Investimet e huaja, Tabaku: Shqipëria duhet të jetë në linjë me SHBA-të dhe BE-në
Qeveria e Shqipërisë ka hedhur për konsultim publik deri më 5 janar projektligjin për shqyrtimin e investimeve të huaja në vend, nismë kjo që pritet të kalojë në sitë të gjithë investitorët që synojnë infrastrukturën publike kritike e deri tek liria e medias.
Ka qenë deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e cila ka cilësuar këtë projektligj si të vonuar dhe mbi të gjitha aspak afër me standardet evropiane që Shqipëria ka si detyrë për të zbatuar në bazë në qëllimit për anëtarësimin në BE.
Në postimin e saj në rrjete sociale, Tabaku thotë se kërkesa për një meakinizëm real për verifikimin e investimeve është bërë nga partnerët strategjikë të Shqipërisë, si SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. Ajo thotë se ky projektligj nuk i përgjigjet aktualitetit në Shqipëri dhe problemeve serioze në fushën e investimeve.
Duke krahasuar nismën e qeverisë me rregulloren e Bashkimit Europian për screening-un e investimeve të huaja, Tabaku evidentoi se propozimi qeveritar kufizohet në mënyrë të pakuptimtë vetëm në sektorin e medias, duke lënë jashtë sektorë jetikë për sigurinë kombëtare, si infrastruktura portuale, teknologjia e informacionit, sistemet kritike softuerike dhe industria e mbrojtjes.
“Sot lexova në media një lajm të sponsorizuar nga zyra e qeverisë mbi një propozim të ashtuquajtur për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja. Një nismë e vonuar dhe gjysmake, ndonëse kërkesa e partnerëve tanë amerikanë dhe të Bashkimit Europian ka qenë e qartë dhe e përsëritur, dhe vjen në një moment tejet kritik për sigurinë dhe orientimin strategjik të vendit.
Shqyrtimi serioz i investimeve të huaja është jetik për Shqipërinë, sepse sot: të dhënat personale të qytetarëve janë trajtuar si plaçkë; të dhënat e bizneseve janë përdorur për gjoba dhe presione; institucione shtetërore si AKSHI janë përfshirë në skandale të mëdha që po hetohen nga SPAK.
Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq historik: ose zgjedh rrugën europiane, me rregulla, transparencë dhe investime amerikane e europiane, ose rrëshqet drejt marrëveshjeve të errëta me vende të treta, pa standarde dhe pa siguri. Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, ku siguria kombëtare nuk negociohet, detyra e një qeverie nuk është të prodhojë propagandë dhe lajme të rreme, por të mbrojë Shqipërinë nga rreziqet reale.
Mirëpo, një qeveri ku tenderët e teknologjisë së informacionit vendosen në zyra informale si “EA Tobacco”, dhe ku krimi i organizuar bashkëjeton me qeverisjen, nuk ka as moralin dhe as besueshmërinë për të folur për siguri investimesh. Prandaj nuk është rastësi që propozimi i kësaj qeverie të delegjitimuar reduktohet në: një komitet në letër, një shqyrtim formal, dhe kufizim absurd vetëm në sektorin e medias, duke lënë në hije sektorë vitalë për sigurinë kombëtare.
Fjala vjen, mbeten jashtë: infrastruktura portuale, teknologjia e informacionit, infrastruktura softuerike dhe sistemet kritike, mbrojtja dhe prodhimi ushtarak.
Mjafton një krahasim me rregulloren e Bashkimit Europian për screening-un e investimeve për të kuptuar sipërfaqësinë dhe mungesën e seriozitetit të një qeverie pa moral dhe pa vizion. Ndërsa qeveria e damkosur nga korrupsioni propozon ligje “sa për të kaluar radhën”, Shqipëria ka nevojë për një legjislacion real, të fortë dhe të besueshëm, që mbron sigurinë kombëtare dhe orientimin euroatlantik të vendit”, thuhet në reagimin e Tabakut.
Ky projektligj parashikon kryerjen e verifikimeve përmes “Komitetit Ndërministror për shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte”, do të kryesohet nga ministri i Ekonomisë por në përbërje ka edhe gjashtë ministri të tjera, si dhe agjenci të inteligjencës apo AKSHI-n. I gjithë kuadri i hetimeve do të zhvillohet në bashkëpunim me BE-në duke informuar Komisionin Evropian. Në rastin e paraqitjes së të dhënave të rreme nga ana e investitorit, ky i fundit do të gjobitet me 50 000 euro ndërsa ndëshkimet rriten rriten në rast se investimi i huaj zbatohet pavarësisht ndalimit me vendim të Komitetit, e cila mund të arrijë deri në dyfishin e vlerës së investimit.
KOHA JONË SONDAZH

