarrjet tona.

Nuk mund të mos përmend, megjithëse të pakta, edhe kundërshtimet në adresë të punës sonë. Për të qeshur është, kur në mbrojtje të paligjshmërisë, përdoren argumente sociale. Përdoren këto argumente nga disa, të cilët çështjet sociale i kanë pasur përherë të kategorisë së katërt. Jo vetëm kaq, por kanë lejuar, ç’është më e keqja me dashje, që Shqipëria të kthehet në një xhungël ku jetojnë vetëm të fortët, dinakët dhe parelinjtë, ndërsa të tjerët mbijetojnë nën hijen e këtyre. Dhe sot, kanë një reagim më së paku qesharak; mos ndërhyni se vendi është në krizë. A e di si është ky pretendim i tyre? Njësoj sikur mjeku t’u thotë familjarëve të të sëmurit: nuk e operojmë nga zemra, sepse ka dhimbje apendiciti. Dhe të mendosh që këto sëmundje i kanë sjellë ata që thërrasin sot më shumë.

Megjithatë, unë mund të siguroj për diçka qytetarët shqiptarë. INUK do të vijojë punën e tij me të njëjtin intensitet, vendosmëri dhe dëshirë në çdo cep të Shqipërisë. Ndoshta koha se kur do të jemi prezentë fizikisht mund të jetë e shpejtë, apo e vonë, por është e sigurt si fatura e dritave që do të paguhet, se INUK pavarësisht neglizhencës dhe shurdhërisë së ndonjë institucioni, do të jetë kudo për të rrëzuar çdo paligjshmëri të ngritur nga pushteti mbi fytyrën e shtetit.

*Kryeinspektore e INUK

SHKARKO APP